Gjyqtari i procedurës paraprake – Departamenti për Krime të Rënda, i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurve Isaj Hoxhaj, Sejdi Hoxha, Florijan Hoxha, Velard Hoxha, Agron Hoxha, Valon Hasani, Visar Hasani, që të gjithë nga fshati Randobravë, Komuna e Prizrenit, Ekrem Rustemi, nga fshati Stanovc i Ulët, Komuna e Vushtrisë, Visar Jashari, nga fshati Studenqan, Komuna e Suharekës, Blerim Beçaj nga Prizreni MiloshPetroviq nga fshati Gracë, Komuna e Vushtrisë, ju caktohet paraburgimi, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale, kontrabandimi me migrantë nga neni 170 parag. 1 lidhur me nenin 31 të KP-së dhe veprës penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 parag.1 lidhur me nenin 31 të KP-së.
“Të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit, data 05.11.2014 në ora 06:30, dhe do të zgjasë deri me datën 05.12.2014.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake e miratoi kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit e cila kërkoi mbajtjen në paraburgim të pandehurve”, njoftoi zëdhënësja e Gjykatës në Prizren, Afërdita Kicaj.
“Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal, se nga muaji Prill deri në Tetor të vitit 2014, duke vepruar në mënyrë të organizuar me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt ose të tërthortë të dobisë pasurore merren me kontrabandimin e migrantëve , në atë mënyrë që kontaktojnë me të dëmtuar- persona të interesuar për të dalur nga Kosova në vende të ndryshme të Evropës, dhe pas kontaktit me të dëmtuarit bëjnë marrëveshje rreth takimeve, kohën e nisjes, kush do ti përcjellë të dëmtuarit në destinacionin e kërkuar duke përfshirë gjithë organizimin e transportit të tyre deri në destinacionin e dëshiruar, dhe për këto shërbime paguajnë shumën nga 1800 euro deri në 3500 euro për një person”, tha Kicaj. /PrizrenPress.com/