7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Veriu në duart e ndërkombëtarëve

Naim MalokuNaim Maloku, ekspert i çështjeve të sigurisë, ka vlerësuar se institucionet e Kosovës nuk do të kenë rol vendimtar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në veri.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Maloku ka thënë se rolin kryesor në krijimin e një ambienti të sigurt në ditën e zgjedhjeve në veri do ta kenë institucionet ndërkombëtare të sigurisë. “OSBE-ja, EULEX-i dhe KFOR-i do ta kenë barrën kryesore në ofrimin e një ambienti të sigurt ditën e zgjedhjeve në veri”, ka deklaruar Maloku.
Ai ka thënë se zgjedhjet në veri nuk mund të dëmtohen nga strukturat radikale që veprojnë atje. Sipas Malokut, pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje do të varet nga thirrjet e Beogradit. Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Maloku i ka sugjeruar Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të merret seriozisht me ristrukturimin dhe organizimin e Policisë së Kosovës në veri. Në këtë kontekst, Maloku ka kërkuar nga institucionet e sigurisë mos të bien pre e askujt në ditën e zgjedhjeve lokale, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës. “Institucionet e sigurisë ditën e zgjedhjeve nuk duhet të bien pre e askujt. Ato nuk duhet të fiksohen nga askush. Këto institucione duhet të organizohen mirë dhe nuk duhet të lejojnë asnjë parregullsi më 3 nëntor”, është shprehur Maloku.

“Epoka e re”: Z. Maloku, si e shihni ecurinë e procesit zgjedhor sidomos në veri, pasi në atë pjesë të Kosovës situata është pak më ndryshe?
Maloku: Qeveria e Kosovës më 3 nëntor do të ketë pak qasje në veri. Me vizitën e Aleksandër Vulinit është parë se Qeveria nuk e ka komandën mbi Policinë e Kosovës në atë pjesë, e kjo çështje duhet të rregullohet pas zgjedhjeve lokale. Barrën kryesore në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, sidomos në veri, do ta kenë faktori ndërkombëtar dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që me mundësitë e tij do të mundohet ta luajë rolin e vet me komisionarët që do t’i dërgojë në veri në ditën e zgjedhjeve.

“Epoka e re”: Pra, ju mendoni se rolin kryesor për organizimin e zgjedhjeve në veri do ta ketë faktori ndërkombëtar?
Maloku: Policia e Kosovës nuk e ka kryer punën si duhet, sidomos në ditën kur Vulini ka hyrë në veri. Për shkak të kësaj, OSBE-ja, EULEX-i dhe KFOR-i do ta kenë barrën kryesore në ofrimin e një ambienti të sigurt ditën e zgjedhjeve në veri.

“Epoka e re”: Autoritetet lokale në Mitrovicë kanë kërkuar nga institucionet e sigurisë t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm që në veri të mbahen zgjedhjet në një atmosferë demokratike. Sa do të mund të garantojnë institucionet e Kosovës ambient të sigurt për këto zgjedhje?
Maloku: Komiteti për siguri në Mitrovicë kërkon zgjedhje të lira dhe demokratike në veri, por duhet ta dini se në zgjedhjet e fundit kemi pasur probleme të hatashme në gjithë territorin e Kosovës. Mendoj se një gjë të tillë duhet ta kërkojë një komunitet i sigurisë në nivel të Kosovës, përfshirë Qeverinë, KQZ-në dhe partitë politike. Pra, kërkohet angazhim i të gjithëve që këto zgjedhje të organizohen mirë, në mënyrë që të marrin notën kaluese nga faktori ndërkombëtar. Kalimi i testit të zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për Kosovën për shkak të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi, sidomos me rastin e fillimit të dialogut për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Sipas mendimit tim, 3 nëntori paraqet një prag shumë të rëndësishëm që Kosova duhet ta kalojë. Ne prapë kemi dyshime, se këto zgjedhje mund të jenë përsëritje të zgjedhjeve të kaluara, sepse Kuvendi i Kosovës dhe partitë politike nuk kanë bërë asgjë për përfundimin e reformës zgjedhore.

“Epoka e re”: Sipas jush, duhet të mobilizohen institucionet e sigurisë të krijojnë një ambient të sigurt për ditën e zgjedhjeve në veri?
Maloku: Institucionet e sigurisë në ditën e zgjedhjeve nuk duhet të bien pre e askujt. Ato nuk duhet të fiksohen nga askush. Këto institucione duhet të organizohen mirë dhe nuk duhet të lejojnë asnjë parregullsi më 3 nëntor. Sa i përket veriut, OSBE-ja dhe EULEX-i duhet ta marrin përgjegjësinë për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

“Epoka e re”: Sa ka rrezik të ketë incident ditën e zgjedhjeve në veri për shkak se nga fillimi i fushatës zgjedhore strukturat radikale atje kanë kërkuar nga qytetarët të mos dalin për të votuar?
Maloku: Nuk besoj se do të ketë incidente të cilat do ta destabilizojnë gjendjen në Kosovë. Çfarëdo incidenti që mund të shkaktojnë grupet radikale në veri, sipas mendimit tim, nuk do të mund t’i vënë në pikëpyetje zgjedhjet atje. Zgjedhjet në pikëpyetje mund t’i vënë partitë politike dhe komisionarët në rast se sillen sikurse në zgjedhjet e kaluara. Në rast se do të ndodhë ndonjë incident në veri, adresa do të dihet, pra do të jenë grupet radikale të cilat janë kundër Kosovës. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se strukturat radikale në veri mund të shkaktojnë probleme edhe në të ardhmen. Të jem më i qartë, strukturat radikale mund ta lëndojnë procesin zgjedhor, por assesi ta dëmtojnë procesin.

“Epoka e re”: Pas 3 nëntorit, duhet që institucionet e Kosovës ta ndërrojnë qasjen karshi veriut?
Maloku: Ministria e Punëve të Brendshme pas zgjedhjeve duhet të merret me ristrukturimin e policisë në veri të Kosovës. Me fjalë të tjera, policët në veri duhet të thirren para përgjegjësisë. Ministria e Punëve të Brendshme duhet t’i mbledhë të gjitha informatat në mënyrë që ta ketë një pasqyrë të qartë se çfarë realisht duhet të ndryshojë në atë pjesë.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja për daljen e qytetarëve të veriut në zgjedhje?
Maloku: Të gjithë faktorët dhe elementet tregojnë se do të ketë numër të vogël të serbëve të veriut që do të dalin në zgjedhje. Mirëpo, në momente të caktuara serbët dinë të veprojnë ndryshe, sidomos kur marrin thirrje nga Beogradi. Me fjalë të tjera, ata u binden thirrjeve të Beogradit. Personalisht pres ngritje të përqindjes të serbëve në zgjedhje, pasi që këtë javë pritet të vijë në Kosovë Vuçiqi, i cili do të kërkojë dalje të serbëve në zgjedhje. Për mua nuk ka shumë rëndësi se sa serbë të veriut do të dalin në zgjedhje, por mbajtja e tyre në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pavarësisht se OSBE-ja do ta bëjë monitorimin e këtij procesi.

Më Shumë

Vlera e kredive të reja për muajin mars 2024 arriti në 241.20 milionë euro, edepozitave 69.70 milionë euro

Shtatë miliardë e 500 milionë euro janë asetet e bankave komerciale në Republikën e Kosovës derisa shuma e depozitave të qytetarëve arrin në 6.05 miliardë...

Dyshohet për tejkalim të autorizimeve policore, IPK rekomandon suspendimin e rreshterit policor në Prizren

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve...

Lajmet e Fundit