17.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Politika larg teatrit

AlbatrosRexhaj-poetShkruan: Albatros Rexhaj

Zgjedhja e drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës u bë shkak që edhe njëherë, por kësaj here shumë më theksueshëm, komuniteti i artistëve të teatrit të ndahet në dysh. Dhe faji për këtë duhet kërkuar jo vetëm të ndërhyrja e politikës në komunitetin e artistëve, por edhe të vetë koketimi i një pjese të artistëve me politikën.

Në këtë histori ka shumë pak vend për parime, sepse në thelb jemi dëshmitarë të përplasjes së dy grupeve të interesit: grupit që koketon me pushtetarët e tashëm dhe me grupin që ka koketuar me pushtetarët e kaluar. Nuk ka asnjë dilemë se, në rast të ndonjë rotacioni të pushtetit, kjo përplasje do të vazhdojë, por tani në një dimension të ri.

Në tërë këtë histori ekziston vetëm një detaj, që është i dobishëm dhe për të cilin ia vlen të mendohet. Zgjedhja e drejtorit të ri, me theks në përplasjen brenda komunitetit të artistëve, është një çast i mirë për të reflektuar mbi atë se çfarë kahe dëshirojmë t’i japim kulturës sonë.

Institucionet si Teatri Kombëtar e kanë funksionin themelor të promovimit të identitetit tradicional dhe bashkëkohor të Kosovës. Si të tilla, në parim, këto duhen të jenë mbi politikën ditore. Por, në anën tjetër, duke pasur parasysh se këto janë institucione shtetërore, vartëse të drejtpërdrejta të Ministrisë së Kulturës dhe jo institucione të pavarura çfarë p.sh është Avokati i Popullit apo Komisioni i Pavarur për Medie, nuk mund të anashkalohet ndikimi politik në përzgjedhjen e udhëheqësve të këtyre institucioneve. Në këtë kontekst, zgjedhja e një drejtori, si pjesë e nomenklaturës udhëheqëse të institucioneve shtetërore, që e ka mbështetjen e partisë në pushtet nuk është diçka e jashtëzakonshme.

Por ato që nuk duhet të lejohet janë: imponimi në art i shijeve të politikës; imponimi i vlerave dhe i individëve të padëshmuar, që mund të sponsorizohen nga politika; me theks të veçantë nuk duhet të lejohet që logjika përjashtuese dhe logjika e konfliktit të bartet nga politika në mesin e komunitetit të artistëve, sepse atëherë rrezikojmë që teatri të kthehet në ditët e teatrit popullor kur ishte pjesë e arsenalit të instrumenteve të propagandës së shtetit. Rrjedhimisht, në këtë zbërthim të mundshëm të zhvillimeve, ky institucion nuk do të mund të thirret se është duke e kryer funksionin e vet, si institucion që e promovon identitetin tradicional dhe bashkëkohor të Kosovës.

Theksi i interesit të publikut duhet të fokusohet te ajo se qeveritë, si kjo e tashmja ashtu edhe ato që do të vijnë, duhet të përmbahen nga tundimi që bordet artistike, që e simbolizojnë thelbin e pavarësisë intelektuale dhe artistike të këtyre institucioneve, të mbushen me militantë partiakë dhe individë të padëshmuar. Qeveritë duhet të përmbahen nga tundimi që ta përçajnë komunitetin artistik dhe që artistët t’i kthejnë në militantë partiak, sepse arti duhet t’i bashkojë njerëzit dhe jo t’i përçajë ata.

Ndërkaq, dhe kjo është më e rëndësishmja, vetë artistët duhet të heqin dorë nga ideja se duke koketuar me politikën dhe njerëzit e pushtetshëm do të arrijnë të përmbushin agjenda të caktuara personale. Dhe në vend të kësaj duhet të përqendrohen në krijimin e një trashëgimie të fuqishme, qoftë si individ qoftë si komunitet.

Sa i përket drejtorit të ri konsideroj se është e udhës të thuhen disa gjëra parimore.

1. Askush nuk guxon të paragjykohet dhe secili ka të drejtë ta kërkoj një rast për ta dëshmuar veten. Kjo vlen edhe për drejtorin e ri.

2. Konstatimi se drejtori patjetër duhet të jetë artist i teatrit nuk qëndron, sepse drejtori është menaxher dhe jo bartës i politikave të artit. Pos kësaj jemi dëshmitarë se, së paku deri tani, artistët nuk janë treguar si menaxher të suksesshëm.

3. Drejtori i ri duhet të jetë i vetëdijshëm se është në interesin e kredibilitetit të tij ta dëshmojë një pavarësi intelektuale si dhe një pavarësi kundrejt imponimit të mundshëm të shijeve dhe individëve të sponsorizuar nga politika.

4. Drejtori i ri duhet ta dëshmojë se nuk do të aplikojë politika revanshiste dhe se do të kujdeset që Teatri Kombëtar të jetë shtëpi e të gjithë artistëve, pavarësisht simpative personale.

5. Mbi të gjitha drejtori i ri duhet të jetë i vetëdijshëm se në çfarë sfide e ka futur veten – të kesh punë me artistë të teatrit është goxha sfidë serioze – si dhe duhet të jetë i vetëdijshëm për dallimet substanciale në mes të menaxhimit publik dhe atij privat. Kjo e fundit do të thotë se skepticizmin e komunitetit të artistëve duhet ta shohë si diçka legjitime, sepse drejtori i ri duhet të angazhohet që ta fitojë besimin e komunitetit dhe jo anasjelltas.

Do të doja që këtë shkrim ta mbyll me fjalinë “shpresoj që vërtet ta çlirojmë artin nga kthetrat e ndikimit të politikës”, por nuk mund ta bëj sepse jam i vetëdijshëm se do të duhet kohë për një gjë të tillë. Por po ashtu e di se jemi dëshmitarë të fillimit të këtij procesi, sepse sot flasim dhe e ngremë zërin kundër këtyre kthetrave. Dhe ky fakt më jep shpresë.

(Autori është shkrimtar. Ky shkrim është shkruar enkas për Tribuna)

Më Shumë

Shpërndarja e mundshme e Kuvendit, flet Duda Balje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje thotë se marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë në rend dite nesër, do të kenë një rëndësi të...

27-vjeçari nga Kosova përplas për vdekje këmbësorin në Rrugën e Kombit

Një shofer nga Kosova ra në prangat e policisë në Kukës pasi përplasi për vdekje një person. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur...

Lajmet e Fundit