13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Tramvaj elektrik… që në Shqipëri, nuk erdhi kurrë

Shqipëria nuk e ka ende në ditët e sotme, një tramvaj edhe pse, diskutimet kanë nisur, më shumë se 1 shekull më parë.

Diskutimet e para për ndërtimin e një tramvaji elektrik, janë zhvilluar në Vlorë dhe qeveria e përkohshme e Ismail Qemalit e nisi një projekt të tillë, pa pasur mundësinë që ta finalizonte. Po ashtu, diskutime të tilla janë zhvilluar edhe në Shkodër, në vitet 1918 -1919 dhe 1931, por as ato nuk janë finalizuar asnjëherë.

Ndërtimi i tramvajëve elektrikë duket se vjen nga fakti se në mbarë vendin, ushtritë e huaja kishin lënë në përfundim të Luftës së Parë Botërore shinat e dekovilëve dhe pajisjet e teleferikëve që i përdornin për transportin e materialeve ushtarake.

E në këto kushte, materialet e lëna pas u vunë në përdorim nga shqiptarët të cilët sistemuan karroca për shinat që në vend të një lokomotive, tërhiqeshin nga kuaj. Raste të tilla kishte në Durrës apo në Vlorë.

Projekti i parë për një tramvaj elektrik në Vlorë

Pavarësisht jetëgjatësisë së shkurtër, mungesës së stabilitetit në periudhën e qeverisjes, kufizimit territorial të kompetencave e pamundësive të tjera, qeveria e parë e shtetit shqiptar të pavarur që kryesohej nga Ismail Qemali do të bënte disa përpjekje për zhvillimin e vendit.

E në këtë kuadër, veç koncesionit për krijimin e Bankës së Shtetit, kjo qeveri do të planifikonte edhe një koncesion tjetër; ndërtimin e një trami elektrik që do të përshkonte qytetin e Vlorës duke ofruar shërbime për transport udhëtarësh dhe mallrash.

Thirrjes së parë të publikuar në gazetën “Përlindja e Shqipniës”, në numrin 5 të saj në vitin 1913 do t’i përgjigjej një kompani italiane e cila do të jepte edhe propozimet e saj të cilat gjithashtu do të publikoheshin në këtë gazetë.

“Midis veprave të tjerë që po pregatiten në minister të punëve botore, asht edhe puna e tramit të Vlonës. Qeveria e Pertashme vendosi t’ a stolisë Vlonën me një tram elektrik. Vjia e tramit do t’a lidhë qytetin me skelën e këtë me cesmiën e Ferrit, ku, pa dyshim, do të ndërtohet Vlona e re” shkruhet në artikull.

Në disa numra të saj, gazeta do të publikonte detajet e projektit që parashikonte që trami të funksiononte përmes një kablloje të jashtme elektrike.

Referuar artikullit të gazetës, koncesioni kërkohej me kushtet e mëposhtme. Hapja dhe rregullimi i trasesë së tramit do të bëhej nga koncesionari, nën kontrollin e qeverisë. Puna planifikohej të niste 4 javë pas miratimit të koncesionit e do të përfundonte brenda 7 muajve.

Qeveria do të amortizonte prishjet e ndërtimit të tramit për 36 vite në shumën prej 300 mijë liretash italiane dhe nga ana tjetër do të merrte 30 % të fitimit nga ky aktivitet.

Në fund të publikimit, gazeta ftonte të gjithë të interesuarit për një vepër të tillë që të japin propozime të tjera në ministrinë e Punëve Publike, që nëse do të jepnin një ofertë tjertër me kushte më të favorshme për qeverinë shqiptare, mund të shpalleshin fitues.

Një detaj që i mungon 5 thirrjeve publike të bërë në gazetë është emri i kompanisë që propozonte një projekt të tillë. Ndërkohë, pas publikimit të thirrjes publike disa herë, gazeta nuk jep më të dhëna për këtë projekt e as nuk publikon ecurinë e tij.

Francezi mashtrues që kërkonte tramin elektrik të Vlorës

Ideja e një tramvaji elektrik në Vlorë rikthehet në vitin në vitin 1935. Një kompani e quajtur ‘Ateliere de Chromage e Galvanoplastie” që ndodhej në Tiranë kishte si themelues një shqiptar dhe një inxhinier francez të quajtur Oscar Gendre.

Këta të dy kishin bërë një ofertë në bashki për të përfituar sipërmarrjen e ndriçimit elektrik të qytetit të Vlorës dhe për të marrë koncesionin e ndërtimit dhe instalimit të një tramvaji elektrik që do të bënte rrugën Vlorë-Skelë, Vlorë-Nartë dhe unazën e qytetit.

