Fillimi i këtij gjysmëvjetori të dytë për nxënësit e Prizrenit ka nisur pa telashe të mëdha. Megjithatë, prindërit ankohen se, përveç ngricave e acarit, kanë edhe drojën nga qentë endacakë, të cilët janë në numër më të shtuar gjatë këtyre ditëve të ftohta të dimrit. Ekspertët e fushës shprehen se qentë endacakë janë më agresivë në këtë periudhë të vitit. Sipas tyre, në këtë kohë ata ngarendin në kërkim të ushqimit, derisa në pranverë është njësoj rrezik nga ta, për shkak të shumimit të tyre. Edhe drejtuesit e shkollave në Prizren shprehin shqetësimin e tyre se nxënësit mund të rrezikohen nga qentë endacakë. Këtë brengë e ka edhe Jehona Krasniqi, drejtoreshë në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Lekë Dukagjini” në Prizren.
“Pasi jemi shkollë pak në periferi të qytetit dhe duke i pasur parasysh kushtet atmosferike po vërehet në orët e mëngjesit një lëvizje e shtuar e qenve endacakë, e po ashtu edhe në orët e pasdites. Nga kjo mund të konsiderohet që mund të ketë edhe rrezik për fëmijët nga qentë endacakë, sidomos të atyre në moshë më të vogël dhe që janë të pashoqëruar nga prindërit apo shoqëria”, shprehet Krasniqi. Ajo shprehet se në muajt e kaluar nuk ka pasur ndonjë rast kafshimi të ndonjë nxënësi, megjithatë u bën apel prindërve për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë këtyre ditëve. Ndërsa drejtoresha e shkollës fillore në Piranë, Lirie Bajrami, shprehet se rreziku nga qentë endacakë është evident.
“Gjatë bisedës me nxënës po thonë që sot, në mëngjes, vetëm në disa pjesë periferike kanë parë qenë, kurse natën thonë se sillen dhjetëra qenë rrugëve. Prandaj, ende ekziston rreziku permanent nga qentë endacakë”, shprehet Bajrami, shkruan gazeta Kosova Sot.
Për shkak të mungesës së ujit, paralajmërojnë ndërprerjen e mësimit
Në këto ditë me acar, problem tjetër është edhe ai me ujin e rrjedhshëm në objektet shkollore. Hazër Shala, drejtor i SHFMU “Dëshmorët e Qëndresës”, në Randobravë, pohon se shkolla nuk ka ujë për momentin.”Jo, nga qentë endacakë nuk ka rrezik, sepse në këtë fshat nuk ka të tillë, por ne si shkollë s’kemi për momentin ujë. Fshati dhe shkolla jonë furnizohen nga Kompania “Radoniqi” dhe kjo kompani tani ka disa probleme më furnizim të ujit. Ky problem është që një javë ditë”, shprehet Shala. Ai shprehet se mungesa e ujit po pengon procesin normal mësimor dhe paralajmëron ndërprerje të mësimit nëse vazhdon kjo situatë.”Nëse kështu mbesim pa ujë, mësimi nuk mund të vazhdojë, për shkak të higjienës dhe ngrohjes qendrore”, tregon Shala për “Kosova Sot”.
Hilmi Rexhaj, nga shkolla “Aziz Tola’, shpjegon se ka pasur ankesa të përhershme prej prindërve, pikërisht nga rreziku i qenve endacakë, e sidomos në stinën e dimrit dhe të pranverës.”Unë të gjitha këto shqetësime të prindërve i kam paraqitur në komunë, pikërisht te Drejtoria e Bujqësisë. I kam paraqitur problemet dhe besoj se do të tejkalohet ky problem. Për shkollën tonë ky është problemi kryesor, pasi qentë endacakë janë të shumtë dhe po i rrezikojnë fëmijët. Prindërit domosdo në dimër e pranverë detyrohen të jenë shoqërues të fëmijëve, përndryshe rrezikojnë jetën e tyre nga qentë endacakë që në këtë lagje për fat të keq janë të shumtë”, ka thënë Rexhaj.
Ndahen 35 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë
Duke parë këtë si një lloj emergjence, të martën (më 17 janar), kryetari i komunës, Ramadan Muja, e ka futur në rend dite në takim me drejtorët e ekzekutivit pikërisht mundësinë e shpejtë të tenderimit trajtimin e qenve endacakë. Me propozim nga Drejtoria e Bujqësisë, tenderimi i këtij projekti pritet të bëhet në mënyrë urgjente. Lidhur me këtë problem, drejtori Pal Geci shpjegon se tani po e hapin tenderin prej 35 mijë eurosh, që do të ketë synim t’i trajtojë rreth 1300 qenë endacakë.
“Unë e di se numri i qenve endacakë është edhe shumë më i madh dhe kjo shifër do të zbusë sadopak këtë problematikë që tashmë është bërë edhe shqetësim i komunës dhe vetë qytetarëve të Prizrenit. Duke ditur faktin se janë të thuash dy stinë kur ata janë më agresivë, tani dimrit dhe në kohën e shumimit në pranverë, ne po mundohemi që mos të vonohemi me procedura dhe të fillojë trajtimin e qenve endacakë”, ka thënë Geci. Ai shprehet se numri i qenve pa përkujdesje shtohet dita ditës, pasi nga fshati i sjellin dhe i lëshojnë rrugëve periferike të qytetit.”Në Prizren, për fat të mirë, nuk ka pasur viktima, por ne po mundohemi që mos të lejojmë që qentë endacakë të rrezikojnë jetën e ndonjë fëmije apo tjetërkujt”, ka thënë Geci.
(Kosova Sot)