18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Pse Modiano e jo Kadareja

modiano kadareShkrimtari francez Patrick Modiano, u shpërblye me çmimin Nobel, me arsyetimin se ai është një artist i evokimit të kujtesës nga njëra nga periudhat më të vështira të Evropës, Luftës së Dytë Botërore. Por a mund t’i atribuohet një cilësi e tillë edhe shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare. Shkrimtari Ndue Ukaj thotë se autorët e mëdhenj shquhen për evokim të kujtesës, e ndër ta është edhe Kadareja i njohur botërisht. Publicisti Halil Matoshi e krahason “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Kadaresë, me veprën “Missing Man” të Modianos.

Dita e enjte ishte ditë e zakonshme për shkrimtarin francez Patrick Modiano. Në paradite, si zakonisht me siguri, ai do të dal në parkun e qytetit për t’u shëtitur e çliruar paksa duke ecur. Ai njihet si shkrimtar që evokon kujtesën nga e kaluara, veçanërisht nga Lufta e Dytë Botërore dhe okupimi nazist. Por të enjten, Modiano si duket e ka anashkaluar artin e tij të kujtesës. Me gjasë, ai ka harruar që po atë ditë mund t’i bie zilja e telefonit nga një institucion mjaft i rëndësishëm. Mbase ajo ditë edhe nuk ia ka tërhequr vëmendjen aq shumë. Të paktën, kështu kuptohet nga një deklaratë e tij. Derisa po ecte në qytet, Modiano pranon një thirrje nga e bija e tij. Ajo ia kumton lajmin se është shpallur fitues i çmimit Nobel për letërsi për vitin 2014.

“Isha pak i befasuar, prandaj vazhdova të ec”, ka cituar Modianon, botuesi i tij Antonie Gallimard, transmeton ‘nytimes.com’. “Nuk e kam pritur këtë”, ka shtuar shkrimtari, megjithëse ka qenë kurioz pse juria ka vendosur t’ia ndaj çmimin.
“Gjithmonë jam ndier sikurse po shkruaj çdo herë librin e njëjtë për 45 vite”, është shprehur Modiano, teksa sipas Gallimard, ai e ka konfirmuar udhëtimin e tij në Suedi për ta pranuar çmimin. Nobeli iu nda Modianos me arsyetimin se ai është një artist i kujtesës, i evokimit të saj në një nga kohërat më të vështira që e ka përshkuar Evropën, Luftën e Dytë Botërore. Kjo cilësi, sigurisht e pamohueshme për shkrimtarin francez, mund t’i atribuohet edhe shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare.

Poeti Ndue Ukaj, mendon se gjithë autorët e mirë janë ata që evokojnë kujtesën dhe luftojnë harresën, sepse shkrimtarët shkruajnë pikërisht kundër harresës dhe për të kultivuar kujtesën, duke krijuar realitete estetike, për ngjarje e ndodhi joestetike.
“Motivimi i Akademisë suedeze, ishte shumë përgjithësues dhe nuk specifikonte shumë për artin e Patrick Modianos. Sidoqoftë, e kam thënë dhe e përsëris: ata që fitojnë çmimin Nobel, janë autorë të mirë, dhe këtë fakt e ka dëshmuar përvoja e gjertanishme e këtij çmimi”, konsideron Ukaj. Sipas tij, Ismail Kadare, është një nga autorët ma të mirë planetar dhe e ka evokuar mrekullueshëm Luftën e Dytë Botërore.
“Do të mjaftonte në këtë kontekst, të përmendej vetëm romani ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Unë pajtohem me mendimin se: ‘Ismail Kadare është luani i letërsisë shqipe, me një reputacion ndërkombëtar’, siç shkruan Rita Tornborg, shkrimtare dhe kritike suedeze, ne një recension për romanin ‘Lulet e ftohta te marsit’”, vlerëson Ukaj. Në këtë kontekst, ai shton se Kadare është një nga shkrimtaret ma të mirë planetar dhe në këtë pikëpamje, ka një mendim të pranuar në qarqe të rëndësishme letrare në botë dhe në Suedi. Ukaj thotë se Kadare lexohet me ëndje, studiohet dhe admirohet në gjithë planetin dhe për shume njohës të letërsisë, ai veç është në një rrufësh më të lartë se nobelistë të shumtë. Prandaj sipas tij, Kadare pa Nobel, nuk është më pak i rëndësishëm dhe nuk ia ul vlerën prej shkrimtari. Përkundrazi, nëse ai do të laurohej me këtë çmim, vlera do t’i shtohej Akademisë Suedez.

