3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

“Shkëlzen Maliqi, Kosova dhe Jugosllavia”

Nga Borka Paviqeviq, albanianpost

(Vështim mbi librin e Shkëlzen Maliqit:  Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera, Dialog me Baton Haxhiun)

Libri i Shkëlzen Maliqit, botuar nga Links-Most Art, edicioni Internacionala, përkthyer nga Anton Berishaj, ka titull krejtësisht shkencor, të thjeshtë dhe pothuajse shkollor “Kosova dhe shkatërrimi i Jugosllavisë”. As më pak e as më shumë. Dhe kjo pothuajse është e tëra. Vëtëm kjo dhe asgjë tjetër.

Vendndodhja bazike e ngjarjes është miniera Trepça. Në Jugosllavi, Kosovë, nën tokë, në zgafellë, kurse heronjtë kyç të dramës janë, kush tjetër pos – minatorët.

Minatorët, Jugosllavija, Trepça, miniera, Kosova.

Dizajni grafik i librit është bërë nga “Mataklinika” me po këtë fushë të kuptimësimit. Kapaku i librit (i butë) sfondin e ka me ngjyrë të kuqe, ku shihen: një diell i madh, zjarri, sytë me gjysmën e fytyrës të minatorit nën helmet dhe stema jugosllave.

“Jugosllavie e Dyte ka qenë krijesë inteligjente”, thotë Maliqi. Vend inteligjent. Pas gjithë asaj që Shkëlzen Maliqi rrëfen në këtë libër, i shtyer për ta bërë nga Baton Haxhiu (“Shkruaje këtë, Zeni!” – sa kanë vlerë të paçmueshme miqt si Batoni), dhe pas eseve të tij dhe gjithçkaje që gjen aty, kujtova vargun nga sonetet e Shekspirit: “Do t’i lija të gjitha, nëse nuk do të duhej ta lija edhe dashurinë”.

E vërtëta është se ky libër do të mund të kishte disa vëllime, me vazhdime, sepse i bënë më të ndërlikuara të gjitha ato gjërat që na duken të njohura. Është e qartë se libri “Kosova dhe shkatërrimi i Jugosllavisë” është një libër që i vë në pyetje të gjitha paragjykimet. Por ai është aq i kthjelltë, aq i pakompromis, madje edhe ndaj vetë autorit e çdo mode intelektuale qoftë nga Lindja, qoftë nga Perëndimi, Beogradi a Prishtina, dhe vërtet është aq i pavarur sa që intelektual dhe kritik më të pavarur vështirë se e gjen jo vetëm në “këto hapësira tona”. Shkëlzeni nuk spekulon me këto nocione, Jugosllavia për te nuk është as “e vjetër:, as “eks”, nuk është as “regjion”, as “territor”, asgjë nga këto nocione pornografike, por një shtet që ka ekzistuar, si shumë të tjerë që kanë ekzistuar dikur dhe nuk janë më.

Është e vërtetë se të gjithë kujtojmë gjëra të njëjta. Por, jo, Shkëlzen Maliqi shkruan dhe flet ashtu që ato që kujton dhe për çka dëshmon, janë sikur përmbledhje e një kujtese kolektive, apo të historisë, mu për faktin se janë personale, origjinale dhe të thëna në mënyrë autoriale. Maliqi përmbledh momentet që kanë qenë zanafilla e të gjitha ndodhive tjera, prandaj libri “Kosova dhe shkatërrimi i Jugosllavisë” nuk është me vazhdime. Ai ka arritur që të organizojë dhe artikulojë në një libër të vetëm dhe unik tërë një jetë dhe botëkuptim. Libri lexohet me një frymë dhe vështirë lëshohet nga dora, ashtu sikur që pranohen më lehtë vuajtjet e madha të regjistruara me shkrim.

Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera, Dialog me Baton Haxhiun

E admiroj Shkëlzenin para së gjithash për qëndrimin e tij të qartë, të drejtpërdrejtë dhe zotërues ndaj babait, Mehmetit, “Mehmeti – jetim, bukëpjekës dhe komunist”.

Jetëshkrimet e babait dhe të gjyshit të Shkëlzenit sublimojnë jo vetëm historinë e shumë baballarëve të Jugosllavisë së Parë dhe të Dytë, por edhe të atyre që janë në themelet e saj. “Babai im është lindur në Prizren në pranverë të vitit 1919. Maliqët janë me prejardhje nga Luma, nga katundi Shtiqen në afërsi të Kukësit. Një katërgjysh me emrin Maliq është zhvendosur nga Shtiqeni në Prizren në kapëlcyellin e shekujve 18 dhe 19. Gjyshi Hazir ka qenë çaush i njërit nga sultanët e fundit të Perandorisë Otomane, Abdyl Hamitit.

Babai na tregonte se si fëmijëria e tij ka qenë shumë e vështirë. Ka filluar të punonte si shumë i ri, kur ishte nëntë ose dhjetë vjeç…”

Paraardhësit e Shkëlzen Maliqit kanë qene krijues, kanë punuar çkamos, duke lëvizur gjithandej dhe duke krijuar trashëgimi, dhe kjo gjithkundshmëri themeltare ua mundësoi arritjen deri te vendi i ngjarjes, – miniera,- ku veçohet fillimi dhe shkaku i shkatërimit të arritjeve prindërore:

“E para, me grevën e Trepçës (1989) humb legjitimitetin shtylla e sistemit komunist, sepse nuk u respektua revolta e klasës punëtore, çka dëshmoi se në atë sistem më nuk ekzistonte ‘diktatura e proletariatit’ përderisa solidaritetin klasor e kishte zëvendësuar ai kombëtar, solidariteti etnik.

Greva e minatorëve të Trepçës (1989)

E dyta, humbi legjitimitetin edhe politika e barazisë kombëtare e inauguruar nga Tito-ja.

Më në fund, u tret edhe barazia delikate e raporteve mes republikave që kishin lidhur mes vete marrëveshjen federale, pasi që Sllovenia shfaqi solidaritet me revoltën e minatorëve duke deklaruar se në Trepçë është duke u mbrojtur Jugosllavia e AVNOJ-it (KACCKJ-së [1]). dhe i dërgoi mesazh Serbisë se duhet të heq dorë nga pretendimi për ndryshim e dhunshëm të Kushtetutës së Kosovës, pasi që ky akt  rrezikon seriozisht dhe pariparueshëm mbijetesën e federatës jugosllave.”

Është “përçudnues” fakti se sa kemi pas nevojë ne të gjithë për këtë libër të Maliqit, sepse nga momentet strumbullare të tij, siç është Trepça, hapet mundësia e vazhdimeve të gjithanshme të shumë rrëfimeve të tjera deri në ditët e sotme. Shkëlzeni prek ato pika traumatike që mundësojnë kuptimin  e rrjedhave të një “amshueshmërie të keqe” që na ka ndryshuar jetën të gjithë neve, gjithë qytetarëve tanë, pa marrë parasysh a jemi apo nuk jemi të vetëdijshëm për rëndësinë fatale e këtyre traumave, pa të cilat edhe nuk mund ta kuptojmë çfarë është kjo që po përjetojmë sot. Gjithçka dhe asgjë.

Njëkohësisht, para nesh shtrohet edhe evidenca e plotë mbi jetën e intelektualit Shkëlzen Maliqit, duke kuptuar se jeta dhe puna e tij ka mundur të ketë edhe kahje krejt tjetër, gjithësesi shumë më personale, në favor të prirjeve individuale në fushën e studimeve të filozofisë dhe artit bashkëkohor, e jo siç ka ndodhur që historia dhe përcaktimi personal e kanë shtyer drejt mendimit, angazhimit dhe veprimit politik. Dhe këtë ne kuptimin sartrian se jeta është proces,  por edhe shoqëri, kolektiv.

