17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Këshilli Prokurorial po amniston prokurorët e papërgjegjshëm

syle hoxha 23Luftimi i korrupsionit në Kosovë vazhdon të mbetet sfida më e madhe e institucioneve të drejtësisë në Kosovë, ndërsa promotori më i madh i kësaj lufte, Prokurori i Shtetit, nuk po tregon efikasitet në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit.

Plani i Veprimit për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, i cili ishte vlerësuar si shumë ambicioz, tashmë po dështon në shumë segmente, ndërsa Këshilli Prokurorial, përkundër obligimeve që ka për të mbajtur llogaridhënës të gjithë dështakët, deri më tash nuk ka disiplinuar asnjë prokuror dhe asnjë punonjës edhe pse për këtë ka pasur argumente të mjaftueshme.

Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, institut i cili monitoron dhe vlerëson zbatimin e Planit të Veprimit për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, thotë se Këshilli Prokurorial deri më tash ka dështuar të zbatojë njërin prej segmenteve më të rëndësishme të obligimeve të këtij plani.

“Plani i Veprimit qartë përcakton detyrimet e prokurorëve dhe Kryeprokurorëve për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit… Çdo dështim në zbatimin e këtij plani duhet të sanksionohet dhe përgjegjës për këtë nuk janë vetëm prokurorët por drejtpërdrejtë edhe Kryeprokurorët”, thotë Musliu, përcjell Express.

Sipas tij, monitoruesit e IKD-së, kanë gjetur se një numër i madh i rasteve të korrupsionit, nuk janë regjistruar në – bazën e të dhënave – Mekanizmin Përcjellës, të krijuar enkas për veprat penale karakteristike, ku hyjnë edhe rastet e korrupsionit.

“Këtë dështim e ka konstatuar edhe Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, duke nxjerrë në shesh papërgjegjshmëri të madhe të një zinxhiri të zyrtarëve nëpër prokurori, prej prokurorëve deri te zyrtarët e stafit mbështetës, të cilët nuk kishin respektuar rregullat e Mekanizmit Përcjellës për regjistrimin e rasteve të korrupsionit. Paramendojeni nëse dështon ky mekanizëm, mashtrohet Këshilli Prokurorial, mashtrohet Bashkimi Evropian dhe të gjithë mekanizmat që monitorojnë fushën e sundimit të ligjit në Kosovë”.

Në raportin e IKD-së për monitorimin dhe vlerësimin e Planit të Veprimit, thuhet se Këshilli Prokurorial kishte marrë vendim më 25 shkurt 2014, duke i obliguar të gjithë Kryeprokurorët që të ndërmarrin masa disiplinore ndaj personave që kanë dështuar të respektojnë rregullat për regjistrimin e lëndëve të korrupsionit në Mekanizmin Përcjellës.

Më tej thuhet se përkundër shkeljeve të shumta të cilat ishin evidentuar nga Komisioni dhe vendimit të prerë të Këshillit Prokurorial që të merreshin masa ndaj personave përgjegjës, Kryeprokurorët nuk kanë marrë asnjë masë disiplinore ndaj asnjë prokurori dhe punonjësi.

“Këshilli Prokurorial duke parë këtë hezitim të Kryeprokurorëve për të ndëshkuar zyrtarët e tyre, në prill 2014, ka marrë sërish vendim që Kryeprokurorët të raportojnë në lidhje me masat që kanë ndërmarr. Por, kanë kaluar gjashtë muaj prej këtij vendimi dhe kemi vazhdim të injorimit të Këshillit Prokurorial”, thotë Musliu.

Ai thotë se kjo kulturë e pandëshkueshmërisë dëshmon për një dështim të tërësishëm të sistemit prokurorial, duke amnistuar personat që janë përgjegjës për shkeljet e evidentuara.

Më Shumë

Intervenohet për ndalimin e rrjedhjes së ujit në lokacionin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit

Një problem i vazhdueshëm me rrjedhjen e ujit në lokalitetin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit ka shqetësuar autoritetet që nga fundi i...

Në Rahovec vidhet filtri për pastrimin e mbeturinave në lum

Në Rahovec është vjedhur filtri që shërben për pastrimin e mbeturinave në lum. Siç shkruhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, vlera e...

Lajmet e Fundit