Në fshatin Drenoc të Rahovecit është shënuar 28-vjetori i daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një ngjarje me rëndësi të veçantë historike për fillimin dhe zgjerimin e luftës çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut.
Në këtë përvjetor morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë, të cilët nderuan kontributin e luftëtarëve të kësaj zone në organizimin dhe zhvillimin e luftës për liri.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përmes një postimi në Facebook, theksoi rëndësinë e kësaj date për historinë e rezistencës shqiptare dhe rolin e Drenocit në nisjen e organizimit të UÇK-së në Anadrini.
“Sot, u bënë 28 vjet që nga dalja e parë publike e UÇK-së në Drenoc të Rahovecit”, ka shkruar Latifi, raporton PrizrenPress.
Ai vlerësoi Drenocin si pikënisje të rëndësishme të organizimit të strukturave çlirimtare.
“Drenoci ishte pikënisja e UÇK-së për Zonën Operative të Pashtrikut, prej ku do të dilnin shumë heronj e dëshmorë trima, që do të sakrifikoheshin për lirinë e Kosovës”, ka theksuar ai.
Latifi rikujtoi se dalja publike e UÇK-së në këtë zonë u pasua nga përfshirja e gjerë e luftëtarëve dhe zgjerimi i rezistencës.
“Djemtë e Anadrinisë u bashkuan me jehonën e pushkëve të lirisë më 26 prill të vitit 1998, pikërisht këtu në Drenocin historik”, thuhet në postimin e tij.
Ai shtoi se, përkundër pabarazisë me armikun, guximi dhe përkushtimi i luftëtarëve çuan drejt ndryshimeve të mëdha historike.
“Përkundër faktit se ishim shumë të pabarabartë me armikun, shumë herë më të pajisur, kulmoi guximi ynë për të luftuar e sakrifikuar për jetë më të dinjitetshme në liri”, ka shkruar Latifi.
Duke folur për rrjedhën e luftës, ai theksoi se zhvillimet e asaj kohe i dhanë dimension të ri luftës çlirimtare.
“Dalja e UÇK-së më 26 prill e më pas beteja e parë frontale në Anadrini, e fituar në ditën e 12 majit dhe e ajo 14 majit, si dhe betejat që pasuan, i dhanë kësaj lufte tjetër dimension”, thuhet në postim.

Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përkujtuar këtë përvjetor duke theksuar rëndësinë e Drenocit dhe luftëtarëve të saj në rrjedhën e luftës çlirimtare.
Ai ka bërë të ditur se në këtë përvjetor iu bashkua kryetarit Smajl Latifi, familjeve të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarëve në Drenoc, të cilin e cilësoi si “shtyllë të luftës sonë çlirimtare”.
“Drenoci dhe luftëtarët e saj trima ndryshuan rrjedhën e luftës dhe nxitën edhe zonat tjera për ta shtuar zjarrin ndaj armikut. Kjo rezultoi që në pranverën e vitit 1998, UÇK të shtrihej në të gjithë vendin. Andaj, kur i kujtojmë dëshmorët dhe heronjtë, asnjëherë nuk harrojmë se ata ishin në një mision të vetëm, çlirimin e shqiptarëve nga robëria. Liria erdhi dhe për të kaluam shumë plagë, humbëm shumë njerëz të dashur”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai theksoi edhe rolin e NATO-s në përfundimin e luftës.
“UÇK-ja në tokë dhe NATO e prirë nga Amerika në qiell, sollën lirinë e shumëpritur për shekuj. Misionin tonë për sigurimin e lirisë nuk duhet ta ndalim derisa të bëhemi ofrues të sigurisë, si pjesë e NATO-s, të rreshtuar pranë botës demokratike, të udhëhequr nga Amerika”, ka shkruar Haradinaj./PrizrenPress.com/