Askush nuk i beson presidentit të Kosovës
Iniciativa e përmendur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pak pas marrjes së mandatit të tij, për ndryshimet eventuale në Kodin penal dhe atë të procedurës penale, sipas analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, është joserioze dhe nuk ka ndonjë qëllim të mirë. Kjo ngase, sipas tyre, edhe kodet që janë tani në fuqi janë në përputhje me legjislaturën penale të Unionit Evropian, por që vetëm kërkohet zbatimi adekuat i tyre. Andaj është shtuar edhe dilema se a mund të jetë ndryshimi i kodeve në fjalë vetëm një farsë, kinse për goditjen e krimit të organizuar e korrupsionit, meqë dihet se kodi penal mund të ketë të meta, por nuk paraqet ndonjë pengesë për ta goditur krimin, ngase sipas analistëve pengesa kryesore në këtë drejtim është politika, si dhe prokurorët e gjyqtarët e paaftë, të paguximshëm për t’u ballafaquar me krimin.
Analisti Muhamet Kelmendi ka bërë me dije për gazetën “Kosova Sot” se atëkohë kishte qenë anëtar i komisionit në përpilimin e Kodit Penal të Kosovës, por edhe gjatë ndryshimeve të bëra të këtij kodi, madje siç tha në kodin e parë penal kishte qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Më tej Kelmendi ka shtuar se, duke qenë se kishte marrë pjesë edhe në hartimin e tij, por edhe atij të Ligjit të procedurës penale, ku sipas tij gjatë hartimit të tillë i tërë komisioni ishte mbështetur kryesisht në legjislaturën penale të Unionit Evropian.
“Andaj, me këtë dua të them se nuk është çështje e luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe veprimtarive devijuese dhe antishtetërore që i ka paraparë Kodi Penal se i njëjti nuk është i rregulluar dhe ka mungesë juridike për t’i luftuar dukuritë në fjalë, por në këtë drejtim është vetë politika ajo, e cila i ka kapur thjesht organet e hetuesisë, duke filluar nga policia te gjykatat e të gjitha niveleve e deri tek Gjykata Kushtetuese”, theksoi ai.
Ndërkaq, deputeti Zafir Berisha ka thënë për gazetën “Kosova Sot” se: “Ndryshimet jo gjithherë mund të sjellin të mira dhe në këtë rast, meqë pjesë e shumë të zezave në Kosovë është vetë Hashim Thaçi, me të drejtë ka vend për të dyshuar se ndryshimet eventuale mund edhe të nënkuptojnë fshehjen e shkeljes së ligjit dhe keqpërdorimeve që i ka bërë ai vetë dhe garnitura e tij, pasi tashmë edhe publikisht dihet se shumë njerëz rreth tij kanë edhe aktakuza publike”. /Kosova Sot/