3.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Visar Zhiti rrëfen emrat e shkrimtarëve që i bënë aktekspertizën: Si më dënuan 10 vjet burg për poezi

ALMA MILE/ Visar Zhitit, Zoti i ka dhënë dhuntinë e fjalës dhe në një formë katarsisi për vete, por me shpresë, edhe të shoqërisë, ai e ka treguar rrugën e tij të kryqit.

visari-+-pandeliu

Përmes burgologjisë së tij, ai ka rrëfyer të gjithë procesin, që nga përndjekja, arrestimi, hetimi, gjyqi, dënimi, burgu, lirinë e gjymtuar… Por gjithnjë ka diçka për të thënë, shoqëria shqiptare vuan ende prej të pathënave, nga mosdënimi i krimit dhe moskërkimi i ndjesës publike dhe mungesa e faljes. Pak ditë më parë, shkrimtari Agron Tufa, duke botuar faksimilet e akt-ekspertizës së poezive të Visar Zhitit, e rihapi edhe një herë jo vetëm çështjen e dënimit të poetit, asokohe 27 vjeç, por edhe debatin e denoncimit të poetëve nga poetët.

Duke botuar emrat e autorëve të ekspertizës, Tufa nxiti reagimin e njërit prej tyre, poetit dhe ish-redaktorit Pandeli Koçi, i cili, përmes një letre të hapur në gazetën “Panorama”, mohon ta ketë hartuar atë aktekspertizë dhe se, sipas tij, gjithçka ishte manipuluar nga Sigurimi i Shtetit.

Përmes një interviste, reagon edhe poeti e shkrimtari Visar Zhiti, i cili i rikthehet procesit gjyqësor, efektin që pati akt-ekspertiza tek ai edhe në dënimin e tij, si dhe raportin që kishte pasur më herët me redaktorët, të cilëve u figuronte emrin në fund të akt-ekspertizës.

Ma do mendja se e keni ndjekur shtypin këto ditë dhe rihapjen e një teme shumë të ndjeshme për ju, atë të aktekspertimit të poezive tuaja, për të cilat dhe u dënuat. Pasi shkrimtari Agron Tufa botoi emrat e të dy atyre që firmosën, njeri prej tyre, Pandeli Koçi, ka reaguar në gazetën tonë. Cili është reagimi juaj?

Çfarë ndjesish ju shkakton rihapja e kësaj teme? Së pari, më duket se është një kohë e zënë keqas me protesta dhe ndërgoditje që nuk dëgjon dhe aq dhe ndjen shumë më pak, ku shumëçka me rëndësi që ka të bëjë jo thjesht me të kaluarën, pra me kujtesën kolektive, por dhe me përgjegjshmëritë, me ndërgjegjen dhe idetë që do të duhej të na çonin më përpara, janë lënë pas dore.

eks

Për çështje të tilla që po më kërkoni, ndjej se jemi dëshpërimisht vonë. Ka një çoroditje të bipolarizuar, ku përzihen mënjanësia dhe arroganca gjenerale, absurdi dhe jo thelbësorja, varfëria me pasurimin e dyshimtë, marramendës, një harresë vrastare. Vite më parë, në tollovitë kësisoj hidhej bojë e kuqe mbi fytyra që të shihej se sa përgjakje ka, tani hedhin bojë të zezë për të parë se sa zi është, duke u përtallur kështu gjaku i derdhur vërtet dhe duke shmangur përqendrimin në çështjet kardinale të mirëqenies dhe lirisë, që është dhe ndërgjegje, dhe përgjegjësi, dhe kulturë etj.

Ndërkaq, e kuptoj dhe gjithsesi e përshëndes gazetën “Panorama”, që i rijep hapësira kujtesës kolektive, kulturës së munguar të dialogut, qortimeve në emër të moralit dhe të drejtësisë. Njohja dhe vlerësimi i vuajtjes njerëzore, i padrejtësive shtetërore, i qëndresës së madhe deri në martirizim, mashtrimet postdiktatoriale etj., duheshin dhe duhet që të vendosen në themele e të shndërroheshin si përvojë e atillë që e gjithë ajo t’i shërbejë një të tashmeje më të mirë, jo vetëm materialisht, dhe të drejtë si dhe një të ardhmeje edhe më të begatë shpirtërisht, të Vërtetës utilitare për të gjithë, që të besohet që e keqja ndëshkohet, pse jo dhe paqësisht, për t’iu mbyllur rrugët e rikthimit.

