6.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Reflektimi politiko-demokratik i Vetëvendosjes?

Qemajl Krasniqi 1Shkruan: Qemajl Krasniqi
“Uji që s’ec, qelbet”. E nisa me këtë proverb popullor për të bërë këtë hyrje, pasi që shumica e njerëzve e dinë se, uji që nuk ec nuk pihet.

“Vetëvendosje”, në tekstin e mëtejmë VV, e ka nisur aktivitetin e vet shoqëror – politik si një shoqatë apo organizatë që nuk ngjante me partitë politike, ndonëse kryekëput merrej me çështje politike. Madje çështjet politike me të cilat merrej VV ishin më të ndjeshme nga sa merreshin subjektet tjera të regjistruara si të tilla.

Në këtë mënyrë VV përdori strategjinë e krijimit të një baze të simpatisë tek masat e gjera, kryesisht të nacionalistëve. Rritja e vazhdueshme erdhi si rezultat i një qëndrimi të vendosur dhe mjaft të guximshëm, do të thosha, të aktivistëve të VV-së. I kemi parë nëpër protesta, përplasje me policinë, kundërshtimi i vazhdueshëm i procesit të bisedimeve me Serbinë, si dhe ndarjes territoriale apo si është quajtur me term të zbutur “decentralizim”.

Krejt këto i kanë krijuar kredi të mira politike VV-së, duke shënuar rritje vit pas viti. Mbështetësit më të vendosur të VV-së qenë të rinjtë, njerëzit e thjeshtë, ish nacionalistë të zhgënjyer me realitetin, të papunët, të pakënaqurit (e të tillët janë të shumtë), me një fjalë njerëzit që mendonin se me VV-në hallet e tyre do të gjenin zgjidhje.

Mbetja në opozitë dhe lufta e vendosur opozitare bënë që VV të fitojë edhe më shumë përkrahje, ngase qëndrimet e tyre korrespondonin me pritjet e njerëzve të zakonshëm. Opozita, “si garant i demokracisë dhe avokat i qytetarit”, është pozicion mjaft komod që të jep kredi politike, që nëse përdoren me mençuri sjellin rendiment në zgjedhje. VV e luajti mirë këtë rol. Kjo dëshmua në zgjedhjet e fundit në vend. Mirëpo, ndryshimet në skenën politike, me apo pa ndikimin e VV-së, diktojnë ndryshimin e kursit politik. Ky ndryshim kursi kërkon një “timonier” largpamës dhe që e di “çfarë ka pas kodrës”.

VV faktor bashkimi apo “Kalë Troje”?

Bashkimi i disa partive në një bllok për të formuar qeverinë e re ndodhi edhe në sajë të kontributit të VV-së. Natyrisht se VV nuk mund të mbetej në bisht të ngjarjeve dhe të shihte se si të tjerët e drejtojnë anijen në furtunë. Qëndrimi si spektator nuk mund të ndihmojë shumë lojtarët në fushë, të cilët duhet të djersijnë, të vrapojnë, të vendosin për pozicionin që do të mbajnë, të pranojnë dhe të japin, ndërsa në fund duhet të shënojnë për të realizuar pritjet e spektatorëve. E shpjeguar thjeshtë, por për t’u realizuar është mjaft komplekse. VV patjetër që është dashur të futet në lojë dhe të marrin rolin e tyre të paracaktuar vetë. Ata nuk mund të mbeteshin indiferent duke parë se si të tjerët e luajnë lojën e tyre. Pjesëmarrja në këtë lojë politike, gjithsesi që e faktorizon VV-në. Ndërsa, marrëveshja me të tjerët nënkupton edhe kompromisin, shprehur në terma politik. Dhe ky kompromis merr e jep nga secili, për secilin dhe tek secili lojtar. Kështu mund të arrihet suksesi, natyrisht nëse bashkëlojtarët janë të sinqertë dhe përpiqen me tërë qenien për të realizuar qëllimin e përbashkët.

