24.1 C
Prizren
E diel, 4 Maj, 2025

Vetëvendosje! akuzon Qeverinë për shpërfillje të kërkesave të qytetarëve

Pas skadimit të ultimatumit dyjavor që opozita i kishte dhënë Qeverisë së Kosovës për realizimin e disa kërkesave të saj, Lëvizja Vetëvendosje! ka vlerësuar se Qeveria nuk njeh gjuhën e mirëkuptimit, por atë të presionit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri ka akuzuar të shtunën Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij, jo vetëm që nuk i ka adresuar këto kërkesa, por ka vazhduar me avazin e vjetër duke e forcuar kështu edhe më tej kapjen e shtetit.

“Me këtë, Qeveria po e dëshmon se ajo nuk interesohet fare për interesin e qytetarëve sepse është në funksion të zaptuesve të shtetit. Është bërë mburojë e ruajtjes së profitit të Bechtelit, KEDS-it, Limakut, Devollëve e Elkosit, në dëm të interesit të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai gjatë një konference për media.

Ymeri theksoi se opozita do të vazhdoj të insistoj për çlirimin e shtetit nga kapja, për krijimin e një mjedisi demokratik në Republikën e Kosovës, të një hapësire që garanton pjesëmarrje të qytetarëve në vendimmarrjen politike e mirëqenien ekonomike.

“Ne do t’i intensifikojmë aksionet dhe veprimet politike për ta realizuar plotësimin e këtyre kërkesave. Kjo Qeveri e kapjes nuk mund të jetë Qeveri e Republikës. Qytetarët e organizuar janë fondamenti i Republikës, dhe vetëm qytetarët e organizuar mund ta çkapin shtetin e bëjnë Republikën”, ka thënë ai.

Ndërsa, nënkryetari i VV-së, Driton Çaushi, tha se koalicioni qeverisës ka vazhduar me neglizhim të skajshëm të interesave të qytetarëve dhe shpërfillje të institucioneve të vendit.

“Asnjë seancë parlamentare nuk është mbajtur tash e dy javë. Këto kërkesa të protestës janë të drejta, legjitime dhe në interes të mirëqenies së qytetarëve. Shpërfillja e qeverisë karshi këtyre kërkesave është shpërfillje e qytetarëve të vendit, dhe rrjedhimisht shpërfillje e interesave jetike të Republikës së Kosovës, dhe tregon qartë se qeveria nuk njeh gjuhën e mirëkuptimit por atë të presionit. Kjo e bën organizimin dhe angazhimin e qytetarëve edhe më të rëndësishëm e të domosdoshëm”, theksoi ai.

Rikujtojmë se opozita ka protestuar me 18 prill në Prishtinë, duke kërkuar plotësimin e pesë kërkesave si: të shfuqizohet vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) i datës 29 gusht 2014 dhe të shkarkohet Bordi i ZRrE-së; “Trepça” të shpallet me ligj ndërmarrje publike me status të veçantë; të shkarkohet ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi; të dorëhiqet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, të shkarkohet menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe të ndalohet krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kërkesa këto që Qeveria ka pasur ultimatum t’i plotësoj brenda dy javësh.

Më Shumë

Banorët e lagjeve “Bylbyldere” dhe “Ralin” në Prizren zgjedhin projektet për buxhetin e vitit 2026

Banorët e lagjeve “Bylbyldere” dhe “Ralin” në Prizren me votën e tyre kanë përzgjedhur projektin më prioritar për financim nga buxheti komunal i vitit...

Dragashi përballet me ndërprerje të përkohshme të ujit pas defektit pranë xhamisë së vjetër

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar konsumatorët e Dragashit se mbrëmë ka ndodhur një defekt në gypin kryesor të ujësjellësit, në afërsi...

Lajmet e Fundit