21.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Rahovec:Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi se kishte shtënë me armë në një aheng familjar

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim një vit burg me kusht dhe 500 euro gjobë për të akuzuarin për veprat penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, Haki Krasniqi.

Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën dy vjeçare, i akuzuari Krasniqi nuk kryen vepër tjetër penale.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzat me të cilat ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, i akuzuari Krasniqi, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes pesë anëtarshe, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Armend Zenelaj, i cili tha se pranimi i fajësisë ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjyqtari Shabani, ka marrë vendim për të konfiskuar armën dhe të akuzuarin e ka obliguar t’i paguaj edhe shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 14 korrik 2017, ndaj Haki Krasniqi, duke e ngarkuar atë me veprën penale “mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe veprës penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri nga data e pavërtetuar e deri më 20 mars 2017, në shtëpinë e tij në fshatin Pastasellë të Rahovecit, në mënyrë të kundërligjshme ka mbajtur në pronësi apo posedim armën pushkë e gjuetisë të markës “CISFAN TS 870 TM” të prodhimit turk.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari më 18 mars 2017 në oborrin e shtëpisë së tij kishte shtënë me armë gjatë një ahengu familjar e pas kontaktimit nga ana e policisë, i njëjti kishte pranuar që ka shtënë, e më pas arma i është konfiskuar. /BetimipërDrejtësi.

Më Shumë

12 vite nga vdekja e shkrimtarit arbëresh, Ernesto Sabato

Sábato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një...

Ylli kërkon finalen duke e përshëndetur kampionin

Peja dhe Golden Eagle Ylli do të ballafaqohen sot në ndeshjen e tretë në kuadër të playoff-it në gjysmëfinale të Prince Caffe Superligës së...

Lajmet e Fundit