19.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Seanca mbahet pa opozitën

Kuvendi i Kosovës sot (e martë) në orën 10:00 do të mbajë seancë plenare, në të cilën do të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës: shqyrtimi i rekomandimit të Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, nuk do të marrin pjesë në këtë seancë, pasi konsiderohet vazhdim i seancës së kaluar. Adonis Tahiri, zyrtar për medie në Lëvizjen Vetëvendosje!, ka thënë se sot vazhdon seanca e kaluar dhe qëndrimi i opozitës mbetet i njëjtë.

“Prandaj, meqë të martën vazhdon e njëjta seancë, qëndrimi ynë ndaj kësaj seance mbetet i njëjtë. Opozita e bashkuar është duke u përqendruar maksimalisht në përgatitjet për tubimin në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë që mbahet të shtunën, më 19 mars 2016, në orën 14:00, si dhe për protestën e radhës që mbahet në Prishtinë më 26 mars 2016. Sa i përket pjesëmarrjes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje! në seancat plenare të Kuvendit, ne do ta bëjmë vlerësimin nga seanca në seancë sepse nuk përjashtohet mundësia që koalicioni qeverisës të përpiqet të kontrabandojë në Kuvend gjëra të këqija si, p.sh., statutin e ‘Zajednicës’, likuidimin e Trepçës e të ngjashme, me ç’rast ne sigurisht se duhet të jemi aty për t’i bllokuar ato seanca”, ka thënë Tahiri për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka thënë se VV-ja kërkon që të lirohen të gjithë të burgosurit politikë në Kosovë.

“Kërkojmë edhe një herë lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Kosovë. Janë 13 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! nëpër burgje të ndryshme nëpër Kosovë, përfshirë këtu Glauk Konjufcën, Dardan Molliqajn dhe Frashër Krasniqin. Po ashtu, janë edhe gjashtë deputetë të Vetëvendosje!-s dhe dy të AAK-së që vazhdojnë të mbahen në arrest shtëpiak”, ka deklaruar Tahiri.

Kurse zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se, pavarësisht se deri më sot opozita e bashkuar ka pasur forma të ndryshme të kundërshtimit, pasi janë parti me profile të ndryshme, sipas tij, opozita mbetet e bashkuar për tema të caktuara. Ndërkaq sa iu përket zërave që opozita është zmbrapsur nga gazi lotsjellës, Nitaj ka thënë se këta zëra janë të paqëndrueshëm dhe, sipas tij, ishte pikërisht gazi lotsjellës që çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen e themelimit të komunave me shumicë serbe dhe bëri që të krijohet një komision ad-hoc për çështjen e demarkacionit.

“Kam përshtypjen se kjo pyetje dhe këta zëra janë tërësisht të paqëndrueshëm, pasi gazi lotsjellës i hedhur në Kuvendin e Kosovës, i cili nuk ka qenë ndoshta pjesa më e shndritshme e veprimit opozitar dhe asnjëherë nuk jemi krenuar me këtë formë të kundërshtimit, i ka dhënë rezultatet e veta. Rezultatet e përdorimit të këtij gazi lotsjellës janë dërgimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, të cilin e ka nënshkruar kryeministri i vendit, e për të cilën Gjykata Kushtetuese ka bërë të qartë se është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit”, ka thënë Nitaj, duke shtuar se si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvend ka ndodhur edhe një nismë për krijimin e një komisioni ad-hoc për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

“Besoj se këto nuk janë rezultate të pakta. Po mos të ishte përdorur gazi lotsjellës në Kuvend, sot të dyja këto marrëveshje të dëmshme për Kosovën do të ishin konsideruar tema të mbyllura”, ka deklaruar Nitaj.

E lideri i AAK-së dje ka qenë shumë më i qartë se i përket pjesëmarrjes së deputetëve të partisë së tij në seancat e Kuvendit.

“Parlamenti është shfrytëzuar për ta mbuluar kapjen e shtetit dhe marrëveshjet, por edhe me zgjedhjen e Thaçit president, që është arkitekt i kësaj kapjes së shtetit. Prandaj, një parlament i tillë meriton të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. AAK-ja nuk është pjesë e këtij parlamenti”, ka deklaruar Haradinaj.

As grupi parlamentar i Nismës për Kosovën nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Epoka e re” shefja e grupit parlamentar e Nismës, Valdete Bajrami.

“Nisma për Kosovën nesër nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit. Tani për tani ky është qëndrimi i Nismës”, ka thënë Bajrami.

Për këtë qëndrim të opozitës ka folur njohësi i çështjeve politike në vend, Imer Mushkolaj. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se së pari ekziston një shumicë parlamentare që mund të marrë vendime dhe të miratojë ligje dhe, sipas tij, nuk është e jashtëzakonshme që opozita nuk merr pjesë në seancën parlamentare.

“Ka praktika se për muaj të tërë opozita nuk ka marrë pjesë në punimet e Kuvendit në shtete të ndryshme, por kjo nuk do të mund ta arsyetojë atë se çfarë ligjesh mund të miratohen nëse nuk është opozita në Kuvend dhe nëse nuk jep vërejtjet dhe sugjerimet e veta substanciale”, ka thënë Mushkolaj. “Në anën tjetër, sa iu përket qëndrimeve jo të njëjta të VV-së ose të opozitës së bashkuar, besoj se janë të veçanta për secilën. AAK-ja ka zgjedhur mos të marrë pjesë, VV-ja mbase mund të marrë pjesë, pavarësisht se si është deklaruar”, ka thënë Mushkolaj, duke shtuar se strategjia e opozitës duhet të ndryshojë.

“E kam thënë edhe më herët, se strategjia e opozitës së bashkuar duhet të ndryshojë në kuptimin e qasjes që do ta ketë karshi punës në Kuvend”, ka deklaruar Mushkolaj.

Sipas tij, e mira e gjithë kësaj do të ishte që vendimet e opozitës të jenë të njëjta, e jo të larmishme.

“Do të ishte mirë për opozitën, që kur të marrën vendime, të jenë të njëjta për tërë bllokun opozitar, e jo të ketë laramani të vendimeve”, ka thënë Imer Mushkolaj.

Më Shumë

Dortmundi mposht PSG-n, finalisti vendoset në Paris

Borussia Dortmund e ka mposhtur PSG-n, me rezultat 1-0, të mërkurën mbrëma në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve. ‘Milionerët’ e Gjermanisë...

Hyn në fuqi marrëveshja Shqipëri-Kosovë “pa kufi” për 9 muaj

Prej ditës së mërkurë ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes, sipas të cilit, qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë përmes...

Ylli në finale

Lajmet e Fundit