-1.7 C
Prizren
E hënë, 13 Janar, 2025

Prizren:Gjykimi ndaj Asdren Mekajt, pala e dëmtuar thotë se i akuzuari e detyroi të bëj një video ku e pranonte se i kishte borxh atij

Me dëshminë e Pal Grudës, ka vazhduar edhe të enjten gjykimi ku Asdren Mekaj po akuzohet për veprën penale të detyrimit.

Në dëshminë e tij, Gruda tha se i akuzuari e kishte detyruar që nga telefoni i tij të bëj një video ku e pranonte se i kishte borxh Mekajt dhe se ato para duhet t’i kthej.

Po ashtu, Gruda tha se e kishin detyruar që në Tiranë të nënshkruaj edhe një akt noterial për të cilin, familja e tij e kishte kuptuar në vitin 2013, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga nënshkrimi i këtij akti noterial e deri në denoncimin e rastit në Polici në vitin 2014, Gruda tha se tek familja e tij kishin shkuar klerikë, komandantë të UCK-së, gjykatës e avokatë, si dhe vet i akuzuari që tha se ka qëndruar me vetura me xhama të kamuflkuar, për siç tha Gruda, t’i bëhej presion që ai t’i paguaj parat.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Mekajt, avokatit Besnik Berisha, Gruda tha se i kujtohet se si në Tiranë kishin tentuar ta fusin në bagazh, por për shkak se siç tha, është korpulent, nuk kishin arritur ta zënë.

Dëshminë e tij, Gruda e vazhdoi duke thënë se nga ai ishin kërkuar 20 mijë euro, dhe kishin qenë i akuzuari me një person i quajtur Toti si dhe i shoqëruar me persona të tjerë të armatosur që kishin tentuar ta fusin në bagazh, por pastaj kishte ndërhyrë i akuzuari që i kishte dhënë një ditë kohë për sigurimin e të hollave.

Kurse, 40 mijë euro tha se i janë kërkuar nga të lartcekurit në Shatërvan, Prizren, por këto dy situata tha se janë të ndryshme dhe nuk kanë lidhje me njëra tjetrën.

Për rastin e parë, Gruda tha se ishte detyruar që parat të vijë t’i gjej në Prizren, përkatësisht tha se i kishte siguruar 20 mijë euro nga Benson Buza.

Ndërsa për rastin tjetër, ai tha se është marr nga njerëz të armatosur dhe është sjellë në Prizren ku i është kërkuar shuma prej 40 mijë euro.

Ai tha se shuma prej 20 mijë euro i ishte kërkuar gjoja për pagesa të veturave, ndërsa për shumën 40 mijë euro, Gruda tha se ishte gjoja se i akuzuari i kishte realizuar shitje në vlerë prej 70 mijë euro dhe pjesa e 40 mijë eurove ishte për borxh.

Shumën prej 20 mijë euro, Gruda tha se ia ka paguar Mekajt, me parat që i kishte marrë nga Benson Buza, kurse shumën prej 40 mijë euro tha se nuk e ka paguar.

Tutje, Gruda tha se ai dhe familja e tij kishin qenë vazhdimisht në përndjekje nga persona të armatosur, kurse shtoi se nuk e din arsyen pse i akuzuari dhe një person me emrin Kastriot Kukaj nuk e kishin detyruar që ta dërgojnë tek familja e tij për të kërkuar borxhin.

Kur nga avokati Berisha u pyet se situata të dhunës që i përmendi sikurse ajo në sheshin “Nëna Terezë” në Tiranë, a kishte ndodhur vetëm një herë apo më shumë, Gruda u përgjigj duke thënë se situata të tilla kanë ndodhur të paktën dy herë.

Ai tha se para denoncimit në polici dhe prokurori, në familjen e tij i kanë ardhur të njohshëm për familjen e tij për të kërkuar borxhin ndaj Mekajt.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës së gjykatës, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha e ndërpreu seancën, ndërsa e njëjta do të vazhdon edhe të premten.

Ndryshe, këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Besnik Berisha, gjykatësi Osmani ishte përjashtuar, kurse me vendim të gjykatës lënda i është caktuar gjykatëses Teuta Krusha.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, kundër të pandehurit Asdren Mekaj, për shkak të kryerjes së veprës penale “detyrimi” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “shantazhi” nga neni 268, paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, (KPPK) të kryera në vazhdim, lidhur me nenin 71 të KPPK.

Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i jep të holla të gatshme dhe t’i blej vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, me të cilat veprime pretendohet se i pandehuri Mekaj ka kryer këto vepra penale.

Megjithatë, për veprën penale “shantazhi” Gjykata Themelore në Prizren, më 31 gusht 2018, kishte marr aktvendim me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit