16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Pse Rusia e do ‘konfliktin e ngrirë’ në Ballkan?

Autor: Ardian Kastrati

Rusisë i konvenon që të ketë sa me shumë konflikte të ngrira dhe kaos politik në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që ajo të gjenerojë ndonjë levë në kalkulimet e saja për përfitime tjera gjeopolitike nëpër gjeografi të tjera gjithandej botës. Për t’i realizuar këto objektiva, Moska, ka strategji dhe plan për Ballkanin Perëndimor. Kremlini orientohet kryesisht në tri strategji: përçaj dhe sundo, shfrytëzimi i elitave politike e të religjionit, të afiliuara me Rusinë, dhe përfitimi nga pritjet jorealiste politike e ekonomike të qytetarëve në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Synimet e Rusisë për të pasur qasje në “ujërat e ngrohta” përmes Ballkanit i bllokoi Perëndimi nën udhëheqjen e SHBA-ve me intervenimet e tyre përmes Marrëveshjes së Dejtonit, bombardimit të Serbisë, çlirimit të Kosovës, pavarësimit të Malit të Zi, pavarësimit të Kosovës, futjes së Shqipërisë në NATO, futjes së Malit të Zi në NATO dhe arritjes së marrëveshjes Greqi- Maqedoni, që rezultoi me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Rrjedhimisht, Rusia tani e ka të pamundur rikthimin e saj në “ujërat e ngrohta”. Por, cili është qëllimi i Rusisë në Ballkan dhe si synon ta arrijë këtë qëllim? Rusia ka filluar rikthimin më të hovshëm në Ballkan diku mes viteve 2010 deri 2014 për shkak se SHBA-të kishin më pak vëmendje për Ballkanin Perëndimor. Pas krizës në Ukrainë në vitin 2014, Rusia në një mënyrë ka fillluar një lloj “lufte të ftoftë” me SHBA-të për Ballkanin Perëndimor. Ashtu siç u tha më lart, meqenëse Rusia e ka të pamundur rithimin në “ujërat e ngrohta”, qëllimi i kësaj “lufte të ftoftë” në Ballkan është të stopojë integrimin e shteteve të Ballkanit në NATO dhe BE si dhe të provojë të mbetet një nga dy fuqitë mbizotëruese në rajon ( përkrah NATO-s).

Rusisë i konvenon që të ketë sa më shumë konflikte të ngrira dhe kaos politik në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që, ajo të gjenerojë ndonjë levë në kalkulimet e saja për përfitime tjera gjeopolitike nëpër gjeografi të tjera në botë. Për t’i realizuar këto objektiva, Moska ka strategji dhe plan për Ballkanin Perëndimor. Kremlini orientohet kryesisht në tri strategji: përçaj dhe sundo, shfrytëzimi i elitave politike e të religjionit të afiliuara me Rusinë dhe përfitimi nga pritjet jorealiste politike e ekonomike gjithandej Ballkanit Perëndimor. Strategjia e parë gjen implementim lehtësisht për shkak të rivaliteteve historike, përçarjeve politike, etnike, kulturore dhe ekonomike, që janë të pranishme në të gjithë Ballkanin, me theks të veçantë tek ndarjet në Bosnjë e deri tek marrëdhëniet e tensionuara midis Serbisë dhe Kosovës.

Sa u përket elitave, Rusia ka mbështetur klikat e korruptuara politike si VMRO DPMNE në Maqedoni, Dodikun në Republikën Srpska dhe kreret e Kishës Ortodokse Serbe, sepse të gjithë këta së bashku luftojnë prezencën perëndimore në rajon. Ndërsa, kur bëhet fjalë për të shfrytëzuar pritjet jorealiste gjithandej rajonit, Kremlini beson se në vitet e ardhshme do të ketë mundësi të mëdha për masovizimin e partive populiste për shkak të dëshpërimit të masave me elitat e korruptuara politike dhe dëshpërimit me ngecjen e proceseve të integrimit në BE. Si pasojë, çdo lloj kaosi politik lokal i vetkrijuar ( madje pa investimin rus) mund të keqpërdoret nga Kremlini për realizimin e objektivave të tyre, respektivisht për ndonjë përfitim gjeopolitik. Tani, pas dështimit të organizimit të grushtit të shtetit në Mal të Zi, të organizuar nga miqtë e Putinit, Nikolai Patrushev (në atë kohë sekretar i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse) dhe Leonid Reshetnikov (një ish- zyrtar i lartë i KGB-së dhe ish- shefi i Institutit Rus për Studime Strategjike) dhe dështimit për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të fundit në Maqedoni, (po ashtu dështimit të pengimit të anëtarësimit të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO), për Rusinë aduti i fundit i ndikimit në rajon mbetët Kosova.

Rusia në asnjë mënyrë nuk ka arsye ta mbështesë arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse përveç që nuk do të fitonte asgjë nga një veprim i tillë, ajo edhe do të mund të humbas ndikimin e saj në rajon. Brenda kontekstit të mësipërm Rusisë, pra, i konvenon mbajtja e “konfliktit të ngrirë” në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke i garantuar interesat ruse në Ballkanin Perëndimor dhe jo interesat e Serbisë. Ky është një argument që e mbështet edhe Maxim Samorukov, një kolumnist rus për portalin analitik “Carnegie” në Moskë. Ai shkroi vitin e kaluar se “mbështetja” e pakufizuar dhe “sigurimet” që Rusia i bën Serbisë se nuk do të lejojë humbje të integritetit territorial të saj, për shkak të miqësisë së palëkundur ndaj serbëve, në fakt janë sabotimi pasiv i Rusisë për arritjen e marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Rrjedhimisht, Serbija ka nevojë të çlirohet nga ky “përqafimi i hekurt” rus që në fakt po e ngufat Serbinë. Mirëpo, siç thotë edhe Samurakov në analizën e tij, vetë lideret serbë janë fajtorë për këte relacion si dhe për barrën që i kanë vënë vetës me Kosovën, sepse me vite kanë krijuar një marrëdhënie shizofrenie me Rusinë, duke iu kërkuar atyre, në çdo takim, të bllokojnë njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Çdo politikan serb, ka bërë lavdërime të pakontrolluara për Rusinë, duke rezultuar në një kult pothuajse religjioz të Putinit në Serbi.

Mirëpo, përfitimet e tilla të së kaluarës nga politika e jashtme, tani janë shndërruar në kufizime serioze për vet Vuçiqin në nivelin e brendshëm. Tani kur marrëveshja me Kosovën i duhet Serbisë për të hapur rrugën e integrimit në BE, udhëheqja serbe nuk di se si të shpëtojë nga “mbështetja” apo ai “përqafimi i hekurt” rus, sepse e kanë të vështirë që para votuesve të tyre serbë ( rreth 90% prorus), të duken me pak patriotë se vet Kremlini. Moska zyrtare është e vetëdijshme për këtë, prandaj vazhdojnë të lëshojnë deklarata të tipit se nuk do të lejojnë që Kosova të shkëputet nga Serbia dhe se çdo marrëveshje duhet ta ketë për bazë Rezolutën 1244 të OKB-së ( e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës) dhe pikërisht këto deklarata e detyrojnë lidershipin serb të marrin pozicione të palëkundshme lidhur me Kosovën. Në këtë mënyrë, Rusia siguron status -quon dhe konfliktin e ngrirë, pikërisht ajo që i duhet për realizimin e interesave të veta. Kështu, çdo tentativë e Vuçiqit, që marrëveshjen me Kosovën ta përfundojë me pajtimin e Rusisë, bllokohet nga ky qëndrim i Rusisë. Pra, popullariteti i Putinit në Serbi tanimë i shfaqet si pengesë Vuçiqit në çfarëdo frymëzimi që i vjen këtij të fundit për arritjen e marrëveshjes finale me Kosovën si hap i domosdoshëm për anëtarësim të Serbisë në BE.

