25.8 C
Prizren
E martë, 21 Maj, 2024

Tri orë radhë për autografin e Fevziut për “Zogun”

blendi fevziu ne panairKureshtja dhe interesi për librin ishte e madhe në ditën e parë të Panairit të Librit, por disa autorë dhe libra tërheqin veçanërisht vëmendje. Radha e lexuesve të të gjitha moshave e profesioneve ishte e gjatë pranë stendës së Botimeve ‘UET-Press’. Lexuesit kishin mundësinë që të merrnin autografe për librat më të rinj të autorëve Ben Blushi, Blendi Fevziu dhe Preç Zogaj, të pranishëm gjatë panairit. I pari ringjall një interes të madh për një nga librat e parë të tij, “Otellon”, i cili u vlerësua me “Çmimin Europian për Letërsinë” para disa javësh si dhe prezantohet me esenë “Hëna e Shqipërisë”, botim i këtij viti. Zogaj vjen me një publicistikë mbi ngjarjet më të ethshme të post-komunizmit, vitet ’90-‘91 me librin “Fillimet,”, periudhë ku ai ka qenë një nga protagonistët kryesorë. Ndërsa gazetari Fevziu vjen sërish me një gjetje për të tërhequr vëmendjen e lexuesve, ashtu si një vit më parë bëri me biografinë e Enver Hoxhës. Ai vjen me një libër mbi një nga figurat më kontradiktore të historisë, Ahmet Zogun. Këta autorë dhe të tjerë shkrimtarë nga kjo Shtëpi botuese do të jenë çdo mbrëmje në orën 18:00 në stendën e UET-Press për të firmosur autografe për lexuesit.

Fevziu: Pse Zogu është më interesant se Hoxha

Një autograf dhe një foto me gazetarin Blendi Fevziu. Ishte e njëjta skenë e ripërsëritur si një de javu nga një vit më parë, kur i njëjti autor kishte thithur gjithë vëmendjen e lexuesve me librin mbi Enver Hoxhën. Këtë herë, sërish Fevziu ka goditur me zgjedhjen e tij të zgjuar, një libër për Ahmet Zogun, një personazh për të cilin janë ngritur mite të kundërta, një personazh që në penën e një gazetari të njohur dhe shumë popullor si Fevziu e bën suksesin e sigurt. Të paktën kështu rezultoi herën e parë (me Hoxhën) dhe kështu po ndodh edhe me librin mbi Zogun, i cili sipas gjasave do të thyejë rekordet e librit mbi diktatorin. 5 mijë kopje të shituara vetëm disa ditë pas daljes në treg, libri mbi Zogun duket se po lufton të thyejë rekordin e 50 mijë kopjeve të shitura të librit mbi Hoxhën. Po pse është kaq interesant Zogu si personazh? Autori thotë se ai është një personazh më interesant se Hoxha për disa arsye. “Është më i hershëm, por jo më pak i njohur dhe njëkohësisht më interesant se Enver Hoxha, sepse distanca me kohën ka krijuar një tjetër përqasje ndaj tij dhe e dyta, sepse ka qenë një personazh i anatemuar për shumë gjatë dhe një personazh që nuk ka lënë kujtime të shkruara në vetën e parë, gjë që bënte shpeshherë një lloj miksimi të legjendave urbane të librave të shkruar shpesh nga kundërshtarë ose njerëz të afërt të tij. Pra dikush e glorifikonte, dikush e anatemonte dhe kjo ka krijuar gjithnjë një situatë ndaj Zogut, i cili ka qenë një personazh i parë shumë nga të huajt, por më pak nga shqiptarët. Ka rreth 21 libra rreth tij nga autorë të huaj dhe më pak libra nga autorë shqiptarë”, – thotë Fevziu gjatë qëndrimit në stendën e UET-Press. Ndërsa ka arritur të tërheqë vëmendjen e familjes mbretërore, pasi nipi i Mbretit Zog, Princi Leka së bashku me të fejuarën erdhën të blinin librin e të merrnin dhe autografin e autorit, gazetari Blendi Fevziu u përgjigjet disa pyetjeve mbi arsyet pse Ahmet Zogu po tërheq kaq shumë lexues.

