6.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Shtyhet seanca për korrupsion ndaj Ramadan Mujës

Është shtyrë seanca e paraparë të mbahej këtë të hënë, ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe ish-zyrtarëve të kësaj komune, Minir Krasniqi, Sadik Paqarizi, Avni Ademaj e Abdullah Tejeci, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance, u bë mungesa e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Agim Ademi.

Lidhur me mungesën e gjykatësit Ademi, zyrtarja ligjore e tij, për “Betimi për Drejtësi”, bëri të ditur që gjyqtari gjendet në Prishtinë, për shkak që siç tha, ai ka pasur intervistë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, lidhur me procesin për përzgjedhje e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Kurse, tha se të gjitha palët janë njoftuar me kohë për mos mbajtjen e kësaj seance gjyqësore.

Seanca e radhës ndaj ish-kryetarit Muja dhe të tjerëve, pritet të vazhdojë ditën e nesërme, më 20 mars 2018, në ora 10:00.

Ndryshe, Prokuroria Speciale në shkurt 2013, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ish drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Sadik Paqarizit dhe ish drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit, Avni Ademaj.

Në aktakuzën e ngritur për shpërdorim të detyrës zyrtare ishin të përfshirë edhe ish zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Abdullah Tejeci, Minir Krasniqi dhe Kadri Ukimeri.

Muja dhe të tjerët akuzohen nga prokuroria se kanë keqpërdorur pronat komunale të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit Po ashtu në mesin e pronave bëjnë pjesë edhe dy parcelat ku janë ndërtuar shkolla “Mehmet Akif” dhe fabrika e çokollatës “Kamila” në Prizren, të cilat sipas akuzës nuk kanë kaluar fare përmes Kuvendit Komunal por me vendim direkt të ish kryetarit Muja.

Më 13 mars 2014, pas rreth 30 seancave gjyqësore, Gjykata Themelore në Prizren, ka shpallur aktgjykim dënues për ish kryetarin Muja dhe të tjerë.

Muja ishte dënuar me dy vjet burgim, me kusht që të mos kryej vepër penale për periudhën tre vjeçare. Ndaj Mujës ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike për 30 muaj.

Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues edhe ndaj të akuzuarve të tjerë në këtë rast, Paqarizi, Ademaj, Tejeci, Krasniqi dhe Ukimeri, duke iu ndaluar edhe funksionin e tyre në administratën publike për periudha të caktuara kohore.

Gjykata e Apelit kishte anuluar një vendim të tillë dhe kishte kthyer rastin në rigjykim por me ankesë të prokurorisë rasti ka shkuar në Gjykatë Supreme ku më pas Supremja kishte vendosur që lëndën sërish ta shqyrtojë Apeli.

Apeli sërish në korrik 2017 ka vendosur që lënda të kthehet në shkallë të parë për rishqyrtim dhe ri vendosje, por Gjykata e Themelore në Prizren ka kërkuar që të përjashtohet nga ky rast.

Një kërkesë të tillë ishte bërë me arsyetimin se njëra nga veprat për të cilat akuzohet Ramadan Muja, është kallëzim penal i parashtruar nga Gjykata Themelore në Prizren, për pengimin e punës në gjykatë, me rastin e ndalimit të pjesëmarrjes se ekspertëve – gjeodetëve në seancat gjyqësore, ku kryetari i gjykatës dhe një gjyqtar janë dëgjuar si dëshmitarë.

Gjykata e Apelit, pas kërkesës së bërë nga kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, me 8 gusht të këtij viti kishte vendosur që rigjykimi ndaj Ramadan Mujës dhe pesë të akuzuarve të tjerë të zhvillohet nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Ndaj Kadri Ukimerit është pushuar procedura penale pasi që i njëjti ka ndërruar jetë. /BetimiperDrejtesi

Më Shumë

Biblioteka e Prizrenit shënon Ditën Ndërkombëtare të Librit

Biblioteka e Prizrenit shënoi Ditën Ndërkombëtare të Librit . Drejtoresha e Bibliotekës, Sahadete Sadikaj-Kukaj, theksoi se angazhimet e institucionit janë të ofrojë librin sa më afër...

Reja, afër të emërohet trajner i skuadrës në Seria A

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja raportohet se mund të marrë drejtimin e skuadrës së Udineses deri në përfundim të këtij sezoni. Mediet...

Lajmet e Fundit