Dënimi në vlerë prej 2500 euro gjobë, ka qenë verditkti që Gjykata Themelore në Prizren, ka shqiptuar ndaj zyrtarit policor, Elmi Krasniqi, i akuzuar për veprën penale “marrje ryshfeti”.
Fillimisht, Krasniqi është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv por me kërkesë të tij dhe avokatit të tij, Naim Qelaj, dënimi i tillë është zëvendësuar me dënim me gjobë prej 2500 euro.
Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka lexuar verdiktin e lartcekur të trupit gjykues, po ashtu ka thënë se ndaj të akuzuarit është shqiptuar dënimi plotësues, i cili ia ndalon atij të punojë në Policinë e Kosovës në afat prej dy vitesh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Elmi Krasniqi, akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prizren, se duke vepruar në cilësinë e zyrtarit policor ka kërkuar dhe pranuar të holla nga shkelësi i rregullave të komunikacionit me qëllim që mos t’i shqiptojë atij dënimin sipas ligjit.
Sipas aktakuzës, Elmi Krasniqi, në cilësinë e zyrtarit policor, gjatë patrullimit në autostradën “Ibrahim Rugova”, ka ndaluar të dëmtuarin Ismet Gjeliloviq, për tejkalim shpejtësie. Tutje përshkruhet se i akuzuari i ka thënë të dëmtuarit se në rrugën ku lejohet shpejtësia 100 km/h, ka zhvilluar shpejtësi prej 163 km/h dhe se duhet të paguajë 95 euro dënim.
Tutje, në aktakuzë shkruan se i akuzuari Krasniqi, i ka thënë të dëmtuarit Gjeliloviq se mund ta mbyllin çështjen miqësisht, nëse ai i jepte atij 50 euro. I dëmtuari, pasi ia ka dhënë të akuzuarit paratë prej 50 euro, menjëherë ka shkuar në stacionin policor në Malishevë, ku edhe e ka paraqitur rastin./betimiperdrejtesi/