Një gjë që bie në sy në karrierën e tij është fakti se ai kishte një moshë shumë të re kur ngjiti shkallët e politikës nga deputet në president e më pas Mbret…

Është befasuese. Kjo është një nga misteret dhe pashpjegueshmëritë e karrierës së Zogut, i cili ka qenë 17 vjeç në Kuvendin e Pavarësisë. Unë e kam thënë dhe herë të tjera që ai shkon 21 vjeç dhe bëhet kolonel i ushtrisë austro-hungareze, 25 vjeç ministër i Brendshëm, 26 vjeç Kryeministër, 28-29 vjeç President dhe 30 vjeç Mbreti i Shqipërisë. Pra, nga ky këndvështrim është një personazh që e ka kryer karrierën e tij në limitet moshore, ose siç mund të quhet, konturet që nuk e lejojnë një personazh të arrijë disa nivele të caktuara, por në anën tjetër është po ashtu një nga personazhet që dolën nga politika në një moshë shumë të re.

Cila ishte marrëdhënia e tij me kundërshtarët, disa prej tyre u vranë, a i eliminonte ai kundërshtarët e tij?

Ka pasur më shumë një mit mbi ekzekutimin e kundërshtarëve. Zogu ka qenë një personazh që kanë tentuar ta vrasin dhe ka vrarë kundërshtarë të tij politikë. Kundërshtarët kanë dashur ta vrasin, ai ka dashur t’i eliminojë; me disa ka arritur, me disa s’ka arritur. Raporti i Zogut me kundërshtarët është shumë interesant për një arsye të thjeshtë. Ai tentonte t’i joshte dhe t’i blinte, më shumë sesa t’i eliminonte kundërshtarët e tij. Kjo ka qenë filozofia më e fortë politike e Zogut dhe nuk di të them nëse është e mirë apo e keqe.

Po marrëdhënia e tij me miqtë?

Një formë normale politike, nëse e sheh politikën shqiptare, miqtë e dikurshëm bëhen armiq, pastaj kthehen sërish miq… kjo lidhet me zhvillimet politike. Çështja është që miqësia dhe armiqësia të qëndrojnë brenda kontureve të politikës. Kur bëhet fjalë për eliminimin fizik, kemi parasysh se bëhet fjalë për një kulturë 80 vjet më parë, atëherë kjo kthehet në një gjë problematike.

A krijoi Zogu shtet, shtetin e parë shqiptar, siç thuhet?

Është udhëheqësi i parë i shtetit shqiptar, në kuptimin që është i pari politikan që krijoi një unitet territorial të Shqipërisë, pra arriti të unifikojë territoret shqiptare që ishin në atë kohë të ndara në principata e të drejtuara nga bejlerë e bajraktarë lokalë. Ai e ktheu në një shtet nga Vermoshi në Konispol, edhe pse në një shtet me shumë probleme, me shumë defekte.

A ka diçka që politika e sotme mund ta mësojë nga Zogu?

Politika e sotme ka shumë nevoja, por nuk duhet të kthehet pas. Ajo që ishte karakteristikë e Zogut në ditët e para të tij ishte aftësia për të bërë kompromise, gjë që politika e sotme nuk më rezulton që ta ketë.

Më Shumë

Në 25-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, djali i tij publikon një letër të shkruar nga i ati

Kryetari i Komisionit për të Pagjeturit, Andin Hoti, në 25-vjetorin e zhdukjes së babait të tij, veprimtarit Ukshin Hoti, e ka përkujtuar atë mënyrë...

Vdes ish-ushtari i UÇK-së, Mehmet Bylykbashi

Ka vdekur ditën e shtunë ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mehmet Bylykbashi. Më parë, i ndjeri kishte kërkuar ndihmë edhe për shërim. Ndërsa lajmin për...

Lajmet e Fundit