19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Prizreni iu bënë konak vizitorëve të “Doku Fest”-it

Prizreni 18788Në edicionin e trembëdhjetë të festivalit “Doku Fest”, ka vazhduar bashkëpunimi i festivalit me qytetarët e Prizrenit, të cilët i lëshojnë me qira shtëpitë e tyre. Këtë vit kanë qenë 30 familje që u kanë bërë konak mysafirëve dhe vizitorëve të “Doku Fest”-it. “Hospitality” është vendi ku mund të adresohen të gjithë vizitorët e “Doku Fest”-it. Bekim Gota, qytetar i Prizrenit, thotë se ka qenë ideja e gruas së tij për t’i lëshuar dy kate të shtëpisë me qira për vizitorët e “Doku Fest”-it.

Tani i kemi shtatë vizitorë në shtëpi dhe jam shumë i kënaqur me ta”, ka treguar Bekim Gota, i cili shprehet se bashkëpunimin me festivalin do ta vazhdojnë edhe në të ardhmen. “Kemi pasur disa të huaj, aq shumë që ishin të kënaqur sa më kishin lënë një letër falënderuese”, ka treguar Bekim Gota.

Gjergj Pasuli, i cili lëshon tri dhoma me qira, thotë se do të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me “Doku Fest”-in. “Kam shkuar tek zyrat e “Doku Fest”-it ku jam paraqitur se mund të pres vizitorë në shtëpinë time dhe jam shumë i kënaqur deri më tani. Vizitorët që kanë ardhur deri më tani në shtëpinë time, kanë qenë shumë të mirë”, është shprehur Gjergj Pasuli, në shtëpinë e të cilit janë të vendosur shtatë mysafirë.

Vizitorëve të “Doku Fest”-it u ka bërë konak edhe familja Bytyqi. Diellza Bytyqi thotë se i lëshojnë pesë dhoma për vizitorët e “Doku Fest”-it. “Jemi shumë të kënaqur, janë shumë të sjellshëm”, tregon ajo.

Bekim Tuli thotë se pasi kishin parë shumë të interesuar për festivalin “Doku Fest” kishin vendosur shtëpinë ta lëshojnë me qira për mysafirë. “I kemi gjashtë dhoma me qira. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me vizitorët”, tregon Bekim Tuli, në shtëpinë e të cilit kanë qenë të vendosur të huaj dhe vendorë.

Edhe vëllai i tij, Ramiz Tuli, lëshon dhomat me qira për “Doku Fest”-in. Ai thotë se bashkëpunimi ka lindur para tre vjetëve. “Vizitorët janë kryesisht të mirë, kryesisht vendorë, por edhe të huaj dhe nga Shqipëria”, tregon ai, derisa thotë se bashkëpunimi do të vazhdojë, aq sa do të zgjasë “Doku Fest”-i, ngase siç thotë ai interesi është i përbashkët.

Shpresim Nushi është i papunë. Ai katër vjet më parë ka nisur bashkëpunimin me “Doku Fest”-in. “Sivjet kam shkuar dhe u kam thënë që të më sjellin vizitorë në shtëpi, për shkak të kushteve, standardit të jetës që e kam”, ka thënë Nushi. Siç thotë ai, me këto të ardhura i mbulon një pjesë të shpenzimeve që i kanë. Ai lëshon tri dhoma për vizitorët. “Mundohemi që vizitorët që janë nga jashtë t’u lëmë përshtypje të mirë”, shprehet Shpresim Nushi.

Thëllënza Qereti, nga stafi i “Doku Fest”-it, tregon për “Zërin” se bashkëpunimi me qytetarët e Prizrenit për t’i lëshuar shtëpitë me qira ka lindur vite më parë, përmes një projekti. Pronarët e shtëpive paraqiten para se të fillojë festivali. “Ne i shikojmë të gjitha shtëpitë, kushtet që i kanë edhe pastaj vendoset se cilat shtëpi do t’i marrim dhe në bazë të dhomave i vendosim mysafirët”, ka thënë Qereti. Ajo ka treguar se pagesa bëhet përmes tyre, si staf, ose direkt përmes mysafirit që ka qëndruar aty. “Pagesa është 10 euro për person”, shton ajo, teksa thotë se numri i shtëpive për këtë vit ka qenë 30, sipas saj, të gjitha me kushte të mira.

“Tani për tani të gjitha shtëpitë janë të mbushura me mysafirë që janë të ftuar nga “Doku Fest”-i dhe ata që kanë ardhur për qejf në festival”, ka thënë Thëllënza Qereti. Vizitorët nëpër shtëpi private shoqërohen prej vullnetarëve.

Më Shumë

Suharekë, humb aksidentalisht jetën një fëmijë

Më 31 gusht 2024, në Suharekë, rreth orës 19:45, një fëmijë e gjinisë femërore, ka humbur jetën aksidentalisht. Viktima u dërgua menjëherë në emergjencë, por...

115 vite nga Kongresi i Elbasanit, ngjarja që shënoi kthesë në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare

Në 2 shtator 1909 nisi Kongresi Kombëtar i Elbasanit, një mbledhje mbarëshqiptare, që mori vendime të rëndësishme për përhapjen e shkollave shqipe dhe të...

Lajmet e Fundit