Zojzi është një prej fshatrave të bukur të Prizrenit, por që kohëve të fundit brengos zbrazja e tij nga banorët dhe ikja e tyre në kërkim të një jete më të mirë, qoftë në Prizren apo edhe më larg. Është ky fshati i trimërisë i kuvendeve popullore për liri. Është i njohur Kuvendi te Lisat e Zojzit, ku u bashkuan burrat atdhetarë për të kundërshtuar atëbotë sundimin osman.
Aty morën pjesa burra nga Kosova e Shqipëria, nga Mati e Gruda nga Malësia e nga Presheva e Bujanovci, nga Shkodra e madje edhe nga Vlora. Ishte Rrustë Kabashi, i cili i priu kryengritjes antiosmane 1884-1885. Më 1 mars 1885, u ndërmor një sulm i kombinuar me lumjanët mbi Prizren. Qyteti u sulmua nga jugu, veriu e perëndimi. U goditën edhe muret dhe çatitë e shtëpive, por afër mbrëmjes, zjarri i armëve nisi të pakësohej dhe topat heshtën. Qëllimi i kryengritësve për të pushtuar Prizrenin nuk u arrit nga moskoordinimi i sulmeve dhe nga mungesa e armatimit. Ata u tërhoqën nëpër kodrinat rreth Prizrenit dhe nuk ndërmorën sulme të tjera. Po ashtu, edhe ushtria osmane përforcoi pikat nga mund të hyhej në qytet, por nuk kundërsulmoi. Gjendja mbeti e tillë deri më 5 mars, kur për të qetësuar situatën dhe për të ndërmjetësuar, qeveritarët e sanxhakut sollën nga Gjakova një shpurë krerësh të prirë nga Riza bej Kryeziu, kajmekam i atjeshëm dhe fistar i Rrustë Kabashit. Në atë shpurë bënte pjesë edhe Sulejman Vokshi.
Kështu mbaroi faza e parë e kryengritjes antiosmane të viteve 1884-1885, ku – siç u tha më sipër – një rol të rëndë- sishëm drejtues dhe komandues pati luajtur Rrustë Kabashi, i cili do të shquhej edhe më vonë, në lëvizjet për liri e pavarësi kombëtare. Kjo dëshmohet edhe në proceset gjyqë- sore kundër Vehbi Ymerit e Shaqir e Ali Zhurit: “Si shkuam në Zojz, banditët na dhanë ultimatum se do të prisnin deri në orën gjashtë të ditës së nesërme për sigurimin e bazave në qytet, pastaj do të hynin pa pyetur kënd”. “Ne shkuam në Poslisht, fjetëm një natë atje, këshilluam krerët e Lumës që të mos vinin në qytet, por ata nuk u bindën, sepse ishin njoftuar se edhe popullsia e kazave të tjera do të hynte atje…”, shkruan gazeta Kosova Sot.
Tronditet Porta e Lartë
Për këtë histori flet edhe Agron Hoxha. Ai rrëfen për jehonën që pati ky kuvend gjithëpopullor. “Kuvendi vendosi që pa marrë një përgjigje, përfaqësuesit nuk do të shpërndaheshin, do të qëndronin në Zojz e rrethina (Përdinasit) dhe në Poslisht (lumjanët). Mbledhja e krerëve të popullsisë së Sanxhakut (Lumës, Podrimes, qytetit të Prizrenit etj. në kuvendin te Lisat e Zojzit dhe vendimet që u morën aty tronditën pushtetarët vendorë dhe Portën e Lartë. Pushtetarët e Prizrenit, sapo u njoftuan për besën e lidhur te Lisi i Zojzit, sidomos për vendimin për të hyrë në qytet të armatosur dhe për të imponuar kërkesat e tyre, krahas masave të tjera, dërguan edhe dy delegacione, njëri në Zojz, ku qenë tubuar Pëdrimasit, dhe tjetrin në Poslisht, ku kishin zbritur lumjanët, që t`i bindnin kryengritësit të hiqnin dorë nga planet e tyre dhe të shpërndaheshin. Por, vendimet e këtij kuvendi ishin shumë të fuqishme ndër trima e popull. Kështu nga dokumentet dhe të dhënat historike fshati Zojz ka një të kaluar të lavdishme që neve si fshatarë na bën që të ndihemi krenarë dhe që në të ardhmen ta mbrojmë dhe sa ma shumë të studiojmë për historinë e fshatit tonë”, tregon Hoxha.
Dalin kundër reformave osmane
Në një rast tjetër për të kundërshtuar vendosjen e linjës telegrafike, krerët e Shtiqnit, me nismën e kryeplakut Ymer Sula, pjesëmarrës në tubimin e Lisat e Zojzit, organizuan një kuvend, i cili u shpreh kundër regjistrimit të popullsisë, sidomos të femrave, e kundër çarmatimit. Si kuvendarë njihen: Bajram Gjuta, Berë Lami, Jonuz Hajdari (i moçmi), Jonuz Hasani, Asllan Liman Muja, Sulë Shahini, Jahë Mata, Dullë Mehmeti, Sulë Voka, Shemsi Bera etj. Kuvendarët lidhën besën për t’iu përgjigjur edhe me armë çdo përpjekjeje të pushtetit për t’iu imponuar reformat. Durak Thaçi, kryetar i këtij fshati, tregon se atij kuvendi i bën jehonë një këngë popullore e shënuar që në vitet 50 të shekullit të kaluar. “Këto këngë u bartën ndër breza dhe banorët e këtushëm u ndien përherë krenarë për këtë histori”, thotë Thaçi.
Zvogëlohet numri i nxënësve
Thaçi shprehet se fshati jeton mes të kaluarës së lavdishme dhe të ardhmes së pasigurt. Ai shprehet se shqetëson veçanërisht zvogëlimi i numrit të popullsisë si pasojë e shpërnguljes nga fshati në qytet apo edhe në perëndim. Ai rrëfen se fshati Zojz përbëhet të banorë të ardhur. “Të thuash se banorët e këtij fshati janë kryesisht banorë të ardhur, por ka edhe me një rrënjë të hershme këtu”, shprehet Thaçi. Kryetari Durak Thaçi shpjegon faktin se tani fshati ka 140 familje, me rreth 1200 banorë. “Nga secila familje, shumica thuajse ka dikë që punojnë jashtë Kosove”, thotë Thaçi për “Kosova Sot”. Ai shprehet se për pasojë tani ka edhe rënie të numrit të nxënësve në shkollën e këtij fshati. Sipas tij, para 7-8 vitesh, kjo shkollë kishte 240 nxënës e tani ky numër ka rënë në vetëm 200 nxënës. Ai shprehet se ka investime të reja në fshat, por në përgjithësi ka mungesë perspektive dhe kjo është pengesë veçanërisht për të rinjtë, të cilët me çdo kusht duan të ikin nga aty.
(Kosova Sot)