19.8 C
Prizren
E hënë, 13 Maj, 2024

Xhevahir Spahiu, udha e vargjeve

Xhevahir-Spahiu-2Një aktivitet në Akademinë e Shkencave, një mbrëmje intime në Teatrin e Metropolit, në shijen e mirë që lë pas tingëllimi i poezive të tij dhe një botim luksoz që përmbledh gjysmë krijimtarie për ditëlindjen e 70-të të poetit. Si një rrugëtim në kohë, vit pas viti vijnë edhe poezitë e përmbledhura në dy vëllimet “Udha I” dhe “Udha II”. Tamam si një udhë me të gjitha relievet…

Nga Suadela Balliu

I thanë fjalës: tani je e lirë,

Por fjala s’kish fuqi të thosh: nuk më duhet,

E ç’më duhet, kur s’u thashë atëherë kur duhej?…

Vargjet i ngjajnë krijuesit që duket se këto kohë i është larguar fjalës, të paktën asaj të artikuluar në intervista.

“Por s’flas dot, s’mund të flas”, – u përgjigjet ai qetë gazetarëve, që në këtë përvjetor të 70-të të lindjes së tij do të donin të merrnin prej poetit një copëz përjetim.

Por poetit i mjafton poezia dhe me të ka dhënë shumë. Ka rrëfyer një gjysmë shekulli jetë, brengë, dashuri, ekzistencë, rebelim…

I rrethuar nga miqtë e zemrës, ndihet fatlum ku shtatëdhjetë pranverat – ka lindur në stinën e bukur –i feston i qetë, i gjallë, fitimtar ndaj sëmundjes që nuk e mposhti shpirtin luftarak.

Ndihet mirë të presë urimet dhe surprizat e të njerëzve të afërt.

Një aktivitet në Akademinë e Shkencave, një mbrëmje intime në Teatrin e Metropolit, në shijen e mirë që lë pas tingëllimi i poezive të tij dhe një botim luksoz që përmbledh gjysmë shekulli të poezive të tij. Mes klarinetës së usta Laver Bariut, që i biri ia dhuroi në këtë përvjetor dhe poezive që u lexuan nga aktorë të teatrit, poeti nuk i mbajti dot lotët…

Miqtë, që rrëmuan deri në gjenezë të krijimtarisë së tij pa u lodhur, shkuan larg, deri në vitin 1965. Gjetën dy poezi; “Brirët e demit” dhe “Peizazh me breshër” gurthemelet e poezisë së Xhevahir Spahiut që i shtynë edhe pesë vite më herët gjurmët e poezive “xhevahiriane”.

Si një rrugëtim në kohë, vit pas viti vijnë edhe poezitë e përmbledhura në dy vëllimet “Udha I” dhe “Udha II”. Tamam si një udhë me të gjitha relievet.

“Brendashkruar kriterit kronologjik, ky botim i përmbahet më së shumti përzgjedhjes estetike të një krijimtarie të begatë, që ky autor zhvilloi në qerthullin e një gjysmëshekulli letrar”, – thotë botuesi i përmbledhjeve me poezi, Arian Leka, edhe sebepçiu i “Orës poetike”.

Brenda dy vëllimeve janë përmbledhur edhe skica e vizatime të artistëve që me lapsin shkruajnë në një tjetër formë – por përcjellin ndoshta të njëjtin mesazh të përbotshëm – me portretin e Spahiut. Ka aq shumë, saqë çdo poezi shoqërohet besnikërisht nga një skicë.

Vëllimi i parë përmban brendashkruar tekstit një koleksion grafikash me portretin e poetit, krijuar nga piktorët Skënder Kamberi, Nelo Lukaçi, Zamir Mati, Jorgo Fotiu, Sokrati Lambrou. Gjendet aty edhe një portret që shkrimtari dhe studiuesi Dhimitër Shuteriqi realizon për Xhevahir Spahiun.

Vëllimi i dytë paraqet një koleksion prej pesë dorëshkrimesh të autorit, të cilat bashkë me dy dorëshkrimet që botohen në pasballinat e botimit e çojnë në shtatë koleksionin e dorëshkrimeve, duke i dhënë kësaj përmbledhjeje dhe një vlerë antikuariati.

Përmbledhja është e plotësuar edhe nga krijimtari e re, vijnë edhe shënime të rëndësishme bibliofilike për jetëshkrimin e autorit dhe fatin e veprës së tij.