Filozofi, kritiku i artit, analisti politik dhe intelektuali kosovar, Shkëlzen Maliqi

Libri i Zenit na ka munguar, ashtu sikundër që edhe Kosova mungonte, dhe mungon edhe sot, në jetët e atyre që nuk e njohin atë si pjesë të biografisë personale të tyre, ose edhe nuk e njohin fare as Jugosllavinë, as Kosovën. Jam thellësisht e bindur se ata që nuk kanë qenë kurrë në Kosovë, dhe ata që mbahen injorant, – janë ata që thonë: “Nuk e kam ditë” ose “Unë vetëm zbatoja  urdhërat”. Të gjithë që lëvizin edhe ekzistojnë, dhe të gjithë që ekzistojnë janë pjesë e komunikimit; nuk ka interes (kjo është marrëzi) që mund ta zëvendësojë fuqinë e empatisë, ajo edhe bazohet në njohjen, ose evidencën.

Kush dëshiron dijën e vërtetë për të bërë diçka, ose që të jetojë me vetën dhe të tjerët, duhet ta lexojë librin e Shkëlzen Maliqi “Kosova dhe shkatërrimi i Jugosllavisë”. Në te s’ka asgjë “diplomatike” dhe të përgjithshme, gjithçka është personale dhe e mëvehtësishme, dhe nga kjo arsye edhe është aq themelore dhe, për shkak të origjinalitetit, aq shëruese, ilaç për të gjithë ata që lëngojnë rëndë nga çdo lloj pabarazije dhe jolirie në këto shtetet tona postkoloniale.

Borka Paviqeviq (1947-2019), dramaturge, publiciste dhe aktiviste e shoqërisë civile, është themeluese dhe udhëheqëse e Qendës për Dekontaminim Kulturor në Beograd. Kjo Qendër që nga themelimi (1995) ka vepruar si institucion i shquar dhe i guximshëm i “rezistencës dhe mendimit kritik” me mision demaskimin dhe refuzimin e politikave dhe kulturave të urrejtjes dhe lufëtënxitëse të regjimit të Millosheviqit si dhe të atyre pasuese, deri më sot.

Borka Paviqeviq (1947-2019), dramaturge, publiciste dhe aktiviste e shoqërisë civile, është themeluese dhe udhëheqëse e Qendës për Dekontaminim Kulturor në Beograd

Në vitin 2014, në CZKD është organizuar promovimi i librit tim “Kosova dhe shembje e Jugosllavisë”. Me atë rast Borka, mikja e ime shumëvjeçare, publikoi veshtrimin “Škeljzen, Kosovo i Jugoslavija”, së pari në gazetën “Danas” (5.12.2014), ku Borka me vite të tëra mbante kolumnën javore.

Vështrimi  është marr nga libri Borka Pavi?wvi?, Glava u Torbi, Beograd, CZKD 2017, f. 266-268.

[1] KAÇKJ –akronim për  Këshillin Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë, i organit të rezistecës i cili kishte vendosur, më 28 dhe 29 të vitit 1943, se Jugosllavia pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, do të riorganizohet në federatë të 6 republikave të barabarta.

Më Shumë

Prokurori nga Prizreni Petrit Kryeziu thyen rekord, këto janë pikët që ka marrë në test

Prokurori Petrit Kryeziu ka thyer rekord në rezultatin e intervistës për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prizren. Ai ka grumbulluar gjithsej 97.6 pikë, ku rezultatet...

Haxhi Shala deklarohet fajtor

Haxhi Shala të hënën në Hagë ndryshoi deklarimin rreth fajësisë, ai tani pranoi fajësinë sipas marrëveshjes që ka arritur me Prokurorinë. “Unë nuk kam qenë...

Lajmet e Fundit