13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Tabelat alternative, shpëtimi i drunjve në Prizren

Nisur nga shqetësimet e qytetarëve, ambientalistëve dhe zyrtarëve institucionalë për dëmtimin e drunjve në qendër të qytetit, si rezultat i ngjitjes së vazhdueshme të posterëve reklamues dhe shpalljeve njoftuese, “EC Ma Ndryshe” të shtunën ka realizuar performansën publike ”Drunj të pastër”, e cila bën thirrje për më shumë kujdes në ruajtjen e vlerave natyrore të qytetit.

“Përderisa drunjtë janë atribues kryesor në pastërtinë e ajrit, gjelbërimin dhe hijen e krijuar si dhe janë përbërës të rëndësishëm në peizazhin e qytetit, ata vazhdimisht po përdoren si sipërfaqe reklamuese. Ngjitja dhe shpimi në sipërfaqen e drunjve i dëmton ato për arsye se dëmtohet një prej shtresave më esenciale të vet drurit, ajo mbrojtëse, e cila shërben si transmetues i lëndëve ushqyese nga rrënjët deri te gjethi”, tha koordinatori i projektit, Fisnik Minci.

Për të evituar këtë, “EC Ma Ndryshe” propozon që në akset kryesore të rrugëve të vendosen tabela të cilat kanë për destinim ngjitjen e materialeve njoftuese dhe promovuese.

“Për këtë është realizuar një analizë, që është përqendruar në dy segmentet e rrugëve prej objektit të Komunës e deri te ura Arasta, me ç’rast është parë se nga gjithsej 42 drunj të perimetrit 1,3 m deri në 2 m, sipërfaqja e cila shfrytëzohet për reklamim është rreth 50 m2”, tha Minci.

“Në vend të kësaj, është propozuar një alternativë e tabelës reklamuese e cila ka hapësirë shfrytëzimi në te dy anët me gjithsej 5,24 m2. Në bazë të llogarive të dala nga analiza, aplikimi i kësaj tabele në 9 ekzemplarë përgjatë segmenteve të analizuara, do të lironte drunjtë nga njoftimet e reklamat”, tha ai.

Gjatë performansës ”Drunj të pastër” është bërë prezantimi i tabelës, që për bazë ka jo vetëm funksionin utilitar, por edhe atë të artit publik.

“Koncepti i kësaj alternative bazohet në diversitetin kulturor, etnik dhe fetar të qytetit të Prizrenit, duke reflektuar në dizajn një kompozicion të karaktereve të ndryshme në këtë vend. Dimensionet e sipërfaqes për ekspozimin e njoftimeve dhe reklamave janë përcaktuar të jenë të përshtatshme edhe për fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta”, tha Minci.

Paralelisht prezantimit të tabelës për pastrimin e drunjve nga materialet promovuese është bërë pastrimi i disa drunjve ekzistues, me thirrjen për më shumë kujdes në trajtimin e tyre në të ardhmen.

Performansa publike “Drunj të pastër” është realizuar në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës…”, të financuar nga Olof Palme International Center (OPIC), e cila përkrahet nga Qeveria e Suedisë. “Qyteti gjithëpërfshirës…” është projekt tre-vjeçar i “EC Ma Ndryshe”, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Dramë e madhe në Suharekë – super derbi me katër gola

Ballkani dhe Drita ka luajtur një ndeshje të madhe duke barazuar me rezultat 2-2 në kuadër të derbit të javës së 30-të të Superligës...

Pse e ndërpreva seksin për një vit!

“Në mars të vitit 2018, ndalova seksin. Vendosa që për një vit të mos bëj seks apo ndonjë gjë që lidhet me të.” Francisco...

Lajmet e Fundit