7 C
Prizren
E hënë, 3 Shkurt, 2025

Sindikalistët e Prizrenit, të revoltuar me Qeverinë

Sindikalistët e Arsimit në komunën e Prizrenit të prirë nga kryetari i kësaj Sindikate, Reshit Kushaj kërkojnë të ndalen fyerjet ndaj tyre nga Qeveria e Haradinajt. Kushaj ka paralajmëruar Qeverinë për ngritje pagash me një përqindja aq të ulët për punonjësit e arsimit, duke përsëritur se këtë ngritje e konsiderojnë fyese.

Kushaj për gazetën “Kosova Sot” ka theksuar se nuk do të heshtin ndaj kësaj rritje të ulët. Kryetari i organizatave sindikaliste, si Lumedin Asllani, Syzana Ramadani, Skender Ferati, Fadil Përvizaj, Nazmi Mazrreku e Sutjeska Fanaj u shprehën se nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona. Kushaj theksoi se nëse fillojnë grevën, ajo do të jetë e pakufizuar dhe do të jetë me pasoja, nëse do Qeveria le t’ua vërë drynin shkollave.

Skender Ferati, sindikalist nga Prizreni, theksoi se kërkojnë një trajtim më të mirë.

“Kërkesa e Qeverisë për riarsimim e rikualifikime s’ka pse të na frikësojë. Por, kjo kërkesë e ministrit vërtet na duket si një lloj presioni i panevojshëm. Ne kërkojmë avancime të përditshme, që të bëhen në arsim. Por, ky lloj kërcënimi nuk pinë ujë, sepse ne kemi kualifikime reale dhe me djersë i kemi fituar ato”, theksoi ai.

Ankesa të kësaj natyre ka edhe Fadil Përvizaj nga Krajku, që këmbëngul se është nevoja edhe rasti i fundit që tashmë duhet të kërkohen gjashtë pagat kur pensionohet mësimdhënësi. Kurse Suzana Ramadani është shprehur për “Kosova Sot” se arsimi është shtylla e vetme dhe si shtyllë e këtillë, thotë se nuk e meritojnë të përbuzen as nga politikanët, as nga askush. “Ata, shumica e tyre, kanë dalë nga duart tona. Prandaj, mendoj se është koha që ne të jemi këmbëngulës për kërkesat tona, Sepse, edhe kërkesat dhe vetë Kryesia qendrore e SBASHK-ut po na duken se në momentet më të spikatura po lëshojnë pe. Prandaj, apelojmë edhe Kryesinë Qendrore të SBASHK-ut që mos të dorëzohen para rasteve, kur duhet të finalizohen kërkesat tona”, theksoi ajo.

Sindikalistët janë të pajtimit që të niset me përgatitjet për veprime sindikale dhe janë pajtuar që përmes formularëve të nënshkrimeve të merret autorizimi i anëtarësisë për veprime të nevojshme,duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme në përpjekje për realizimin për ngritje pagash.

Ata premtuan se do të marrin nënshkrimet e të gjithë mësimdhënësve që do të përkrahin këto kërkesa dhe propozuan që në këtë fillim gjysmëvjetori të realizojnë grevën, në fillim njëorëshe, ditën e dytë të mos punojnë fare, e nëse duhet këtë grevë ta shndërrojnë në kërkesë të vetme deri në realizim të kërkesave të tyre.

Ata kërkuan edhe mjete për shujtë të ngrohtë. Kurse tashmë ata po kërkojnë edhe realizimin e gjashtë pagave të mësimdhënësve që pensionohen, dhe janë mbi 30 raste kur mësimdhënësit në komunën e Prizrenit kanë fituar të drejtën që pagat e përmendura t’u paguhen që në muajin kur ata pensionohen.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Lajmet e Fundit