9.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Opozita ta respektojë rendin kushtetues të shtetit

Njohësi i çështjeve të sigurisë kombëtare, Ilir Kulla, ka thënë të hënën se dialogu do të ishte zgjidhja më e mirë për tejkalimin e krizës politike në Republikën e Kosovës.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai u ka bërë thirrje pozitës dhe opozitës të gjejnë një komunikim të përbashkët për t’i zgjidhur problemet.

“Destabilizimi i mëtejshëm i jetës politike në Kosovë në muajt e fundit është dëshmi e një krize të qartë politike të vendit. Nga njëra anë kjo është mundësi e dëshmisë së maturisë së shtetformësisë, e cila shfaqet nëpërmjet aftësisë për t’i përballuar krizat në një shtet, nga ana tjetër është shfaqje tipike e jetës demokratike në shtet të ri. Natyrisht dialogu do të ishte zgjidhja më e mirë, por edhe protestat janë po aq demokratike sa edhe zgjidhjet politike, mirëpo e rëndësishme është të mos ketë dhunë”, ka deklaruar Kulla.

Ai ka thënë se njëherë përnjëherë zhvillimet e fundit nuk e dëmtojnë imazhin e shtetit por, sipas Kullës, institucionet qeverisëse duhet ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë opozita duhet ta respektojë rendin kushtetues të shtetit.

“Jo, nuk kanë pse ta dëmtojnë imazhin e shtetit të Kosovës për sa kohë nuk kalon në anarki. Në Kosovë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe institucionet qeverisëse duhet ta zbatojnë, ndërsa opozita duhet ta respektojë rendin kushtetues të shtetit”, është shprehur Kulla.

Ai ka deklaruar se situata e sigurisë në shtetin e Kosovë është situatë e krizës politike dhe, natyrisht, nëse s’do të ketë zgjidhje politike, atëherë rrezikohet kolapsi i sigurisë.

“Situata e sigurisë në Kosovë është situatë e krizës politike, kështu që edhe zgjidhja është politike. Natyrisht, nëse s’do të ketë zgjidhje politike, atëherë rrezikohet kolapsi i sigurisë politike, por zgjidhja duhet të jetë politike. Kur them se zgjidhja duhet të jetë politike nënkupton që pikërisht pozita dhe opozita duhet të gjejnë një komunikim të përbashkët”, ka vlerësuar Kulla.

Më tutje, Kulla ka thënë se sot Kosovës i duhet një optimizëm social-politik dhe paniku nuk është i dobishëm. Sipas tij, në këto kushte zgjedhjet e parakohshme mund të jenë një zgjidhje optimale.

“Jo, unë mendoj se angazhimi i organeve ligjzbatuese, policisë dhe prokurorisë, përkeqëson klimën politike. Unë mendoj se institucioni i deputetit dhe i opozitës është i shenjtë në demokraci. Gjithashtu, mendoj se sot Kosovës i vyen një optimizëm social-politik dhe paniku nuk është i dobishëm. Në këto kushte zgjedhjet e parakohshme mund të ishin edhe një zgjidhje optimale”, ka theksuar Kulla. /Epoka e Re/

Më Shumë

Policia në Prizren gjobit motoristët kundërvajtës, sekuestrohen disa motoçikleta

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me datë 2 dhe 3 maj 2024 patrullat policore të policisë në kuadër të Njësisë Rajonale...

Protestuesit kërkuan dialog dhe rritje të pagave për së paku 30 për qind

Qindra protestues, kanë marrë pjesë në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, e mbështetur nga sindikata tjera me rastin...

Lajmet e Fundit