Me moton “ Të kuptuarit e krimit kundër urrejtjes” Policia në bashkëpunim me OSBE-në, ka filluar një aktivitet sensibilizues për nxënësit e komunave të rajonit të Prizrenit.
Një aktivitet i tillë është mbajtur sot në shkollën “ Lekë Dukagjini”, me ç’rast zyrtari për informim i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, rreshteri Vesel Gashi, tha se ky aktivitet ka për qëllim informimin dhe vetëdijesimin e nxënësve të të gjitha komuniteteve, për të kuptuar hollësisht shmangien e krimit në baza të urrejtjes ndërnjerëzore të nacionaliteteve të ndryshme.
Rreshteri Gashi, tha më tej se gëzon fakti se kjo dukuri nuk është e pranishme në zonën e përgjegjësisë së Prizrenit, por shton ai asgjë nuk mund t’ia lëm rastësisë dhe për këtë arsye, theksoi ai, është paraparë organizimi i këtij aktiviteti.
Nxënësja e klasës së IX-të të SHFMU “ Lekë Dukagjini”, Anabella Smajlloviq, nga komuniteti boshnjak thotë se nuk ndjehet e rrezikuar në aspektin ndërnacional, por me dukuritë e pranishme që po e rrezikojnë sigurinë.
“Në komunën e Prizrenit sa i përket marrëdhënieve ndëretnike nuk ka asnjë problem rreth sigurisë, mirëpo huliganizmi dhe prania e shumë dukurive tjera negative nuk na bën të sigurt në ambientet shkollore”, thonë nxënësit.
Ka shumë rrahje masive të nxënësve, dëgjojmë shumë gjëra për përdorim të substancave narkotike, kemi prani të huliganëve, dhe të gjitha këto na bëjnë të mos ndihemi të sigurt gjatë kohës që kalojmë në shkollë thonë ata.
Sipas mendimit të nxënësve prania e policisë nëpër shkolla, do të mundësonte më shumë siguri për nxënësit. Aktivitetet për vetëdijesimin e nxënësve do të vijojnë edhe në komuna të tjera të regjionit të Prizrenit./TV Opinion/