Lëvizja Vetëvendosje në Therandë, akuzon AAK-në se po tallet me banorët e Budakovës.
“Premtimet e AAK-së kinse do të investohen 2 milionë euro në fshatin Budakovë, janë tallje me e intelegjencën e banorëve të këtij fshati.”, thuhet në reagimin për medie të Lëvizjes Vetëvendosje në Therandë.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë:
AAK tallet me banorët e Budakovës
Përkundër premtimeve milionëshe të partive tjera për komunën e Therandës, buxheti komunal asnjëherë nuk e ka tejkaluar shumën e 13 milionëve. Të hyrat vetanake asnjëherë nuk kanë arritur më shumë se 4 milionë.
Investimet në qytetin e Therandës dhe fshatrave të saj asnjëherë nuk kanë qenë më të mëdha se 3.5 milionë euro duke bërë bashkë fondet e buxhetit të komunës dhe grantet qeveritare.
Premtimet e AAK-së kinse do të investohen 2 milionë euro në fshatin Budakovë, janë tallje me e intelegjencën e banorëve të këtij fshati.
Si do të investohen 2 milionë euro në Budakovë, kur Theranda i ka 43 fshatra?
Kjo i bie që fshatrat tjera do të mbeten të harruara nga “Qeveria“ e tyre. Qytetarët e Therandës dhe ata të Budakovës nuk janë injorantë. Ata e dijnë shumë mirë se këto premtime janë të parealizueshme dhe trillime për t’i mashtruar qytetarët. Por qytetarët nuk mashtrohen, ata nuk i besojnë dikujt që për 18 vite i ka gënjyer e i ka mashtruar.
Qeverisja në Therandë për vitin 2015 nuk ka investuar asnjë euro në fshatin Budakovë. Në vitin 2016 janë paraparë 50 mijë euro. I vetmi investim ka qenë projekti në lagjen Buzhala (një rrugë me kubëza) ku janë kryer vetëm 500m nga 800m, pra as ky projekt i vetëm nuk është i përfunduar.
Ndërsa për vitin 2017 janë paraparë 70 mijë euro, ku tanimë kanë kaluar 6 muaj nga viti 2017 dhe asnjë punë nuk ka filluar. Ku janë këto fonde?
Për sqarim të opinionit, nën qeverisjen e AAK-së buxheti vetanak i Komunës asnjëherë nuk ka kaluar 2.5 milionë. Pjesa tjetër e Buxhetit Komunal financohet si grante nga Buxheti Qendror i Republikës së Kosovës, i cili në vitin 2013 ka qenë afër 10 milionë. Mbi 50% e buxhetit çdo herë është ndarë në paga dhe meditje, pjesa tjetër është keqpërdorur.
Qytetarët e Therandës nuk i kanë parë këto miliona të investuara në komunë e as në fshatrat e Therandës, por i kanë parë pushtetarët duke u pasuruar, me shtëpi dhe vetura luksoze, me biznese dhe pushime nepër vende të shtrenjëta.
Therandë, me 02.06.2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra Therandë