Si rezultat i kësaj situate, është logjike nëse konstatohet se Vuçiqi nuk guxon të arrijë marrëveshje me Kosovën pa “po” ruse, sepse Rusia lehtë do të jetë në gjendje ta shkatërrojë atë si politikan. Mjafton, që zyrtarët rusë të marrin qëndrimin që, ” Rusia si një aleat i sinqertë i popullit serb”, ndryshe nga ” Vuçiqi i shitur te Perëndimi”, do të vazhdojë të mbrojë integritetin territorial të Serbisë duke refuzuar të njohë Kosovën dhe duke mbajtur veton për mosanëtarësim të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në njëfarë mënyrë kjo i bie që oferta për marrëveshje me Kosovën nuk mund të vijë nga Vuçiqi, por nga Uashingtoni, kurse Uashingtoni për dallim nga BE-ja. e ka bërë “ofertën” përmes letrave që Presidenti Trump ua ka dërguar presidentëve Thaçi dhe Vuçiq, në të cilat ka theksuar qartë se esenca e marrëveshjes në fund duhet të përfshijë njohje reciproke. Mirëpo, ta zëmë, nëse Serbia e njeh Kosovën, kjo prapë nuk do ta lironte Vuçiqin nga presioni i madh rus, sepse kjo do ta vendoste në pikëpyetje “kredibilitetin”e politikave të jashtme të Moskës.

Nuk është realiste të presësh që si rrjedhojë e një situate të tillë, Rusia ta njohë Kosovën dhe BE-ja e SHBA-të ta njohin sovranitetin e Rusise në Krime. Rusia, pra, nuk do ta thjeshtësonte aq situatën sa që ta njoh Kosovën pa kushte dhe kështu nuk do të pajtohej që Beogradi ta rrezikojë realizimin e interesave të saj gjeopolitike (jo vetëm në Ballkan), duke i vënë në dyshim politikat e saj të konflikteve të ngrira. Moska zyrtare, pra, nuk është aq naive sa të besojë se, nëse Rusia e njeh Kosovën, kjo do të nënkuptonte që BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, do të pranonin faktin që Krimea është në Rusi, apo se ata do të njihnin ta zëmë pavarësinë e Donbasit ,Osetisë së Jugut, Abhazisë apo të Transnistrisë. Madje, as vet Rusisë nuk i konvenon që zonat e përmendura separatiste të njihen ndërkombëtarisht, sepse në anën tjetër ata do të zbehnin mundësitë e mbajtjes nën presion të Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Ukrainës që të mos anëtarësohen në NATO.

Rrjedhimisht, Rusia do të aplikojë “përqafimin e hekurt” për Serbinë, duke e përdorur te popullata serbe sentimentin e ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë kinse për të vazhduar për ta “mbrojtur” “çështjen e Kosovës”. Kjo do t’i sigurojë Rusisë vazhdimin e realizimit të interesave ekonomike ruse në Serbi dhe sigurimin e hapësirës për manovrim për politikën e Moskës ndaj vendeve të saj fqinje me një pakicë ruse, ndërsa të njëjtat interesa nuk do të mund t’i mirëmbante në rast të arritjes se një marrëveshjeje përfundimtare në mes të Kosovës e Serbisë.

(Autori është politolog dhe profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës)

Më Shumë

243 drunj në nderim të 243 të vrarëve në Krushë të Madhe

Shpimi i tokës duket jo i lehtë. Megjithatë në të po vendoset një dru dekorativ. Në parkun para shkollës fillore “Bajram Curri” në Krushë të Madhe...

Në gjendje të dehur sulmoi fizikisht nënën e tij, arrestohet i dyshuari në Suharekë

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të dhunës në familje. Rasti ka ndodhur në Suharekë, ku një person në gjendje të dehur ka...

Lajmet e Fundit