10.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Prizreni gjatë muajit të Ramazanit frymon ndryshe

Ajo që e dallon Prizrenin gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit është fakti se tani për një muaj ka më shumë jetë nate. Ajo që këtë muaj e dallon është edhe fakti se në Prizren në këtë muaj pasurohen edhe shumë sofra dhe begatohen me ushqime. Megjithatë, papunësia e madhe dhe varfëria ekstreme që ka kapluar shumë familje bën që në shumë shtëpi të mos ketë ushqime të mjaftueshme as gjatë këtyre ditëve të këtij muaji të shenjtë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Prizreni vërshohet edhe nga turistët

Në Prizren tash e sa kohë është krijuar tradita që pas iftarit qytetarët dalin në qytet deri në orën 3:00 të mëngjesit. Pos të rinjve, shumica dalin edhe me familje për të shijuar freskun e natës buzë lumit të qytetit, pas një dite të gjatë dhe të lodhshme me agjërim. Për besimtarët më të devotshëm, xhamitë e shumta lënë dyert e hapura po ashtu deri në orët e vona, ku ata i falen Zotit dhe i drejtojnë lutje. Kjo traditë ka bërë që gjatë këtij muaji Prizreni të josh edhe shumë vizitorë e turistë nga qytetet e tjera përreth, apo edhe më larg, dhe ndodh që numri i turistëve të jetë më i madh se vetë prizrenasve që dalin për shëtitje. Kështu, ndodh që në mbrëmje vështirë është madje të arrish të sigurosh një vend për t’u ulur në kafenetë e mbushura përplot.

Shumë tiranas joshen nga bukuria e Prizrenit

Ne takuam edhe Afërdita Bruzin nga Tirana, e cila me këtë rast na tregoi se vjen gati në secilin vikend në Prizren për shkak të bukurisë që ka ky qytet.”Jam këtu shpesh, sepse Prizreni është mrekullia e gjitha qyteteve të shqiptarëve dhe të Ballkanit. Personalisht vij këtu sepse relaksohem dhe ndihem mirë”, na thotë Afërdita Bruzi, e cila shprehet se i pëlqen edhe jeta e natës në qytet. Po kështu me admirim të veçantë shprehet edhe Zamira Take, po kështu nga Tirana. “Prizreni është i bukur, i lirë për të jetuar dhe ka tipare të një qyteti të traditës së vjetër shqiptare. Është vendi ku më me dëshirë vij. Këtu jam shpesh, sepse besoni se kudo në botë të shkoja s’do të mund të jetoja pa këto burime të “Shatërvanit”, pa kalldrëmin e bukur të këtij qyteti. Më pëlqejnë edhe njerëzit dhe kultura e tyre”, tha ajo. Kurse kamerieri Meriton Gashi pohon se ditët e vikendit ka shumë mysafirë në Prizren. Edhe lokal ku ai punon gumëzhin nga mysafirët e shumtë. “Kemi shumë klientë, sidomos gjatë ditëve të vikendit, por edhe në mbrëmje kur vijnë grupe të ndryshme për iftar”, na thotë Gashi.

Një vakt i ngrohtë për skamnorët

Por, edhe në muajin e shenjtë të Ramazanit familje të shumta po përballen me varfëri ekstreme. Një prej tyre është edhe ajo e Muhamet Hoxhajt. Kjo familje jeton në rrugën “Edit Durham” nr. 38, në një shtëpi të vjetër ku me vetëm 70 metra katrorë jetojnë gjashtë anë- tarë të familjes Hoxhaj. Muhameti pohon se është i papunë dhe jeton vetëm me ndihma sociale, pasi merr vetëm 75 euro në muaj. Ai edhe pse është vetë keq me shëndet, shprehet se shëndeti i djalit Endritit ia ka dërmuar tërësisht shpirtin atij dhe nënës së Endritit. Ndërkaq gjendja fare më të mirë nuk kanë as familjet që jetojnë në Qendrën kolektive si ajo Lubovci, Krasniqi e të tjera. Për skamnorët, por edhe për besimtarët e tjerë, në Prizren tash e sa vite organizohen iftare të përbashkëta, që organizohen nga shoqata të ndryshme humanitare. Këto darka pos që ofrojnë nga një vakt për skamnorët, janë edhe një përkujtues për gjendjen e rëndë në të cilën përballen shumë familje prizrenase që edhe në këtë shekull të ri përballen me mungesën e bukës së gojës.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Kryeministri Kurti për Asociacionin: Është larg asaj që ka kërkuar Beogradi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe me ç’rast ka thënë se gjithçka duhet të jetë në...

Gabimi i Noes

Enver Sulaj Sot bie shi mbi çatinë time Dhe mbi qepallat tua të egërsuara nga mërzia e stinës. Diejt e përflakur janë zbehur sot Vranësira ka hijezuar të papriturën...

Lajmet e Fundit