Jo rrallëherë ndodh që drejtësia e inkriminuar të sajojë edhe raste të paqena për të persekutuar kësisoj njerëzit e pafajshëm, vetëm e vetëm për të justifikuar mosefikasitetin e tyre në luftimin e dukurive negative. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe specialistët e kësaj fushe të cilët thonë se kjo është e sigurt që ka raste të tilla kur ato sajohen. Ndaj është shtuar edhe çështja se si dhe përse po sajohen rastet e ndryshme të paqena për të persekutuar rrjedhimisht njerëzit e pafajshëm në Kosovë nga drejtësia e porositur dhe e inkriminuar kosovare? Analisti Florim Zeqa, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se jo rrallëherë ndodh që drejtësia e inkriminuar të sajojë raste të paqena për të persekutuar kësisoj njerëzit e pafajshëm, vetëm e vetëm për të justifikuar mosefikasitetin e tyre në luftimin e dukurive negative.
Së këndejmi, Zeqa thotë se drejtësia me porosi të politikës, në mungesë të rezultateve në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit endemik, me (pa) dashjen e tyre i sajojnë rastet e paqena duke përdorur dëshmitarë të rrejshëm për persekutimin e njerëzve krejtësisht të pafajshëm dhe degradimin e vlerave të rivalëve politikë, derisa, sipas tij, gjithë këtë lojë të pasinqertë, drejtësia e inkriminuar e bën me porosi të bosëve politikë, për hesape politike dhe hakmarrje ndaj rivalëve politikë.
” Mirëpo, ndodh në disa raste të tjera, kur sajimi i rasteve bëhet sa për të “arsyetuar” të ardhurat e majme mujore, kinse po “bëjnë” diçka, duke mos llogaritur asnjëherë pasojat që shkaktojnë në shoqëri dhe dëmin financiar që i shkaktojnë shtetit në gjykimin e rasteve të sajuara. Deri në këtë nivel ka rënë drejtësia kosovare, reformimi i së cilës është bërë imperativ kohor për largimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të inkriminuar dhe të korruptuar nga sistemi i drejtësisë kosovare”, u shpreh ai.
Qeveria dirigjon prokurorinë
Profesori universitar, Muhamet Kelmendi thotë se çdo shtet, që i ka mekanizmat e luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit, sikurse tek ne, është policia, prokuroria dhe gjykatat, por në qoftë se, sipas tij, në këtë aspekt politika është zotëruese dhe i ka nën kontroll mekanizmat e tillë, atëherë kur të vihen nën kritikë të rreptë institucionet më të larta të shtetit, si kryetari, Kuvendi, Qeveria, etj., për rrjedhojë është e kuptueshme se këta të fundit do të përpiqen të gjejnë raste inekzistente, ku qëllimi i tyre është kryesisht për të bindur dikë e në këtë rast, siç tha, faktorin ndërkombëtar, se është duke u punuar diçka në luftën ndaj krimit e korrupsionit. Sipas tij, ky fakt është parë edhe ditëve të fundit në Kosovë, pasi, siç tha, jemi dëshmitarë që nga Raporti i sivjetmë i Progresit për Kosovën, por edhe duke filluar nga viti 2008 e tutje, kur rrjedhimisht gjykatat dhe prokuroritë janë akuzuar për moskryerjen e detyrave të tyre në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Është e kuptueshme se Qeveria ka dhënë urdhër për mendimin tim që prokuroria edhe më tutje të zhvillojë veprimtari të tilla në drejtim të rasteve inekzistente për të bindur faktorin ndërkombëtar se është duke u luftuar krimi dhe korrupsioni dhe duke pasur për qëllim në të njëjtën kohë që fajtorët kryesorë dhe ata të cilët janë organizatorë të krimit e korrupsionit, pra ata të cilët e mbajnë përgjegjësinë e tillë të mos prekën dhe të mos kapen”, ka vijuar Kelmendi