Quni në vizitë zyrtare në Shqipëri, Xhaçka e pret me ceremoni ushtarake

Me ftesë të homologes së tij, Olta Xhaçka, ministri i Mbrojtjes Anton Quni ka shkuar për vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u prit me ceremoni të lartë ushtarake.

Në takimin dypalësh, Xhaçka uroi Qunin për detyrën e re dhe tha se ai me përvojën si udhëheqës ushtarak i karrierës dhe me përvojën politike përfaqëson dhe do të përfaqësojë denjësisht aspiratat e Kosovës për integrimin euroatlantik dhe synimin kombëtar për zhvillimin e forcave ushtarake bashkëkohore, njofton Klan Kosova.

“Integrimi euroatlantik është synim i natyrshëm i Kosovës, krahas synimit të të gjitha vendeve të Ballkanit. Në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, iu garantojmë gatishmërinë tonë për të intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve e mbi të gjitha për të ndarë me Ministrinë e Mbrojtjes, eksperiencën tonë lidhur me anëtarësimin në NATO”.

Quni nënvizoi se për Kosovën “krahas partneritetit me miqtë tanë të përhershëm si SHBA, pastaj Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Turqinë etj, Shqipëria është aleati i natyrshëm në rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatat rajonale të sigurisë, programin për partneritetin për paqe dhe për t’u finalizuar me integrimin në NATO”.

“Objektivi kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes, pas kalimit në misionin e ri të FSK-së është përmbushja e detyrave të përcaktuara në Planin e Tranzicionit të FSK-së në forcë ushtarake, e cila do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj pa dallime etnike, kulturore, religjioni etj. Mbështetja vëllazërore e deritashme dhe në të ardhmen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si në rrafshin politik por dhe atë ushtarak është shumë e rëndësishme për operacionalitetin e FSK-së në përmbushjen e misionit dhe detyrave kushtetuese dhe ligjore me theks në ofrimin e kontributit në operacione shumëkombëshe në ruajtje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë”.

Në vazhdën e diskutimeve me interes për të dy ministrat, ishte vlerësimi i krizës së pandemisë Covid-19, si sfidë të menaxhuar me sukses nga ana e dy ministrive dhe forcave në mbështetje ushtarake të autoriteteve civile dhe duke vlerësuar si shumë të rëndësishëm bashkërendimin e aktiviteteve si dhe zbatimin e mësimeve të nxjerra në menaxhimit e krizës përkatëse në vijim.

Pas takimit mes dy delegacioneve, ministrat Quni dhe Xhaçka dolën në një deklaratë për shtyp ku theksi kryesor ishte thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit bilateral dhe rritja e mbështetjes në të gjitha fushat, respektivisht realizimit të Planit të Bashkëpunimit Bilateral në mes dy ministrive.

Gjithashtu, Quni theksoi se duke ditur faktin se trajtimi i temave me interes të përbashkët nga fusha e sigurisë dhe mbrojtjes është shumë i gjerë ftoi ministren Xhaçka për vizitë të ndërsjellë në Kosovë.

Pas takimit në Ministrinë e Mbrojtjes, delegacioni, i shoqëruar nga zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi vizituan Muzeun Historik të Forcave të Armatosura.

Gjatë vizitës, delegacioni i Ministrit Quni përbëhej nga Komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Irfete Spahiu, ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Nait Hasani, atasheu ushtarak, kolonel Bashkim Shillova, Drejtori i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Integrime Euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha, zyrtarja e lartë, Martina Dedaj Kçira si dhe këshilltarët, Feriz Trezhnjeva e kolonel Hamdi Pollomi.

 

Më Shumë

Totaj: Komunës së Prizrenit i janë marrë mjete përmes përmbarimit, rreth 17 milionë euro gjatë vitit 2026

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se nga buxheti i komunës janë ekzekutuar mjete përmes përmbaruesit. Sipas tij, vetëm nga kategoria e...

Në Muzeun e Hidroelektranës në Prizren promovohet libri “Arti i Udhërrëfimit”

Në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, në Muzeun e Hidroelektranës të Prizrenit është promovuar libri “Arti i Udhërrëfimit”, i cili tashmë...

Martohet Blerando

Lajmet e Fundit