Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka dënuar me tre muaj burgim me kusht për të akuzuarin për veprën penale “rrezikim të trafikut publik”, Remzi Aliaj.
Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari Aliaj nuk kryen vepër tjetër penale.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Ilir Rashkaj, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kësaj, i akuzuari Aliaj, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.
“Pas shkaktimit të aksidentit kam shkuar menjëherë në spital tek i dëmtuari dhe i kam ndihmuar materialisht aq sa ka pasur mundësi, ne nuk kemi as një mosmarrëveshje me ta”, tha i akuzuari Aliaj.
Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja Mone Syla, e cila shtoi se ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.
Gjyqtari Rashkaj, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej 90 euro në total.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 13 mars 2017, ndaj Remzi Aliaj, duke e ngarkuar atë me veprën penale “rrezikim i trafikut publike”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri me 16 nëntor 2016 rreth orës 14:30 në rrugën “Xërxe-Qifllak” komuna e Rahovecit nga pakujdesia rrezikon trafikun publik dhe jetën e njerëzve.
Në aktakuzë thuhet se me të arritur në fshatin Dobidol të Rahovecit, i pandehuri Aliaj duke drejtuar kamionin të markës “Man”, derisa fëmija tenton ta kalojë rrugën nga e djathta në të majtë, me pjesën e prapme anësore të automjetit e godet fëmijën, të dëmtuarin D.M.
Në aktakuzë thuhet se në këtë aksident trafiku lëndime të lehta trupore ka pësuar i dëmtuari D.M. lëndime të përshkruara më hollësisht në ekspertizën mjekoligjore të Dr. Driton Haliti me 24 shkurt 2017. /BetimipërDrejtësi.