Kompania Regjionale për Mbeturina “Eko Regjioni” ka filluar punën me pastrimin e mbeturinave nw Suharekë që kanë sjellë ujërat e shiut që ra një natë më herët.
Sipas një njoftimi të komunës, kjo kompani po pastron fillimisht rrugën kryesore të qytetit për të vazhduar më pastaj edhe rrugët tjera lokale, aty ku ka nevojë.
Menaxheri i kësaj Kompanie Tahir Kolgeci, së bashku me punëtorë është pjesë e këtij pastrimi duke u munduar që sa më shpejt të krijoj një ambient të mirë dhe lëvizje të lehtë për qytetarët.
Kryetari i Komunë së Suharekës, Bali Muharremaj në orën 8:00 të ditës së sotme ka ftuar në takim urgjent drejtorët e drejtorive komunale ku kanë dhënë raport secili për sektorin e tyre me rastin e vërshimeve të djeshme që ndodhën në komunën e Suharekës.
“Kryetari ka kërkuar nga të gjithë të jenë në dispozicion të kërkesave të qytetarëve dhe të vazhdojnë të jenë në terren për të parë nga afër situatën dhe të angazhohen që ta bëjnë sanimin e gjendjes sa më shpejt”, njofton komuna përmes Facebook-ut.
Ekipi i KALLXO.com dje ka qëndruar në Suharekë, pas vërshimeve që përfshin 50 për qind të fshatrave të kësaj ane.
Si pasojë e gjendjes së rënduar 8 persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.