Shkollat e arsimit parauniversitar në Kosovë do ta bojkotojnë mësimin në ditën e premte, më 30 janar, në shenjë pakënaqësie për moszbatimin e Kontratës Kolektive nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për KosovaPress se të premten do të mbahet grevë njëditore, derisa i ka porositur prindërit që të mos i dërgojnë fëmijët në shkolla, pasi që do të mbesin jashtë objekteve shkollore.
Greva do të fillojë në ora 8:00
“Shkollat janë duke u përgatitur për grevën njëditore të 30 janarit dhe ajo që na brengos shumë është kërkesa e ashpërsuar e tyre që pas kësaj greve të shkojmë menjëherë me veprime të tjera sindikale. Ne do ta mbajmë grevën e të premtes, që është njëditore, dhe nga këtu i kisha drejtuar prindërve kërkesë për mirëkuptim që mos t’i nisin nxënësit për në shkolla, ngase greva e mësimdhënësve sipas gjitha gjasave do të fillojë në orën 8:00 dhe do të mbyllet në orën 12:00 dhe në grevë do të jenë bashkërisht mësimdhënësit e të dyja ndërrimeve. Këtë që po e them është edhe me konventa ndërkombëtare edhe me ligjin e grevës”, ka thënë ai.
Kryetari Jasharaj ka thënë se kërkesat e tyre mbesin të njëjta, siç është pagesa prej dy euro në ditë për shujtë të mësimdhënësit, realizimi prej 0,5 për qind i pagesës për çdo vit të punës, 70 për qind e mjeteve për mësimdhënësit udhëtarë si dhe tre paga suplementare, të cilat janë të garantuara me Ligjin e Punës dhe Kontratën Kolektive.
Mirëpo, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se edhe nëse iu bëhet ndonjë ofertë nga Qeveria për plotësim të kërkesave të tyre në një periudhë të mëvonshme, një gjë të tillë do ta diskutojnë me mësimdhënës dhe vendimi do të dalë nga ta.
“Ne çdo ofertë të re që na jep Qeveria, çdo kërkesë që ndonjëra prej pikave të implementohet pak më vonë për shkaqe buxhetore apo për shkaqe të situatës, ne do ta diskutojmë me mësimdhënësit dhe unë po them edhe një herë, unë jam vetëm zëri i mësimdhënësve, atë që e thonë mësimdhënësit e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Jasharaj ka theksuar se për dallim nga dy grevat e kaluara, në të cilat një numër prej rreth 20 institucionesh të arsimit parauniversitar nuk kanë marrë pjesë, të premten pritet që bojkotimit të punës t’i shtohen edhe këto institucione pasi, sipas tij, të gjithë mësimdhënësit e kanë kuptuar seriozitetin e kësaj nisme.
Ai ka theksuar se pas grevës njëditore, nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre, hapat e ardhëm të SBASHK-ut do të jenë shumë më të vështirë.
Në grevën e së premtes përjashtohen institucionet parashkollore.