M. A. është dënuar me 300 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prizren, pasi ka pranuar se ka kryer veprën penale “kanosje”.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Musli Gashi, i dyshuari , i cili nuk kishte të angazhuar avokat mbrojtës, është deklaruar fajtor duke shtuar se nuk do të kryejë më një veprim të tillë.
Shpallja e aktgjykimit në fjalë u bë në seancën e së hënës, nga gjykatësi Gani Kastrati. Ky i fundit, gjatë shpalljes deklaroi se janë marrë parasysh rrethanat lehtësuese të cilat i parasheh Kodi Penal i Kosovës me rastin e pranimit të fajësisë.
Sipas aktakuzës, M. A. me 7 shkurt 2015 në Prizren, për shkak të një mosmarrëveshje që kishte me të dëmtuarën A. S. , e kanos përmes rrjetit social “Facebook”, me fjalët “nëse vetëm edhe një herë shkon në polici dije se shumë keq ka me ta bo, 24 orë të përcjelli, nëse më lajmëron në polici vetë kur të zë dije shumë keq kemi me u nda”.
Për këtë veprim, Asllani ishte ngarkuar me veprën penale “kanosje” nga neni 185 paragrafi 1, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës , vepër kjo e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj./betimiprdrejtesi/