Rama pranoi se përdori një gjuhë të ashpër për shkak të deklaratave të Belerit për Himarën. Ai tha se nëse do të ishte në dijeni të hetimit ndaj tij, nuk do të ekspozonte veten me një gjuhë të tillë.

Rama tha se presim argumentet e SPAK pasi nuk dimë shumë, ndërsa Beleri u kap në veprim e sipër duke blerë vota.

Pata gjuhë të ashpër për shkak të disa deklaratave që ai bëri. Në fushatë kam thënë gjëra për të cilat nuk ndihem mirë, pasi kjo u lidh me atë që ndodhi. Mësova për arrestimin e tij kur policia ishte në aksion. Ata më thanë se kemi arrestuar për blerje votash. U thash më mirë duhet të jeni të sigurt se çfarë po bëni dhe të keni prova. Bazuar në atë që dimë ai u arrestua në flagrancë me rrjetin e tij të blerjes së votës”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se qeveria nuk ka kompetenca që të nxjerrë leje për Belerin për të dalë nga burgu, që të betohet si kryebashkiak dhe se i takon gjykatës e cila në rastin konkret ka refuzuar.

“Nuk mundet që një shtet demokratik të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë. Për sa i përket dhënies së lejes për t’u betuar, në legjislacionin shqiptar nuk ekziston fuqia e qeverisë apo kryeministrit për të nxjerrë nga burgu një të ndaluar që të lërë burgun. Kjo nuk ekziston. Avokatët e tij duhet të kalojnë përmes gjykatës. Nuk ekziston që të marrësh leje ndërkohë që është në paraburgim, për një krim në flagrancë, ndërkohë që gjykata e ka refuzuar. Në tri nivelet e gjykatës ai nuk u la i lirë! Këto struktura janë të pavarura nga unë dhe nga qeveria,” sqaroi Rama.

I pyetur nga gazetari grek për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Himarën, Rama tha se duhet parë se si do të shkojë çështja.

“Po, para së gjithash, nuk jemi ne, nuk është qeveria që thërret zgjedhjet e reja në Shqipëri. Është Presidenti ai që i thërret. Ndërkohë, mënyra sesi shkon procesi është kështu: sipas ligjit tonë, nëse një person i zgjedhur nuk paraqitet për bërjen e betimit për çfarëdo arsye – nuk është e përcaktuar – pra, kur nuk paraqitet për t’u betuar brenda 90 ditëve, i takon qeverisë të veprojë duke shkarkuar personin dhe duke vendosur një kujdestar në detyrë derisa të zhvillohen zgjedhjet e reja, të cilat shpallen nga Presidenti.

U kam kërkuar juristëve të mi të përgatisin një opinion dhe nuk e di cili do të jetë, por mendoj se ky rast është tejet specifik. Nuk ka një precedent për këtë, kur është hartuar ligji askujt nuk i ka shkuar ndërmend një situatë e tillë. Instikti im apo reagimi im i parë është se, ndoshta, do të na duhet të presim procesin gjyqësor, derisa të provohet nëse ai është fajtor apo i pafajshëm. Sidoqoftë, ky nuk është opinion ligjor, është thjesht një mendim i imi për faktin se nuk kemi realisht asnjë precedent dhe pastaj, kjo do të hapte shteg për shumë interpretime. Më duhet të pres departamentin ligjor, por kjo mund të shkojë qoftë në një drejtim, qoftë në tjetrin. Kjo është edhe përgjigjja e duhur, mund të ndjekim njërin apo tjetrin drejtim, bazuar në argumentimin e departamentit tonë ligjor”, sqaroi kryeministri Rama.