7.3 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Vrasësit qenkan ende këtu!

Myrfet ShasivariShkruan: Myrfet SHASIVARI

Vrasja, për momentin misterioze, që e privoi nga jeta njërin nga kandidatët e PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës në qytezën e Rahovecit Elvis Pistën, e që ndodhi pas përfundimit të procesit zgjedhor të 8 qershorit, përpos te familjarët, ka shkaktuar tronditje te të gjitha kategoritë e subjekteve të shtetit, por edhe te qytetarët në tërësi. Tronditja duket të jetë më shqetësuese, kur kihet parasysh fakti se pas vrasjeve të shumta enigmatike që po ndodhnin në Kosovën e pasluftës, për disa vite, kjo gjendje sikur “u qetësua”, ndaj veprimtarët politikë, gazetarët, e qytetarët në tërësi, sikur po merrnin frymë më lirshëm, ngaqë u krijua përshtypja se këto akte makabre, tanimë po i përkisnin së kaluarës, ndonëse pjesa dërmuese e vrasjeve tinëzare mbetën ende të paidentifikuara nga organet kompetente të shtetit. Dhe për t’i nxitë këto subjekte, siç janë struktura policore, prokuroria, gjyqësori, qoftë ato vendore, apo ndërkombëtare, që më në fund t’i ndriçojnë motivet dhe autorët e atentatorëve, një pjesë e mediave të shkruara, prore u angazhua në përkujtimin e datave, kur u vranë veprimtarë politikë gazetarë, por edhe intelektualë kalibrash të ndryshëm në Kosovë.

Kësisoji, ndonëse në këtë drejtim nuk u shënua ndonjë sukses inkurajues i këtyre organeve, megjithatë ekzistonte shpresa, se së paku vrasësve u kishte hyrë paniku se një ditë do të bien në “rrjetën” e drejtësisë, dhe se më në fund, do të hiqnin dorë nga ato veprime pasojash fatale, jo vetëm për viktimat e tyre, por edhe për ardhmëninë e vendit. Por vrasja e fundit në Rahovec (ndonëse ende nuk dihen motivet e vrasjes), mjerisht e dëshmoi të kundërtën. Klika vrastare në Kosovë, me vrasjen e organizuar të Elvis Pistës, qenka ende këtu, dhe se kjo gjendje sinjalizon, jo vetëm shtimin, por edhe thellimin e pasigurisë për jetën e secilit qytetar, pa përjashtim të përkatësisë partiake, profesionale e tjera.

Dhe kur kihet parasysh fakti për ekzistimin tanimë të ashpërsimit të rivalitetit partiak rreth menaxhimit të pushtetit në Kosovë, tek pjesa dërmuese e qytetarëve, ka filluar të krijohet doza e pasigurisë, e cila prodhon efekte të shumta negative për një jetë normale të të gjitha shtresave të shoqërisë sonë. Dhe duke e pasur parasysh një gjendje të këtillë, mbase është koha e fundit, që organet e shtetit me ndihmën e Bashkësisë evropiane dhe ShBA-së, t’i inkurajojnë hetuesit, prokurorët, policinë dhe gjykatësit që të veprojnë konform obligimeve të tyre ligjore dhe pagave që i marrin, që të tregojnë rezultate në drejtim të ndriçimit dhe përballjes me drejtësinë të atentatorëve, në mënyrë, që populli i Kosovës, krahas halleve të përditshmërisë, së paku të mos e ketë brengën e pasigurisë për të jetuar, sikurse qytetarët e shteteve tjera të Evropës, ku edhe synojmë të integrohemi.

Më Shumë

Të gjitha biletat për finalen Bashkimi – Trepça janë shitur, pritet atmosferë e jashtëzakonshme në Prizren

Finalja e sontme ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, që do të luhet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, pritet të zhvillohet përpara një audience të...

Sonte ndeshja e dytë e serisë finale ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës

Sonte, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, zhvillohet ndeshja e dytë e serisë finale ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit – një përballje që pritet të jetë...

Lajmet e Fundit