Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin penal, ndaj të akuzuarve Jetmir, Labinot dhe Arjanit Gashi, të cilët akuzohen për grabitjen e farmacisë “Aspirin C” në Prizren.
Prokurori i rastit, Metush Biraj, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se me administrimin e provave materiale dhe dëgjimin e dëshmisë nga e dëmtuara në këtë rast, me padyshim është vërtetuar pretendimi i prokurorisë se të akuzuarit janë kryerës të veprës penale të grabitjes.
Prokurori, Biraj, ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen proporcionalisht me peshën e veprës penale, rrethanat në të cilat është kryer dhe të merret parasysh fakti se ata janë të dënuar për raste tjera të grabitjes dhe janë në vuajtje të dënimit.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Jetmir Gashi, avokati Fatmir Jëlliqi, ka deklaruar se nga provat e administruara e sidomos nga video-incizimi i bërë nga kamerat e sigurisë të vendit të ngjarjes, nuk mund të dëshmohet se klienti i tij ka kryer veprën penale të grabitjes.
Avokati Esat Gutaj, i cili mbron të akuzuarin Labinot Gashi, ka thënë se megjithëse i mbrojturi i tij, në polici dhe prokurori ka pranuar kryerjen e veprës penale, ai në shqyrtim gjyqësor nuk e ka pranuar fajësinë, andaj ka kërkuar që të lirohet nga akuza në mungesë të provave.
Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Arjanit Gashi, avokati Hajrip Krasniqi, ka kërkuar që klienti i tij të shpallet i pafajshëm, sepse sipas tij, përmes provave nuk është mundur të vërtetohet se ai ka qenë pjesëmarrës në grabitjen për të cilën akuzohet. Mirëpo, ai ka thënë se nëse trupi gjykues, ia falë besimin deklaratës së tij të dhënë në prokurori ku e ka pranuar fajësinë, me rastin e caktimit të dënimit, të ketë parasysh rolin e tij, sipas fjalëve të tij, në atë deklaratë.
Të akuzuarit kanë deklaruar se nuk e kanë kryer grabitjen për të cilën akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prizren, duke shtuar se sikur ta kishin kryer këtë grabitje, ata do ta pranonin fajësinë sikur që e kanë pranuar për rastet tjera, për të cilat edhe gjenden ne burg.
Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 9 tetor 2017, në ora 14:30.
Ndryshe, të pandehurit, akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prizren se më 16 shkurt 2017, rreth orës 23, kanë hyrë me shpejtësi në barnatoren “Aspirin C” në Prizren dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit, kanë marrë nga arka rreth 750 euro dhe një telefon “Iphone 4S”.
Sipas aktakuzës, Labinot Gashi ka pasur në dorë një pistoletë, të cilën edhe ia ka drejtuar të dëmtuarës, ndërsa Arjanit Gashi ka pasur një sëpatë të vogël dhe ka qëndruar te dera e farmacisë, derisa i akuzuari Jetmir Gashi i ka marrë paratë nga arka.
Ata, sipas organit të akuzës, nga Peja në Prizren kanë ardhur me automjet të tipit “Fiat-Punto” të marrë me qira dhe pas grabitjes janë larguar me shpejtësi, në drejtim të panjohur.
Të njëjtit janë duke vuajtur dënimin edhe për disa raste tjera të grabitjeve, të kryera në regjionin e Prishtinës dhe Pejës./betimiperdrejtesi/