Metafora e fuqishme, idetë që përleshen e përplasen, lirizmi dhe vargu dramatik…të gjitha këto sipas plakut të urtë të letrave shqipe, Dritëro Agolli, e bëjnë një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria, i cili shkruan thellë dhe trondit.

Tronditëse deri në themele pushtetesh, që poezinë e tij do e shihnin si nga ato që rrezikonte të sillte furtuna kah perëndimi në ishullin e izolimit.

Me ndikim nga ekzistencializmi i Sartre-t, ia kritikuan poezinë “Jetë”, e cila e pa dritën e botimit për herë të parë në revistën “Nëntori”. Por pas kritikave të 9 janarit të motit 1973, të as më shumë e as më pak, por vetë kreut të shtetit asokohe.

U detyrua ta tërheqë dorëshkrimin e librit “Bota ku eci”, në heshtje. E po në heshtje e vajtoi poezinë, krijesën e tij, e cila nuk do të ishte në botimin që doli pesë vite më pas.

Nuk e kish njohur Sartre-in asokohe e nuk ishte puqur me filozofinë e tij, por koha i bën njerëzit e mëdhenj të mendojnë njëlloj, të revoltohen njëlloj.

Mohimi i së drejtës për të botuar do i shfaqej shpesh në shtegun e tij. Mohimi i fjalës për poetin, është si t’i mohohej e drejta e jetës. Antikonformist i patundur.

Edhe “Poezia” ishte një tjetër krijim i Spahiut që ndjeu fshikullimën e sistemit. Thanë se e kish shkruar enkas kundër diktatorit. Në librin “Sfidat e poetit” të autorit Nuri Dragoj, Nexhmije Hoxha informohej për çdo lëvizje, në pritje të ndonjë hapi të gabuar të poetit dhe porosiste që të mos i jepej asnjë post. Sipas të njëjtit autor thuhet se për poetin ishte bërë gati madje edhe dosja e arrestimit. Nuk pati kurrë ndonjë post, por fati deshi që poeti të ishte mes nesh, gjatë…

Pas botimit të vëllimit të dytë me poezi “Ti qytet i dashur” në vitin 1973, ai nuk do të botonte për katër vjet rresht, për t’u rikthyer me një libër metaforik si “Vdekja e perëndive” më 1977.

Nuk do të kishte heshtje, kish thënë ai. Duke e forcuar edhe më shpirtin që i vlonte poezisë.

Heshtja duhej vrarë me fjalë, me vargje dhe në pesëdhjetë vjet ai e bëri. Në krahë i rrinin ata; motive më të forta që e shoqëruan besnikërisht. Udhëtimi dhe dashuria, të cilave u kushtoi sa e sa poezi.

Janë ata motivet e poezisë që e mbajnë të fortë, edhe kur sëmundja- një ishemi cerebrale ia turbullon pak kujtesën…

Atë kujtesë që përmbledhja me poezitë e tij, edhe ato të ndaluarat që i kthehen dheut të vet më në fund, ia freskon lexuesit.

“Një ndër shënimet me interes është edhe ai që bën fjalë për vëllimin poetik “Zgjimi i thellësive”, të cilit iu ndalua shpërndarja, u hoq nga qarkullimi dhe u bë karton. Të tilla shënime nuk janë dokumente për të plotësuar kujtesën apo kërshërinë e lexuesit, por vihen gjithashtu në shërbim të një historiografie më të vëmendshme në interpretime ndaj fakteve letrare” –thotë Arian Leka, i cili e sheh Xhevahir Spahiun nga ai lloj i veçantë krijuesi që të përditshmen, atë që ne të vdekshmit e zakonshëm e përçmojmë me pavëmendje, e vrasim në marramendje shpejtësish, ai e kthen në dritë poezi. Si Sizifi mban gurin e rëndë të ndjenjës së trazuar njerëzore, por ndryshe nga ai, Spahiu e ngjit në majë.

Me kryet pas gjoksit, poeti përgjon ndjenjën, atë ndjenjë që na bën njerëzorë. Ndaj ai e quan poet të brendshëm, i cili gjithnjë e më shumë nga kjo brendi nxjerr xhevahire.

Emri thonë të bëhet edhe profecia që njeriu e vetë përmbush gjatë jetës. Për Xhevahir Spahiun mund të thuhet se kjo është e vërtetë.