Prandaj, përshëndes me zemër dhe mbështes punën e shkrimtarit Agron Tufa dhe si Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, ndjeshmërinë dhe kurajën e tij si qytetar dhe poet. Siç më thoni, ju keni rihapur një temë, çështje më saktë, që lidhet dramatikisht me mua, për të cilën edhe pse nuk jam pyetur dhe as më është marrë leje, e kuptoj që tashmë është jashtë meje dhe as që dua ta pengoj, por dhe as ta nxis. E përsëris, është vonë shumë për mua, padurueshëm vonë për të gjithë.

Edhe pse ka filluar dhënia e dosjeve ligjërisht, pra, hapja e tyre, unë e kam mbyllur timen. Ngaqë jo vetëm ndiej lodhje, por dhe i kam thënë me kohë ç’kisha, kam dy libra, mbi 1000 faqe, i kam quajtur burgologji, “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çare”, ku shtjellohen të gjitha, si u dënova, pse, kush ishin gjyqtarët, operativi që më arrestoi, akt-ekspertiza, cilën ishin ata që e formuluan, akuza, burgu, shokët e burgut, revolta në burg, heronjtë, ridënimet, pushkatimet, dalja nga burgu, protestat për ndryshimet e sistemit, entuziazmi më i madh se zhgënjimet etj., etj., e tëra me emrat e vërtetë.

Tani le të flasin të tjerët. Më duket se fola kur duhej folur dhe do të doja të heshtja, nëse heshtja është më e mirë. Detyrën qytetare do të dua ta bëj pa u shmangur. Prandaj dhe po pranoj t’u përgjigjem pyetjeve tuaja.

Gjatë procesit gjyqësor u lexua edhe një aktekspertizë e poezive tuaja, firmosur nga dy redaktorë të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, Si e pritët, çfarë ndjetë kur dëgjuat emrat?

Çfarë ndjeva? Mendoj se nuk ka rëndësi tani. Rëndësi ka çfarë ndjeni ju, dua të them shoqëria shqiptare dhe ç’do të bëjë ajo me të kaluarën e saj, se siç thotë me shpoti George Orwell, ne dimë ta bëjmë të ardhmen tonë, por nuk dimë ta bëjmë të kaluarën. Në gjyq, në fakt, lexohet vetëm akuza, të cilën e kishte përgatitur hetuesi im, Nexhat Selimi. U akuzova për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit, krim ky i parashikuar nga neni 55/1.

Akuza ime, sipas gjyqit, u vërtetua nëpërmjet bisedave me njerëz të ndryshëm në vende të ndryshme dhe shkrimeve të mia, poezisë, kjo zuri gjithë vendin e akuzës. Më nxorën dëshmitarë nja katër kolegë, mësues fshati, ata ngjanin më të drobitur se unë, që isha në bankën e të akuzuarve. Siç thashë, goditja ishte te poezitë, ato zunë vendin kryesor, gati të gjithë kohën 8-9 mujore të hetuesisë sime, po kështu dhe në gjyq. Pretenca dhe vendimi i gjyqit i ngjanin recensës së zezë të një libri me poezi, ky ishte krimi im.

Edhe dosja ime tani këtë ka brenda, madje janë futur si provë mbi 40 poezi, një poemë, procesverbalet e hetuesisë mbi to, përgjigjet e shtëpisë botuese etj. Do të doja të botohej dosja, por jo thjesht si material, por si dëshmi e një dukurie, me përsiatjet dhe deduksionet, që do të mund të shërbenin.

Jam i hapur. Ndoshta po zgjatem ca në shpjegime, por nga që u fol në gazetën tuaj për përmbajtjen e dosjes sime. Vazhdojmë. Në gjyq bëhej kujdes dhe paralajmërohesha, me pasoja, që të mos përmendeshin emra më shumë se ç’donin ata që po më dënonin, pra, dhe emrat e aktekspertizuesve. Dhe jo vetë ata. Ndërkaq, përmendej shpesh emri i poetit Frederik Rreshpja, mik i imi atëherë, ngaqë ai ishte në burgun e Spaçit dhe s’përbënte sekret mbase dhe, sipas hetuesisë dhe gjyqit, Frederiku duhej të kishte ndikuar në bërjen time armik.