“Duhet kujtuar se ka shumë shkrimtarë të mëdhenj, që nuk e kanë marrë çmimin Nobel, e njeri nga ma të ndritshmit e të gjitha kohërave, është Jorge Luis Borges. Po ashtu, këtë çmim prestigjioz s’e ka marrë as Ernesot Sabato, e shumë të tjerë. Mirëpo, pa Borgesin, ashtu sikurse pa Sabaton, letërsia e përbotshme, do te ishte shumë ma e varfër. Të njëjtën gjë e themi edhe për veprën e madhe të Kadaresë, pa të cilën, letërsia e përbotshme, do të ishte shumë më e varfër. Kadare është korifeu i kulturës moderne shqiptare dhe botërore. Prandaj, laurimi i tij me këtë çmim, do ta nderonte edhe Akademinë Suedeze”, u shpreh Ukaj.
Publicisti Halil Matoshi, mendon se nuk ka vend për zemërim pse Kadare nuk po shpërblehet me Nobel. Ai vlerëson se letërsia kadareiane është tashmë “Welt-literature” dhe e krahasueshme me veprat e Modianos.

“E ne, pse te zemërohemi? Kemi një shkrimtar të zotin që i ka dhënë shumë letërsisë botërore, porse dilemat e tij, të vërtetat e tij shtrihen thellë në histori, kryesisht gjatë Perandorisë osmane dhe ‘Gjenerali…’ që ka të bëjë me kohën e fashizmit është kryevepra e tij – e krahasueshme me ‘Missing man’ të Modianos”, deklaron Matoshi. Megjithatë, sipas shkrimtarit Matoshi, Kadare ka probleme serioze me nacionalizmin deri në përmasa raciste në një pjesë të veprës së tij letrare e publicistike.

“Ai poashtu ka probleme etike më një pjesë të jetës së tij si funksionar nën komunizmin enverian, që ka ditë ta madhërojë ndonjëherë. Duket se këto po i kushtojnë shtrenjtë. Porse, shkrimtari i madh s’do të thotë se duhet të marr domosdo Nobel-in. Shkrimtari i madh mundet edhe pa të, si Joyce e Kafka ose Borges”, thotë Matoshi. Në librin e tij “Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe”, Matoshi trajton temën e fatkeqësisë së popullit shqiptar në kohën e pushtimit serb. Megjithatë, ai konsideron se letërsia shqiptare ka bërë pak sa i përket dramës kolektive nëpër të cilën ka kaluar.
“Sa i përket temës së dramës individuale e kolektive nën pushtimin serb, frikës nga zhbërja dhe ‘njeriut të humbur’ ende asnjë shkrimtar shqiptar nuk ka bë depërtime serioze letrare. Pra as Kadare. Por pa modesti, ju sugjeroj leximin e veprës sime”, përfundoi Matoshi./tribuna/

Më Shumë

Fitojnë Ballkani e Llapi po jo edhe Drita

Ballkani dhe Llapi kanë arritur të fitojnë në Javën e tridhjetë e katërt të Superligës, por jo edhe Drita. Ballkani ka mposhtur bindshëm Fushë Kosovën,...

Kuvendi i Kosovës miraton disa marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumicën e marrëveshjeve ndërkombëtare, ratifikimi i të cilave kishte mbetur pezull që një kohë për shkak të mungesës së...

Koha dritëplotë

Lajmet e Fundit