17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Faqezinjtë flasin për Ukshin Hotin!

Nga Agim Muhaxheri

“Babai” serb Dobrica Qosiq thoshte: “Rrenën e kemi kthyer në doktrinë nacionale” dhe për një rrenë të madhe serbët vdesin kurdo dhe ngado. Ish-drejtori i Burgut të Mitrovicës së Sremit, Trivun Ivkoviq, “zbuloi” se Ukshin Hotin e kanë vrarë shqiptarët. Mbrojtësi i Ukshin Hotit, avokati dr. Hysni Bytyçi më tha: E pësuan klientët e mi më së keqi, më “erdhi radha edhe mua”. Propaganduesit serbë e bëjnë gjellën pa kripë. Në listat e tyre i nxjerrin emrat e shqiptarëve, profesorët Fehmi Aganin e Latif Berishën, avokatin Bajram Kelmendin me dy bijtë e tij, Agim Hajrizin me nënën dhe birin e tij 13-vjeçar, Gafurr Lokun me të birin etj. etj., të cilët, si “bashkëpunëtorë” të Serbisë, i paska vrarë UÇK-ja! Këtë propagandë të “lodhtë” e përgënjeshtroi Bardhyl Mahmuti në librin e tij “Mashtrimi i madh”

E kanë vajin te buza. Shajnë, kukasin, gënjejnë, shpifin, thonë gjithçka që u vjen te goja për shqiptarët. S’i ka lëshuar anestezia! E ke filarmoninë, jo vetëm nga politikanët dhe popët serbë, por edhe nga qatipët e burgjeve. Bëjnë gara kush më shumë po i baltos shqiptarët. Jo më kot Sigmund Freud (Frojdi) në librin e tij “Psikopatologjia e jetës së përditshme” (1904) s’i ka quajtur të paturpshëm (“drskih Srba”).

Ish-drejtori i Burgut të Mitrovicës së Sremit, Trivun Ivkoviq, e lëshoi fjalën si lopa bajgën. Tipi merret me intelektualin tonë, profesorin e nderuar mr. Ukshin Hotin. Thotë për të se e paskan vrarë shqiptarët. Shihe ti, shqiptarët!

Trivun Ivkoviç, “zbuloi” se mr. Ukshin Hotin e paskan vrarë shqiptarët, më 16 maj 1999, “vetëm 100 metra pasi ka dalë nga Burgu i Dubravës”. Arsyeja e vrasjes, sipas tij, del të jetë “hakmarrja”, ngase profesori ynë paska qenë “njeri i amerikanëve, i cili do të bëhej President i Kosovës”!

Kur një polic, siç është Ivkoviq, merret me intelektualin tonë kjo është tragjikomedi. Tragjedi për vetë serbët, komedi për botën që i lexon dhe dëgjon kopallat e tyre.

Publicisti gjerman Hans Habe në librin e tij “Zotërinj porotë”, kur flet për policinë e përdor shprehjen frënge: “bande d’idiots”.

Ithtarët e “babait” serb, Dobrica Qosiq, s’mund të jenë të qetë pa gënjyer. Krimet çmendurake që i kanë bërë ndaj shqiptarëve, orvaten t’ua veshin shqiptarëve.

Nuk e kanë sefte.

Akademik Mark Krasniqi në librin e tij “Nga gurra e traditës” (1991), i nxori në shesh gënjeshtrat e shpifjet e akademikut Jovan Cvijiqit (1865 – 1929) ndaj shqiptarëve. Rrugën e Cvijiqit e vazhdoi “babai i kombit modern” Dobrica Qosiqi, i njohur si projektues i elaborateve për shfarosjen e shqiptarëve.

Qosiqi, partizani i shokut Tito, ky plak i matufosur, edhe sot llomotit duke i fyer shqiptarët.

Qosiq thoshte: “Rrenën e kemi kthyer në doktrinë nacionale” dhe për një rrenë të madhe serbët vdesin kurdo dhe ngado.