Por dhe origjina ime familjare. Aktekspertiza e poezive të mia m’u bë e njohur shumë shpejt pas arrestimit tim, gjatë hetuesisë në birucë dhe poezia, siç rezultoi, ishte çështja, për të cilën më kishin arrestuar. Më tronditi ajo aktekspertizë. Isha i ri, as 27 vjeç, në atë moshë vdiq dhe Migjeni, i thosha hetuesit. Më erdhi tepër hidhur, që dy redaktorë të shtëpisë së vetme botuese në Shqipëri, ku unë qysh student kisha dorëzuar librin tim me poezi, më cilësonin si armik, para se ta vendoste gjyqi, ekskluzivitet i të cilit ishte. Pra, ata po e udhëzonin, po e paraprinin. E përsëris, ata e kishin bërë akt-ekspertizën para se të më arrestonin, nja 15 ditë më parë.

Kur ma dhanë ta lexoj në qeli, jo vetëm që m’u dukën të padrejtë, por dhe të pamëshirshëm, jo njerëz të letrave, por të prangave. Dhe me atë akt-ekspertizë në themel të akuzës, të përpiluar nga kryehetuesi Nexhat Selimi, e cila u vu në themel të pretencës, të mbajtur nga prokurori Avdi Gashi, unë u dënova me 10 vjet burg nga kryegjyqtari Mërgim Dragusha. Po kështu, me vendim gjyqi m’u hoq e drejta e botimit për më pas, e ushtrimit të profesionit, isha mësues, si dhe ajo elektorale, që nuk më shqetësonte dhe aq, fare madje, ishte një drejtë e paqenë. Po kështu, shpenzimet e gjyqit iu ngarkuan të dënuarit, pra, mua.

Shtoj se dosja ka shumë gabime ortografike, deri edhe në emrin tim herë pas here, vrazhdësi dhe shkarje shkencore. Emrave të aktekspertizuesve nuk u dhashë ndonjë rëndësi të veçantë, mund të ishin kushdo nga ata, por që njeriu po dënonte njeriun, kjo më dukej më e rënda, dhe përse po dënohesha, për poezi. Kjo më tralliste.

Ç’marrëdhënie keni pasur me redaktorët e “Naim Frashërit”?

Me ata që më lidhi botimi, dy a tre redaktorë, kryeredaktorë, se përveç poezive, kisha dërguar dhe një libër tjetër me rrëfime, dhe atë qysh student, s’di si të them, siç ishin marrëdhëniet atëherë autor-redaktor-botues, normale, fillimisht të mira, pastaj u acaruan, fill pas Plenumit IV të PPSH-së për Letërsinë dhe Artet dhe u katandisën në gjysmë idioto-absurde, ndërkaq unë nuk jetoja në Tiranë, banoja në qytetin e vogël, të internimeve të mëdha, Lushnjë, isha student në Shkodër, pas mbarimit të studimeve të larta, më emëruan mësues në një fshat të largët dhe tejet të varfër të Kukësit, me njerëz bujarë e mikpritës.

Në Tiranë nuk mund të vija dot shpesh ose aq sa do të doja, që të bisedoja më shtruar me redaktorët, më saktë me redaktorin tim, Ramazan Vozga, i pandryshueshëm, pra, përgjigjet më vinin me postë për përmbledhjen time me poezi me titullin e parë “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. Lejomëni të kujtoj këtu, se për këtë titull libri do të fliste tani vonë dhe Umberto Eco, do ta çmonte si shenjë kundërvënieje, se poezinë për trëndafilat nuk e do diktatura, ngaqë poezinë e do për vete, sipas Eco-s së madh. Përgjigjet që vinin nga shtëpia botuese, drejtoria e poezisë dhe e kritikës, gjithnjë e më tepër ashpërsoheshin, sa herë e dërgoja librin, duke e përpunuar, hequr e shtuar e duke ndërruar dhe titujt. Pasi përmendnin vlerat shpejt e shpejt, ishte arritur të gjenin “gabime ideore, mosnjohje të realitetit…, hermetizëm…, ndikime nga poezia borgjezo-revizioniste…”, të rënda për atëherë, por jo të veçanta, besoj, jo veç për mua.

Ç’përgjigje ju kanë kthyer ata për vëllimin që ju kishit dërguar?

Respektivisht, në dosjen time gjenden tri përgjigje, ato më të fundit, të viteve 1977, 1978, 1979, viti kur më arrestuan, duhej të ishin dhe ca të tjera, por kaq do të kenë mbajtur nga materialet që më konfiskuan, bashkë me nja 39 fletore dhe blloqe me dorëshkrime, poezi e tregime e ditar, që ende nuk i kam gjetur më, me gjithë kërkimet e mia pas rënies së diktaturës.

