11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

VV: Procesi i planifikimit të zonave urbane në Prizren në kundërshtim me ligjin

VV-logo9-09Lëvizja Vetëvendosje në Prizren vlerëson se procesi i planifikimit të zonave urbane në këtë qytet është në kundërshtim me ligjin e ri për Planifikim Hapësinor.

Komunikata e plotë e VV-së në Prizren

Ligji i ri për Planifikim Hapësinor (Ligji Nr. 04/L-174) është miratuar nga muaji Korrik 2013, dhe ka për qëllim ofrimin e dispozitave për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të baraspeshuar të planifikimit hapësinor për tërë territorin e Kosovës. Në bazë të këtij ligji përcaktohen edhe përgjegjësitë në nivel qendror dhe lokal në lidhje me planifikimin hapësinor të zonave urbane dhe rurale.

Komuna e Prizrenit ka aprovuar Planin Zhvillimor Komunal për vitet 2013-2025, kurse Plani Zhvillimor Urban daton nga viti 2003 dhe ka skaduar në vitin 2011. Në bazë të ligjit të ri në vend të Planit Zhvillimor Urban tani duhet të hartohet Harta Zonale e Kosovës për një periudhë 8 vjeçare, si dhe revidimi i këtij plani pas periudhës 4 vjeçare.

Në kuadër të politikave zhvillimore, Komuna vazhdon me procesin e hartimit të Planeve Rregulluese Urbane (emërtimi sipas ligjit të ri: Plani Rregullues i Hollësishëm) për zona të ndryshme të Prizrenit.

Gjatë analizës së procesit të hartimit të Planeve Rregulluese të Hollësishme për disa zona: Arbana, Lakuriqi Verior etj, është vërejtur që dispozitat ligjore të caktuara me Ligjin për Planifikimin Hapësinor dhe Udhëzimet Administrative nuk janë respektuar.
Nga analizat janë vërejtur këto mangësi:

? Çasje e gabuar në planifikim
? Planet Rregulluese të Hollësishme punohen para Hartës Zonale të Komunës, duke rezultuar në një çasje të panatyrshme, ngase nisja bëhet nga njësia pa u konsideruar tërësia.
? Kjo çasje e gabuar rezulton në dokumente planifikuese të dobëta, jo strategjike dhe të pazbatueshme në praktikë;

? Mungesa e një politike të përgjithshme për zhvillim të zonave
? Planet e hollësishme janë bërë pa ndonjë vizion më të gjerë në aspekt hapësinor dhe kohor, kjo si rezultat edhe i mungesës së Hartës Zonale të Komunës.
? Nuk është analizuar konteksti më i gjerë gjeografik por vetëm perimetri i ngushtë i zonës së caktuar për të cilën bëhet planifikimi;

? Mungesa e zbatimit të dispozitave të parapara me ligj të ri të Planifikimit Hapësinor
? Sipas udhëzimit administrativ (Nr.05/2014) për përgjegjësitë e autoriteteve ta planifikimit hapësinor dhe parimet për pjesëmarrjen e publikut në planifikim hapësinor: Njoftimi publik për planet duhet të përmbajë informata rreth kohës, vendit të mbajtjes së takimit, listën e dokumenteve që do të prezantohen, vegzën elektronike për qasje online në dokumentet që do të prezantohen në diskutim publik, mënyrën së si pranohen komentet nga qytetarët dhe afatin e pranimit të komenteve, si dhe hollësi teknike në lidhje me parcelat ku bëhet planifikimi.

? Njoftimi publik i shpërndarë nga Komuna e Prizrenit për mbajtjen e shqyrtimit publik për disa plane të hollësishme rregulluese, përmban vetëm informatat rreth temës së diskutimit, vendin dhe kohën e takimit.

Në ueb faqen e Komunës së Prizrenit nuk figuron asnjë prej planeve rregulluese të hollësishme që janë të hapur për shqyrtim publik.

E vetmja mënyrë për tu informuar rreth planit të propozuar është vizita në ndërtesën e Komunës së Prizrenit, ku qëndrojnë të shpalosur disa prezantime grafike pa ndonjë sqarim shtesë të këtyre planeve.

Në këtë mënyrë kufizohet pjesëmarrja publike e banorëve të lagjeve, grupeve të ndryshme të interesit në procesin e planifikimit dhe vendimmarrjes për zhvillim të vendbanimeve të tyre.

? Mungesa e informimit adekuat të banorëve të zonave të planifikuara
? Në diskutimet publike është vërejtur një numër shumë i vogël i pjesëmarrjes nga ana e banorëve të asaj zone që po planifikohet;
? Kërkesat e parashtruara nga OJQ-të lokale në emër të banorëve të zonave të planifikuara nuk janë marrë parasysh në hartimin e Planeve të Hollësishme Urbane.

Duke u bazuar në gjetjet e mësipërme arrijmë në përfundim që hartimi i planeve rregulluese të hollësishme në zona të ndryshme të Prizrenit nuk po bëhet në bazë të dispozitave ligjore të parapara dhe si rrjedhojë nuk i plotëson kushtet për të ofruar një zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët e Prizrenit.

Planet rregulluese të hollësishme janë dokumente bazë që duhet të shërbejnë si platformë për zhvillim të qëndrueshëm të vendbanimeve, në të njëjtën kohë duke siguruar kushte optimale dhe një ambient kualitativ jetësor.
Një proces i tillë i cekët i planifikimit, me neglizhim të kërkesave të qytetarëve dhe mungesë transparence, në asnjë mënyrë nuk plotëson kërkesat e qytetarëve dhe nuk ofron kushte për një jetesë cilësore.

I apelojmë Komunës së Prizrenit që procesin e planifikimit hapësinor të Komunës ta merr me seriozitetin më të madh dhe që rezultat të këtij procesi të mos jenë planet e vizatuara në letër, por që në realitet janë të pazbatueshme dhe nuk ofrojnë jetesë cilësore për qytetarët e Prizrenit.

Përkundër faktit që në ligjin e ri për Planifikim Hapësinor ceket se: Qeveria dhe Ministria nxjerrin akte nënligjore që kërkohen me këtë ligj dhe i harmonizon aktet nënligjore ekzistuese brenda një (1) viti nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, nga aprovimi i këtij ligji e deri tani është aprovuar vetëm një udhëzim administrativ dhe mungojnë aktet nënligjore që përcaktojnë saktësisht mënyrën e hartimit të dokumenteve planifikuese.

Duke konsideruar gjendjen faktike, të ekzistimit të një ligji të ri që është në fuqi që nga viti 2013, dhe mungesën e akteve nënligjore, në mënyrë që të evitohen planifikimet e gabuara dhe të përmbushen obligime ligjore që dalin nga Ligji i ri për Planifikim Hapësinor, Komuna e Prizrenit duhet të:
– Ndalojë përkohësisht hartimin e planeve rregulluese të hollësishme;
– Vlerësoj zbatueshmërinë e Planit Zhvillimor Komunal 2013-2025.
– Revidojë Planin Zhvillimor Urban (2003-2013) – procesi i revidimit duhet të bëhet në përputhje me Ligjin për Planifikim Hapësinor, i cili në vend të Planeve Zhvillimore Urbane kërkon hartimin e Hartës Zonale të Komunës me vlefshmëri deri në 8 vjet.
– Pas këtyre hapave, të vazhdojë me hartimin e Planeve Rregulluese të Hollësishme.

29 janar 2015
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Prizren
Nënkomiteti për Urbanizëm, Planifikim dhe Trashëgimi Kulturore

Më Shumë

Lajmet e Fundit