Në Serbi i ke kokat e nxehta, që s’i ka lëshuar anestezia dhe të tjerët që ndryshe e shikojnë realitetin juridik e politik të Kosovës. Këta të dytët, të arsyeshmit, më tepër i ke të gjinisë femërore. Prijnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare serbe, ato të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH). Shquhen Natasha Kandiq, Sandra Orloviq, Marijana Toma, Milica Kostiç, Jelena Kostiç… Është i njohur edhe emri i Jelena Dzombiç, përfaqësuesja e “Komitetit të Helsinkut për të Drejtat e Njeriut në Serbi”. “Kosova është shtet i pavarur”, tha zonjusha Dzombiç në një intervistë të publikuar ditë më parë në gazetën elektronike “Zëri.info”. Natasha (Kandiq) nuk dorëzohet, ndonëse të vetët e quajnë “izdajica” (tradhtare).

Me shpifjet e ish-drejtorit të Burgut të Mitrovicës së Sremit, Trivun Ivkoviq, u mor deputeti Nait Hasani. Në seancën e Kuvendit, më 26 qershor, Naiti e përgënjeshtroi Ivkoviqin, shprehu habinë për të bëmat e tij. Ai tregoi disa fotografi të tmerrit. Bëri të ditur se në Burgun e Dubravës, në maj të 1999-s, janë vrarë 130 të burgosur shqiptarë. Ndonëse për këtë masakër është bërë kallëzimi penal, sot e asaj dite kriminelët s’i ka kapur shpata e drejtësisë. Si t’i kapë shpata e drejtësisë? Kriminelët serbë që e bënë masakrën në Burgun e Dubravës shëtisin lirshëm nëpër Serbi, ke prej tyre edhe në pjesën veriore të Kosovës!

Kush është Nait Hasani?

Nait Hasani (1965), ish-i burgosur politik, i dënuar katër herë, për herë të fundit në dhjetor të 1997-s. Në procesin e fundit, të mbajtur në Prishtinë, ishte dënuar me 20 vjet burg. Procesin e tij e kam ndjekur për gazetën ku punoja. Kam shkruar për rrëmbimin klasik që i është bërë nga policia serbe, që nga 28 janari 1997. Një muaj nuk është ditur për të, është i gjallë, apo i vdekur. Njërin nga raportet të publikuara në gazetë, të ilustruar me fotografinë e tij, më 11 dhjetor të ’97-s, e kam titulluar: Nait Hasani: “Republika e Kosovës do të jetësohet o me paqe, o me luftë”. Doli alternativë e dytë: Me luftë.

Naiti është njëri nga ata që e përjetoi tmerrin, masakrën në Burgun e Dubravës.

Tipi Ivkoviç e kishte “në dorë” Ukshin Hotin. E dërgoi në Burgun e Dubravës, afër Istogut, që me të të merren kriminelët serbë, të cilët sot e asaj dite nuk i kapi shpata e drejtësisë! Llomotitja e tij se Ukshin Hotin e vranë shqiptarët, pa treguar se kush janë ata, është rren për hava. Nga policët nuk priten mrekullira!

E pësoi edhe mbrojtësi i Ukshin Hotit, avokati dr. Hysni Bytyçi, të cilin, në banesën e tij në Beograd, më 16 mars 2000, e sulmojnë njerëzit me maska duke e rrahur mizorisht dhe kërcënuar se do ta likuidojnë. Që nga 4 shtatori i vitit 2000 Bytyçi rron në Londër. Këtij i dhanë azilin politik. Me autorin e librave “Përgatitu për luftë nëse do paqe”, “Kosova dhe shqiptarët”, dr. Hysni Bytyçin, bëra intervistë për gazetën “Epoka e re”, e cila doli në tri vazhdime, më 4, 5 e 6 korrik 2007. Ky bashkëbisedues më pati thënë se beteja e tij për Ukshin Hotin bëhej gjatë bombardimeve të NATO-s, se e ka vizituar prej një burgu në burgun tjetër. Më 28 prill 1999, shkëputen lidhjet e këtij avokati me klientin e tij. I pyetur si ndodhi krimi ndaj tij, përgjigja e Bytyçit rrodhi: Kjo është histori në vete. E pësuan klientët e mi më së keqi, më “erdhi radha edhe mua”.

Hotin, në gjyqin e Prizrenit, e dënuan me 5 vjet burg. E mbajtën në burgun e Mitrovicës së Sremit, në atë të Nishit dhe së fundi në Dubravë. Për të u mbajtën dy seanca gjyqësore, më 27 e 28 shtator 1994. Mbrojtja e tij ishte një ese filozofik e politik.