Ndoshta në një të ardhme, kur të mos jem, i boton ndokush me emër tjetër. Ky mospranim, shkaqet që pse nuk më botohej libri, më dukej se kështu dhe ndodh, vështirë të çash në art, jo e pazakonshme për atëherë, sidomos me të rinjtë. Recensat për poezitë e mia, m’i tregonte ndonjëherë redaktori, Ramazani, bëheshin nga poetë dhe kritikë të ndryshëm, janë një pjesë e emrave të tyre në dosje, të njohur në atë kohë. Natyrisht, ata nuk kërkonin dënim të autorit, besoj që as nuk u shkonte ndër mend, nuk korrigjohet poezia, duke futur poetin në burg, ata qortonin me forcë dhe vigjilencë gabimet në poezi, kërkonin përmirësimin e tyre, që libri të bëhej i botueshëm, sa më i partishëm.

Kështu më dukej dhe kështu besoja. Në fakt, unë doja që të botohej libri im, pa e përmbysur veten, të tejkaloheshin metaforat që doja, shqetësimet, ëndërrimet, ethet e lirisë, i bindur se ato nuk ishin trakte, por poezi. Besoja në vlerat me sinqeritet fëmije. Redaktori Ramaz Vozga këmbëngulte në të kundërtën, nuk donte problem.

Nuk më ruante mua, por veten. Pas burgut dhe pas rënies së perandorisë komuniste e ndryshimit të sistemit dhe në vendin tonë, unë, si për hakmarrje, do të emërohesha drejtor i asaj shtëpie botuese, ku kishte nisur dënimi im, kurse poeti Ilirjan Zhupa, që do ta gjeja atje e do të miqësoheshim, do të më jepte një sasi fletësh me poezitë e mia, të mbetura që nga atëherë. M’u duk një dorëshkrim i gjorë, pa ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Mendoj se si vazhdim dhe rrjedhojë e atyre përgjigjeve që po acaroheshin, të sintetizuara partishmërisht nga redaktori im i pandryshuar, duhet të ketë ardhur dhe urgjenca e aktekspertizës së poezive të mia.

Aktekspertizat, ka rëndësi të thuhet, se ishin tjetër gjë nga recensat, ato i kërkonte Ministria e Punëve të Brendshme ose organet e saj, Dega, hetuesitë etj., madje ashtu fillonin standard, pra ai që e bënte, e kishte të qartë përse shërbenin, për dënime. Hartuesit e tyre ishin më të besuarit, natyrisht specialistë, d.m.th kritikë letrarë apo arti, poetë, shkrimtarë, pra dhe nga radhët e redaktorëve, që punon në entet botuese. Ndoshta ata mendonin se ata që do të dënoheshin e kishin marrë atë rrugë prej të tjerëve lart apo dhe të denoncuar prej tyre dhe aktekspertiza ishte një formalitet, që mund ta bënin si ua kërkonin lart, që sugjerimet i kishin marrë prej tyre poshtë.

Pra, aktekspertizuesit ishin ndër më të vendosurit për t’i shërbyer regjimit e partisë dhe vepronin sipas mësimeve të saj. Dhe përfitimet ishin të ditura. Së pari rritej siguria e tyre. Por kishte dhe nga ata që i kanë refuzuar. Shkrimtari Nasi Lera më ka thënë se nuk ka pranuar të bëjë aktekspertiza. Po kështu, edhe poeti Bardhyl Londo, madje ia kishin kërkuar për mua. Kurse Kadare e ka bërë në dobi të të akuzuarit, të cilin e kanë liruar. Është botuar në media.

Aktekspertiza ishte vendimtarja, aty ishte shpëtimi, që s’para ndodhte ose gjëma e sigurt. Përligjja e gjëmës. Aq sa dhe hetuesi rrotull saj vinte dhe s’kishte nga të lëvizte. Ndikim në gjykim kishte qysh në zanafillë biografia politike, familjare, kur ende nuk kishe biografi. E imja nuk konsiderohej aq e mirë për regjimin dhe kur kishte përkeqësim të luftës së klasave, e shikonin si të keqe.

Babai ka qenë dhe ai në burg, një xhaxha i pushkatuar, viktima të Koci Xoxes, u thanë, gjyshi i përndjekur si i pasur, edhe nga nëna pak a shumë kështu, pra kisha lindur, si të thuash, i shënjuar. Pritej mosha e dënimit.

Vijon…

Më Shumë

Lajmet e Fundit