18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Nis rrugëtimi për anëtarësim në NATO

AgimCeku5-30Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku, e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm vendimin për pranimin e Kosovës si anëtare vëzhguese në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s. Ai ka thënë se me këtë veprim Kosova ka hyrë në shtëpinë e organizatës më të fuqishme ushtarake në botë. Në një bisedë për “Epokën e re”, ai ka bërë me dije se pranimi i kërkesës së Kosovës për t’u bërë anëtare vëzhguese në Asamblenë e NATO-s nuk është vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi. “Ky është hap i parë dhe shumë i rëndësishëm për integrimin e Kosovës në këtë aleancë. Më e rëndësishmja është se me këtë hap Kosova ka hyrë në shtëpinë e NATO-s. Pra, tani definitivisht Kosova është brenda strukturave të NATO-s. Statusi i vëzhguesit është procedurë e rregullt, kurse hapi tjetër është anëtarësimi i Kosovës në Asamblenë e NATO-s”, ka thënë Çeku.

Me këtë vendim, ka deklaruar Çeku, Kosova është edhe një hap më tej drejt partneritetit për paqe me NATO-n. “Ky është një zhvillim shumë pozitiv për Kosovën, është definitivisht një hap shumë i madh drejt raporteve formale të partneritetit të NATO-s. Me këtë vendim Kosova tanimë ka hyrë në shtëpinë e NATO-s dhe është më afër partneritetit për paqe. Me krijimin e Forcave të Armatosura Kosova tanimë i plotëson kushtet e nevojshme për marrëdhënie partneriteti me NATO-n dhe më vonë edhe anëtarësim të plotë në NATO”, është shprehur Çeku, duke shtuar se tani e tutje zëri i Kosovës do të dëgjohet brenda strukturave të NATO-s. Sipas tij, nga mbledhja e ardhshme Kosova do të jetë pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. “Në mbledhjen e parë të Asamblesë Kosova do të ftohet në cilësinë e vëzhgueses dhe do të ulet në të njëjtën tavolinë me të gjitha delegacionet e tjera anëtare të NATO-s”, ka thënë ai.

Më tutje, Çeku ka shtuar se marrja e këtij statusi është përgjegjësi për Republikën e Kosovës. Sipas tij, gjatë këtij rrugëtimi do të kërkohen të plotësohen standarde dhe të ndërmerren reforma të ndryshme që do ta fuqizojnë Kosovën. “Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nuk është vetëm privilegj, por bart edhe përgjegjësi. Kështu që, Kosova tani po fillon rrugëtimin e vet drejt anëtarësimit në NATO. Ky rrugëtim parasheh kritere, standarde që duhet të plotësohen, po ashtu parasheh reforma që duhet të ndërmerren dhe natyrisht se këto veprime vetëm se e ndihmojnë zhvillimin e Kosovës”, ka deklaruar Çeku. Ai ka folur edhe për rrugëtimin e Kosovës deri në këtë pikë, duke thënë se arritja e statusit si anëtare vëzhguese në Asamblenë e NATO-së nuk ka qenë e lehtë.

“Republika e Kosovës me mund të madh po depërton dhe po anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, duke e ditur faktin se kemi vende që janë anëtare të NATO-s dhe BE-së e që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Çdo anëtarësim i Kosovës, qoftë edhe në statusin e vëzhguesit, është shumë i rëndësishëm, duke i ditur rrethanat politike nëpër të cilat po kalon Kosova. Kështu që, të gjitha këto bëhen me vështruesi”, është shprehur Çeku, derisa ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë për përkrahje.

“Në radhë të parë për këtë meritore është Kosova që po tregon mesazhe pozitive sikurse ishte krijimi i Forcave të Armatosura, por duhet ta dimë se të gjitha këto bëhen me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-së dhe miqve të tjerë që i bindin të tjerët që Kosova e meriton një status të tillë”, është shprehur Çeku.

Më Shumë

Humb jetën një person në Prizren, dyshohet se kishte kontakt me rrymë

Një person ka humbur jetën në Prizren, si pasojë e kontaktit me rrymë. Rasti ka ndodhur ditën e premte, rreth orës 19:30. “Raportohet se viktima mashkull...

Akti 4: Të dielën përballen Ylli me Trepçën

Të dielën zhvillohet përballja e katërt finale mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Mitrovicasit po udhëheqin 2:1 në serinë finale dhe nëse fitojnë do të...

Lajmet e Fundit