“Prej formave të pafundme të dashurisë, poezia e Xhevahir Spahiut shndërrohet në joshje, që nxit dhe grish. Poeti, njëlloj si në fillesën e marrëdhënies, gjen vendin në botë. Poezia rifiton vlerën e harruar. Ajo mund të ndihmojë sërish. Dikush kapërcen vetminë. Dikush gjen fjalën e duhur mes fjalëve të humbura. Një tjetër mban mend vargje të kthjellët, të fuqishëm, plot tingull dhe kuptim, ashtu siç i ndeshim në poezinë e Xhevahir Spahiut. Falë origjinalitetit, kjo poezi na shtyn të besojmë se ç’ishte e poetit është bërë tashmë dritë brenda atij që lexon apo mban vesh ato fjalë.” –shprehet Leka.

Për akademikun, studiuesin e letërsisë dhe folklorit shqiptar, Robert Elsie, Xhevahir Spahiu nuk është poeti-murg, asketi i destinuar në dhoma të mbyllura e vetmie mendimesh. “

“Poezia e Xhevahir Spahiut, e këtij “enfant terrible” të letërsisë shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe shkallëzimeve kuptimore.” –cilëson Elsie

Dy vëllimeve të botuara vetëm pak ditë më parë si dhuratë për ditëlindjen e 70-të të poetit, i paraprin një tekst kritik i akademikut Ali Aliu dhe bashkëngjitur vjen një aparat i sistemuar i vlerësimeve ndaj krijimtarisë së autorit…Muza poetike e Xhevahir Spahiut nuk ngjizet as nuk shpërthen në truall të butë, aq më pak në truall indiferent, është i mendimit akademiku Aliu. E quan natyrën e tij, krijuese të pasioneve të forta e të tërësishme, natyrë e krijues e intelektual…

Nënshkruesit e tjerë janë emra të njohur të kritikës letrare; studiues, përkthyes të veprës së tij dhe shkrimtarë të njohur, si Shaban Sinani, që e cilëson Spahiun si rob i poezisë dhe zot i saj njëherësh. Alfred Uçi, Robert Elsie, Mira Meksi, Aleksandër Zoto, Ante Popovski, i cili e quan poet luksoz, Xhevat Lloshin, Ali Podrimjen, Dritëro Agollin, Rafaele Nigro etj.

Ajo që e bën edhe më jashtë së zakonshmes përmbledhjen me poezi të Spahiut është trajtimi i saj si një libër arti, por edhe si një koleksion artefaktesh njëherazi.

Xhevahir Spahiun, atë burrë me portret ekspresiv, si njeri të qetë, me poezitë gjithnjë në xhep “ferrparajsa” e tij, bekimi dhe mallkimi i njeriut që ndjen më thellë se të ngjashmit e vet, gjithnjë i gatshëm e me pasion për të mbështetur çdo të ri që donte të ecte në rrugën e letrave.

Poezia e Spahiut nuk është statike, ajo lëviz bashkë me poetin që e kërkon poezinë dhe e gjen në udhën e vargjeve. “Tani që jam gjallë, vjen poezia tek unë, nesër kur s’do të jem, do të shkoj unë te poezia ime. Nëse kam bërë diçka, nëse nga dhjetë marrëzira, që thotë njeriu brenda ditës, kam thënë një fjalë të mirë, kjo nuk është pak, ka të tjerë që mendojnë apo pandehin se nga dhjetë fjalë që thonë, njëzet i kanë të përndritura”, kështu shprehej poeti, atëherë kur fjalën e çonte edhe në intervista. Tani flet poezia për të…

Kanë thënë për poetin

“Xhevahir Spahiu është një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria, poet me një shprehje të fuqishme metaforike, me përplasje idesh, me një frymë lirike dhe zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella, tronditëse.”

Dritëro Agolli

“Energjiku Xhevahir Spahiu nuk është poet-murg dhomash të mbyllura apo i një vetmie të humbur në mendime. Poezia e Xhevahir Spahiut, e këtij “enfant terrible” të letërsisë shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe shkallëzimeve kuptimore.”

Robert Elsie (Historia e letërsisë shqiptare, Nju Jork 1995)

“Talenti i tij poetik luksoz e identiteti krijues i pakrahasueshëm, bashkojnë rreth vetes tematikën me një përsosmëri të vazhdueshme të gjykimit të tij…”

Ante Popovski, Shkup, 1998

Xhevahir Spahiut, ai shquhet për një art origjinal të “poezisë që godet”.

Aleksandër Zoto, Antologjia e prozës shqipe, Fajar, Paris, 1984.

Poezia e Xhevahir Spahiut është poezi kryeneçe në ndeshje me vetveten dhe me jetën. Poezitë e tij janë skulptura.