Mbetja në opozitë-pozitë, pra në pozicion dualist, do ta dëmtonte vetë VV-në. Aktivistët e VV-së që shprehen të pakënaqur janë kryesisht idealistë të papërmirësueshëm, të cilët i kanë të paqarta disa rrethana dhe pasojat që mund të ketë Kosova dhe vetë VV nëse abstenon nga këto procese,kaq të rëndësishme për vendin. Pjesëmarrja në pushtet dhe vendimmarrje ka rreziqet e veta, por nëse ekziston qasje e qartë dhe racionale, atëherë rreziqet minimizohen.

A do të përballojë VV tronditjet e brendshme?
Sfidë e vërtetë është ndërtimi i institucioneve, ndalja e ecurive që ata i konsiderojnë regresive për vendin, ndryshimi i mentalitetit qeverisës, përfshirja e sa më shumë aktorëve në këtë garë politike, përmirësimi i imazhit të vendit, ripozicionimi karshi faktorit Serbi dhe arritja e një statusi më të avancuar ndërkombëtar, si dhe një mori çështjesh shumë të rëndësishme për qytetarët. Tashmë në kuadrin e marrëveshjes për bashkëqeverisje janë përcaktuar edhe linjat e qarta. Me këtë në asnjë mënyrë nuk dëshiroj të amnistoj VV-në nga dëmet që i kanë shkaktuar vendit, duke kundërshtuar çdo lloj bisedimi me Serbinë, ndonëse kërkoheshin nga Bashkësia Ndërkombëtare, si dhe organizimit të protestave, që disa herë devijuan. Sulmi mbi institucionet e shtetit nuk mund të arsyetohet me asnjë mënyrë, sado me elokuencë të thuhet.

Apetitet për të dominuar grupin dhe ushtrimi i pakufizuar i ndikimit, duke abuzuar me të drejtën legjitime të njerëzve për të qenë të pakënaqur me gjendjen, bëjnë që VV të shihet me skepticizëm nga individë, grupe shoqërore dhe nga qarqe të ndryshme intelektuale. Të gjitha këto do të jenë sfidë e të ardhmes për VV-në, pasi që ky subjekt duhet të evoluojë në përputhje me zhvillimet në skenën politike vendore dhe ndërkombëtare. Efekti i ndërvarësisë i krijuar në botë sot e prek edhe Kosovën, rrjedhimisht edhe VV-në. Kosova nuk e ka as luksin dhe as fuqinë të ndryshojë marrëveshjet ndërkombëtare, dhe këtë e dinë mirë edhe drejtuesit e VV-së.

Prandaj,mendoj se “Vetëvendosje” ka bërë një reflektim politiko-demokratik, që gjithsesi se do të pasohet me tronditje të brendshme. Varet nga drejtuesit e saj se çfarë ndikimi do të kenë këto tronditje dhe se a do ta ruajë ekuilibrin apo VV do të evoluojë bashkë me zhvillimet shoqërore në vend.Nga përvojat politike në vend, në raste të ngjashme ka pasur shkërmoqje dhe copëzim të brendshëm të grupeve politike. Gjithsesi, “Vetëvendosje” e bën më interesante garën politike për pushtet në Kosovë.

Më Shumë

Dramë në kryeqytet, triumfon Trepça

Në një ndeshje dramatike, Trepça ka mundur Sigal Prishtinën me rezultat 85:86 (28:21, 20:19, 17:20, 20:26) dhe tani avancon në serinë gjysmëfinale 2:0. Për...

Vlera e kredive të reja për muajin mars 2024 arriti në 241.20 milionë euro, edepozitave 69.70 milionë euro

Shtatë miliardë e 500 milionë euro janë asetet e bankave komerciale në Republikën e Kosovës derisa shuma e depozitave të qytetarëve arrin në 6.05 miliardë...

Lajmet e Fundit