Gjatë një pushimi në gjykatore bisedoj me të. Nuk kërkoj leje as nga policët, as nga gardianët… “Faleminderit për kujdesin që ke treguar ndaj meje”, më thotë Ukshin Hoti. Pas shpalljes së aktgjykimit, profesori iu drejtua auditoriumit: “Ju qoftë për hair bashkimi i republikave shqiptare. Republika e Kosovës do të jetësohet”.

“Kirurgët” e këtij procesi ishin prokurori Dobrivoje Periq dhe kryetarja e trupit gjykues të të treve Nada Haxhiperiq.

Për të shkruaj komentin “Frikë nga intelektuali apo revanshizëm”.

Nuk e lë në harresë profesorin as në gazetën “Fakti” të Shkupit. Më 3 qershor 1999, në ballinën e kësaj gazete, publikohet shkrimi “Ku janë ata, cili është ‘trajtimi’ i tyre?!”, i ilustruar me fotografinë e profesorit “brenda grilave”.

Tipat e Qosiqit, nuk gënjejnë vetëm për Ukshin Hotin, por edhe për të tjerët. Bardhyl Mahmuti në një emision televiziv duke folur për librin e tij “Mashtrimi i madh” e përgënjeshtroi propagandën serbe. Ai tregoi se në listat e civilëve shqiptarë të cilësuar si bashkëpunëtorë dhe besnikë të regjimit serb, vrasja e të cilëve i vishet UÇK-së, janë futur emrat e njohur të skenës politike dhe intelektuale të Kosovës. Aty janë profesorët Fehmi Agani dhe Latif Berisha, avokati Bajram Kelmendi dhe djemtë e tij (Kushtrimin 18-vjeçar dhe Kastriotin 31-vjeçar), sindikalisti Agim Hajrizi me nënën (Nazmijen) dhe djalin e tij 13-vjeçar Ilirin. Në listën serbe, si bashkëpunëtorë të Serbisë, figurojnë edhe i burgosuri politik Gafurr Loku me të birin 20-vjeçar Dritonin.

Ilirin 13 vjeç e Dritonin 20 vjeç horrat serbë i paraqitën si bashkëpunëtorë të Serbisë!

Gafurr Loku dhe i biri i tij ishin ekzekutuar para shtëpisë së tyre në Paldenicë të Hanit të Elezit, të dielën e 21 shkurtit 1999. Atëbotë flitej se këta i likuidoi organizata terroriste serbe “Cërna ruka”. Marr pjesë në ceremonialin e varrimit të tyre, në Paldenicë, prej nga shkruaj raportin për gazetën “Fakti” të Shkupit.

Një gjë dihet. Avokati Bajram Kelmendi e bëri kallëzimin penal kundër Sllobodan Milosheviqit. Vajti drejtpërdrejt në Tribunalin e Hagës për ta denoncuar kasapin e Ballkanit.

Jo rastësisht nuk e rrëmbyen në shtëpinë e tij në Prishtinë këtë avokat me dy fëmijët e tij, më 24 mars 1999, natën e bombardimeve të NATO-s. Trupat e tyre të nesërmen u gjetën të vrarë skaj një pike të karburantit në rrugën që shpie për në Fushë Kosovë.

Zotërinjtë e BE-së, pra edhe këta të EULEX-it nuk janë aq budallenj të mos dinë për vrasjen e dr. Fehmi Aganit, Bajram Kelmendit e të tjerëve. Njëherë janë të zënë me të akuzuarit shqiptarë…

Kriminelët serbë që bënë shumë të zeza në Kosovë i ka lëshuar toka.

Zotërinjtë e EULEX-it “s’kanë qasje” si t’i kapin ata. Më lehtë e kanë të merren me shqiptarët!

Më Shumë

Kujtimet poetike të Fahri Musliut

Gazetari Fahri Musliu ka publikuar në rrjetin social Facebook disa poezi të cilat i  ka shkruar në  fund të vitit  ’70-të . “Poezitë janë të...

Dramë e madhe në Suharekë – super derbi me katër gola

Ballkani dhe Drita ka luajtur një ndeshje të madhe duke barazuar me rezultat 2-2 në kuadër të derbit të javës së 30-të të Superligës...

Lajmet e Fundit