Ndoc Papleka

I dashur Xhevo…

Kushtim nga Iliriana Sulkuqi

E ç’do t’i gjejë më shumë poetët …?

Të sëmurë, që nga lindja kanë ardhë…

E ç’do t’i gjejë më shumë se një ikje…

Kur fjalën si lindje kanë lënë…

A mund t’i bëhet më shumë një poeti

Sa, për të tjerët ai ka bërë?…

Udhë të mbarë poeti ynë!

Udhë të mbarë e kthim të shpejtë!

E, sado që të vonosh-

Ku na le do të na gjesh…

Herë pikëpyetje si kërrabëz

Që përzgjedh një fjalë të pjekur,

Hera-herës çudit-pikëz

Që s’na fole kaq papritur…

Udhë të mbarë poeti im!

Kthimin tënd do ta pres –

Mbi Tomorrin bardhë e mardhë-

Shenjë me shkronjëza do të bëj…

Udhë të mbarë, poet-Poeti!

Lutja jonë t’u bëftë krahë!

Mos na lër me brenga shpirti!

Ardhsh pranë fjalës – Kryefjalë!

Brooklyn, NY, 9 prill, 2009

Poezia e një jete

Xhevahir Spahiu u lind më 1 mars 1945 në fshatin Malind të Skraparit. Diplomohet në vitin 1967 për letërsi në Universitetin e Tiranës. Që nga ky vit e deri më sot ai ka punuar si gazetar, mësues, botues, skenarist. i cilësuar si një nga poetët në zë shqiptarë të dalë në vitet ’70, Spahiu ka botuar një sërë vëllimesh poetike si “Ti qytet i dashur (1973)”, “Vdekje e perëndive (1977)”, “Dyer dhe zemra të hapura (1978)”, “Poezia shqipe (1990)”, “Kohë e krisur (1991)”etj. Së fundi është botuar vepra e tij e zgjedhur, krijimet më të mira ndërmjet viteve 1965-2000. Janë dy vëllime me të njëjtin titull, “Udha”. Viti 1993 e gjen Spahiun sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, struktura bazë e organizimit dhe orientimit të artistëve në 45 vite të regjimit. Shumë shpejt ai emërohet kreu i kësaj strukture, funksion të cilin e kryen deri në vitin 1998. Ndërsa Akademia e Shkencave gjatë zgjedhjeve të saj të fundit e vlerësoi Spahiun duke e bërë anëtar të saj. Pas viteve ’90 poezia e Spahiut është botuar në gjuhë të ndryshme. Në tetor 2011, në Francë u përurua poezia e Xhevahir Spahiut me vëllimin “Lëshoje drerin, Artemidë”. Spahiu mban urdhrin “Mjeshtër i madh” dhënë nga Presidenti i Republikës, Tiranë 2005; Urdhri “Naim Frashëri” klasi II, 1982, Medalja “Naim Frashëri”, 1972 Medalja e Punës, 1974.

Fjala

I thanë fjalës: tani je e lirë,

Por fjala s’kish fuqi të thosh: nuk më duhet,

E ç’më duhet, kur s’u thashë atëherë kur duhej?

Kam mbetur pa krahë,

Kam mbetur pa qiell,

Jam jetë pa ëndërr,

Jam ëndërr pa jetë…

I thashë fjalës: je e lirë.

Vështirë, tha fjala, sa vështirë

Të besosh se je e lirë,

Pasi ke ngrenë rrokjet e tua,

Pasi ke mbetur cung

Dhe liria bëhet burg…

I thanë fjalës: liria jeton.

Fjala ua ktheu: s’jam si Kostandini,

që pas vdekjes udhëton…

I thanë fjalës: ti je liria,

Për ta kuptuar këtë duhet fare pak.

Ajo besoi,

Ajo hapi gojën,

Por në vend të tingujve

Prej saj doli gjak.

*Xhevahir Spahiu

Më Shumë

24 vjet nga vrasja e “Drinit”

8 maj 2000. Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha -‘Drini’, vritet para shtëpisë së tij, në Prizren. Kjo vrasje ndodhi në rrethana misterioze. Drejtësia vendore e ndërkombëtare,...

Homazhe në 25-vjetorin e rënies së martirëve në Korishë

Në nderim të 25-vjetorit të rënies së martirëve të fshatit Korishë, deputeti Arbër Rexhaj, bashkë me aktivistë të Lëvizjes, bënë homazhe dhe vendosën kurora...

Lajmet e Fundit