11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Valon Totaj: Riorganizimi i gjykatave forcon besimin e qytetarëve

Valon Totaj - FotoProcesi i reformës përmes riorganizimit të gjykatave, përkatësisht të Gjykatës Themelore të Prizrenit, po ndikon në avancimin e punës profesionale dhe të përgjegjshme, parakushte këto të forcimit të besimit qytetar ndaj Gjykatës. Për të konsoliduar edhe më tej këtë besim, angazhohet edhe Valon Totaj, Udhëheqës i Divizionit Civil të Gjykatës Themelore të Prizrenit, të cilin e ftuam për intervistën e shkurtë.

1. Sa efikase është Gjykata Themelore në punën e saj?

Konsideroj se Gjykata Themelore e Prizrenit është mjaft efikase në kryerjen e punëve të saja. Bazuar në statistikat të cilat janë përpiluar nga zyrtari i statistikave të kësaj gjykate, del se në vitin 2014, realizimi i normës së punës për gjyqtar ka qenë 118 %, çka do të thotë se të gjithë gjyqtarët e kësaj gjykate e kanë tejkaluar normën e caktuar nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ky efikasitet nuk ka të bëjë vetëm me shifrën e përqindjes, por edhe me faktin se aktualisht në Gjykatën Themelore ka rënë dhe është në rënie e sipër numri i lëndëve të cilat janë në punë, ku si rezultat i kësaj, tani palët presin shumë më pak për caktimin e lëndëve të tyre, se sa në vitin 2012 apo në vitin 2011.

2. Sa jeni të sfiduar nga numri i madh i lëndëve në punën tuaj të përditshme?
Sigurisht se njëra prej sfidave më të mëdha në punën e gjyqtarit është numri i madh i lëndëve. Me një sfidë të tillë jemi ballafaquar sidomos në fillimin e ushtrimit të funksionit të gjyqtarit në vitin 2010. Për shkak se asokohe numri i gjyqtarëve ishte shumë i vogël, por edhe duke e pasur parasysh procesin e reformimit të përgjithshëm nëpër të cilin ishte duke kaluar sistemi gjyqësor i Kosovës, ka ndodhur që qytetarët e Kosovës, të detyrohen të presin gjatë në kryerjen e lëndëve të tyre. Mirëpo me kalimin e kohës dhe me jetësimin e reformave të gjithanshme në sistemin gjyqësor të Kosovës, situata ka ardhur duke u përmirësuar dukshëm. Aktualisht, numri i lëndëve në punë pranë kësaj gjykate është nën kontroll, pra përkthyer në gjuhën e kuptueshme për të gjithë, kjo do të thotë se qytetarët e Prizrenit dhe jo vetëm ata, nuk detyrohen më që të presin me vite apo edhe dekada të tëra që gjykata t’i caktoj në punë lëndët e tyre.

3. Hulumtimet tregojne për nivel jo te madh të besimit qytetar ndaj Gjykatës. Pse ndodh kjo? Si reagoni si gjyqtar kur dëgjoni raporte të tilla?

Çështja e besimit apo mosbesimit të qytetarëve ndaj gjykatës apo edhe institucioneve të tjera shtetërore është një çështje komplekse. Shumë faktor në të kaluarën kanë ndikuar që institucionet shtetërore asnjëherë të mos shikohen me sy të mirë, përkatësisht si organe ku ata do t’i zgjidhnin kontestet e tyre dhe t’i realizonin të drejtat e tyre qytetare. Prandaj, personalisht nuk befasohem shumë kur dëgjojë për hulumtime të tilla të cilat dëshmojnë për mosbesimin e qytetarëve ndaj gjykatave, sepse ky mosbesim pjesërisht është i kuptueshëm. Sidoqoftë, gjërat tani kanë filluar të ndryshohen për mirë dhe shpresoj se shumë shpejt edhe besimi i qytetarëve do të fillon të krijohet dhe forcohet ndaj institucioneve shtetërore në përgjithësi, por edhe ndaj gjykatave në veçanti. Do të mundohemi që me punën tonë t’ua bëjmë me dije të gjithë qytetarëve tanë se ne jemi aty për ata, e jo ata për neve.

4. Çfarë duhet bërë që të forcohet besimi qytetar ndaj Gjykatës?

Mendoj se ajo çfarë duhet të bëjmë të gjithë ne si gjyqtar, është që të gjithë t’i kryejmë punët tona me nder dhe profesionalizëm. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë që tek qytetarët tonë ta krijojmë dhe forcojmë besimin ndaj gjykatës. Konsideroj se pas reformës së bërë në kuptim të riorganizimit të gjykatave, përkatësisht të Gjykatës Themelore në Prizren, janë krijuar kushtet që përmes punës profesionale dhe të ndërgjeshme të fitohet dhe forcohet besimi i qytatarëve ndaj gjykatës. Jam i mendimit se në gjykatën tonë, koha e numrave në kuptim të
lëndëve të përfunduara, ka kaluar. Tani duhet të jetë koha e cilësisë së lëndëve të përfunduara.

5. Sa bashkëpunoni me organizatat e shoqërisë civile në Prizren?

Gjykata Themelore e Prizrenit është e hapur për bashkëpunim me të gjitha organizatat e shoqërisë civile në Prizren. Bashkëpunim të veçantë kjo gjykatë ka me organizatën EC Ma Ndryshe, me të cilën edhe janërealizuar një mori aktivitetesh si debate e vizita në gjykatë me qytetarë e studentë, janë prodhuar disa materiale të rëndësishme për qytetarët, përmes të cilave është mëtuar që të rritet komunikimi në mes të qytetarëve të Prizrenit si dhe kësaj gjykate. Gjykata do të jetë e hapur për bashkëpunim me të gjitha organizatat e shoqërisë civile të cilat janë të intersuara që ta avansojnë komunikimin në mes të qytetarëve të Prizrenit dhe gjykatës së tyre.

Më Shumë

Sot, ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”

Të premten, me datë do të 26 mbahet ceremonia përmbyllëse të garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”. Siç ka bërë të ditur Ministria e...

Arrestohet një burrë në Malishevë, rrahu fëmijët e tij të mitur

Në Malishevë, një burrë u arrestua, pasi ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tij të mitur. “Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas...

Lajmet e Fundit