Duke qenë se bashkia nuk kishte dijeni mbi këtë kompani dhe mbi personat që e përfaqësonin atë, kryetari i Bashkisë i kërkoi informacion ministrisë së Brendshme para se të merrte hapin e kërkuar. Ministria e Brendshme kërkoi kohë për të dhënë përgjigje dhe fillimisht i kërkoi bashkisë që të presë deri në momentin që të merret informacioni i kërkuar.

E në fakt, ministria e Brendshme i shkruan legatës franceze në Tiranë në mënyrë që të sigurojë informacionin e kërkuar mbi personat që bënin kërkesën, kompaninë në fjalë si dhe mbi kapacitetin financiar të ofertuesve që projekti të mos rezultonte një dështim.

Ministria e Brendshme e Shqipërisë bën hetimet e duhura dhe i kthen një përgjigje bashkisë duke zbuluar se në këtë rast inxhnieri francez Oscar Gendre konsiderohej një person me sjellje të keqe, mashtrues dhe që nuk kishte asnjë kapital për përballimin e një sipërmarrje të kësaj natyre.

Në këto kushte, projekti i tramvajit elektrik të Vlorës mbeti vetëm në kuadrin e diskutimeve, duke mos u realizuar kurrë.

Përgjatë atyre viteve, në Vlorë funksioi vetëm një tram që tërhiqej nga një kalë dhe që shërbente edhe për transport njerëzisht, veç dekovilit që shërbente për transportin e mineraleve nga Selenica në Portin e Vlorës.

Projekti i Shkodrës për tramvaj elektrik në vitin 1919

Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, ashtu si në Durrës dhe në zona të tjera të vendit, edhe në Shkodër ushtria austro-hungareze kishte lënë pas një seri vagonësh dhe shina dekovilësh të cilët nisën të shfrytëzoheshin në mënyrë rrethanore nga shqiptarët.

Në vitin 1919, Bashkisë së Shkodrës iu bë një kërkesë për të vënë në funksion dy karroca/ vagonë të cilët do të përdoreshin në udhët e hekurta që kishin lënë pas ushtritë. Referuar kërkesës së bërë bashkisë së Shkodrës, parashikohej që këto vagonë do të përdoreshin për transportin e qytetarëve nga Parruca në Pazar të Shkodrës. Këto karroca do të tërhiqeshin nga dy kuaj.

Po në këtë vit, ndërsa në bashki diskutohej kjo nismë, ekzistonte edhe një projekt tjetër.

Këshilli i Bashkisë së Shkodrës vendosi me 24 shkurt 1919 që të ngrejë në qytetin e Shkodrës një tramvaj elektrik. Por ky projekt i miratuar nga këshilli mbeti vetëm në letër, për mungesë fondesh.

Në vitin 1924, Bashkia e Shkodrës ndërmerr një përpjekje tjetër për të finalizuar këtë projekt që në thelb do të ulte kostot e transportit në qytet. Në këtë kuadër, një inxhinier austriak bën një studim të detajuar se sa do t’i kushtonte qytetit kjo mënyrë transporti por që në fund nuk finalizohet për mungesë fondesh.

Në vitin 1931, Bashkia e Shkodrës rikthen sërish diskutimet për këtë projekt.

Bashkia u drejton kërkesë zyrtare kompanive të njohura europiane të njohura për ndërtimin e tramvajeve elektrike. Kërkesat drejtohen në Austri, Itali e Gjermani.

Në listën e kompanive është edhe kompania FIAT e cila i kthen përgjigje Bashkisë së Shkodrës duke i sugjeruar se do të ishte më rentabël vendosja e një sistemi autobuzësh sesa ndërtimi i një sistemi tramvaji elektrik.

Po ashtu, edhe kompania ‘Siemens’, dega e Austrisë bën një studim të plotë e të detajuar që ja dorëzon Bashkisë së Shkodrës, por për të nisur nga puna, kompania kërkon garanci financiare.

Po ashtu, nuk mungojnë as projekte të tjera nga kompani të ndryshme ndërkombëtare që propozojnë që krahas ndërtimit të tramvajit, të ndërtojnë edhe central elektrik apo të marrin në koncesion shfrytëzimin e lumit Drin. Pavarësisht studimeve e ofertave të ndryshme, asnjë prej projekteve nuk u realizua ndonjëherë.

Nga: Kreshnik Kuçaj /Marrë nga Konica.al

Më Shumë

Durrësi qyteti më i nxehtë deri në 2040-ën, në mesin e tyre edhe Prizreni

Zyra e Bankës Botërore në Kosovë bën të ditur se nxehtësia ekstreme në qytetet e Ballkanit Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm dhe valët e të...

69 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

69 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë. 27 nga këto aksidente janë me të lënduar, ndërkaq 42 me dëme...

Lajmet e Fundit