Pas Dosjes së Këngëve të Jugut Iso-Polifonia Shqiptare, e cila që nga viti 2006 është pranuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization – UNESCO), si vlerë e trashëgimisë gojore të njerëzimit dhe përfaqëson Shqipërinë, edhe Eposi i Kreshnikëve kërkon mbrojtje nga kjo organizatë botërore, për ta përfaqësuar shtetin e Kosovës.
Po bëhen një vit qyshkur një grup ekspertësh shqiptarë në krye me Dr. Zymer Nezirin, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe etnoepikolog, dhe Ministria e Kulturës e Kosovës, dorëzuan në selinë e UNESCO-s në Paris, kërkesën që Dosja e Eposit të Kreshnikëve të vihet nën mbrojtjen botërore të kësaj organizate, si një ndër kryeveprat e trashëgimisë gojore të njerëzimit.
Bartësi i këtij projekti, Zymer Neziri, thotë se nuk ka informacione nëse kërkesa e Ministrisë së Kulturës është shqyrtuar nga UNESCO, por ai shpreh besimin Dosja e Eposit të Kreshnikëve, për karakterin e saj heroik-legjendar dhe fuqinë artistike, do të shpallet nga UNESCO-ja si vlerë e trashëgimisë orale të njerëzimit, pavarësisht faktit që Kosova ende nuk është pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Këngët e epikës legjendare janë monumenti më i madh i poezisë gojore shqiptare. Ky epos, që ende bën jetë të gjallë, kryesisht në viset malore në Shqipëri, në Kosovë e në Mal të Zi, është një nga eposet e fundit të gjalla në Evropën Juglindore”, thotë Zymer Neziri.
Vite më parë Qeveria e Kosovës e kishte licencuar një komision ekspertësh në përbërje nga Zymer Neziri nga Prishtina, Shaban Sinani dhe Vasil Tole nga Tirana, që ta hartonin Dosjen e Eposit të Kreshnikëve, si një përpjekje e institucioneve të Kosovës që t’i promovonte vlerat kulturore brenda organizatave në varësi të OKB-së.
Neziri tha se gjatë hartimit të Dosjes së Eposit të Kreshnikëve për të aplikuar në UNESCO, një mbështetje të madhe këtij projekti ia kishin dhënë edhe dy studiues të huaj – dr. David Elmer nga Universiteti i Harvardit, përgjegjës i deritashëm i Koleksionit të madh të epikës gojore në Universitetin e Harvardit, Kembrixh (Cambridge), SHBA dhe Nicola Scaldaferi, nga Universiteti i Milanos, Itali, etnomuzikolog.
Epikologu Neziri shtoi se në aplikacionin e dorëzuar në UNESCO janë shtruar të gjitha karakteristikat e epikës shqiptare, ku jepen të gjitha detajet karakteristike që ka Eposi i Kreshnikëve, siç janë: vjetërsia e ciklit të këngëve të kreshnikëve; koleksionet më të njohura (ato të botuara, si dhe ato të cilat ende bëjnë jetë të gjallë nëpër disa vise të Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë së Veriut; Koleksionet e botuara në gjuhët botërore etj.
Ndryshe, vetëm një javë më parë, në Prishtinë u mbajt një konferencë shkencore në Institutin Albanologjik me temën “Gjendja e Eposit të Kreshnikëve në pesë vende të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi”. Studiues shqiptarë por edhe të huaj, në këtë konferencë u pajtuan se hulumtimet në fushën e epikës popullore, sidomos ato të Ciklit të Këngëve të Kreshnikëve, duhet të vazhdojnë ende, sepse, sipas një pjesë bukur e madhe e këtij visari shpirtëror shqiptar ende bënë “jetën” e gjallë në viset veriore të Shqipërisë dhe si i tillë ai duhet të mblidhet dhe të studiohet, para se të shuhet nga zhvillimet e globalizmit dhe të “agresionit” të teknologjisë informative. /Albinfo/