10.3 C
Prizren
E premte, 24 Prill, 2026
Home Blog Page 1412

Në rigjykim, ish-inspektori deklarohet i pafajshëm për mosrrënimin e ndërtimeve pa leje në Prizren

0

Ish- inspektori i ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu nuk e ka pranuar fajësinë për akuzën se ka kryer dy vepra penale të korrupsionit. Ai ngarkohet se nuk i ka rrënuar ndërtimet pa leje nga investitorët Isuf Alibajra dhe Shaqir Rrahmanaj në zonën e “Qylhanit” në Prizren.

Këtë deklaratë Musliu e ka dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, në seancën e rigjykimit pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-inspektorit Musliu, i cili nga Gjykata Themelore në Prizren, ishte dënuar me dënim unik prej 14 muajve burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve, ku mbrojtësja e të akuzuarit Musliu, avokatja Valbonë Morina ka thënë se aktakuza nuk është e mbështetur në prova materiale.

E njëjta ka kërkuar nga gjykata që të veprohet sipas vërejtjeve që ka dhënë Gjykata e Apelit. Sipas saj, do të vërtetohet se i akuzuari Musliu nuk është fajtor për veprat penale për të cilat po ngarkohet.

Kurse, prokurorja Gashi dhe përfaqësuesi i të dëmtuarës, Komuna e Prizrenit, Fatmir Memaj kanë deklaruar se qëndrojnë pranë fjalëve hyrëse të dhëna më 13 janar 2021.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 10 nëntor 2023.

Prokurorisë Themelore Prizren, më 26 nëntor 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nexhmedin Musliu për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej 23 majit 2017 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri tek Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarrë veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Isuf Alibajrës ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Musliu në prill të vitit 2017 e në vazhdimësi, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3, urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.

Sipas aktakuzës, Musliu më 22 dhjetor 2017 sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Shaqir Rramanajt ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4 dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Ai akuzohet edhe në disa raste të tjera që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale. /BetimipërDrejtësi

Muriqi, “Lojtari i Javës” në La Ligë

0

Sulmuesi kosovar i Mallorcas, Vedat Muriqi vazhdon të shkëlqej në La Ligën spanjolle.

Ylli i “Dardanëve”, i cili shënoi gol dhe asistoi në barazimin e Mallorcas kundër Barcelonës (2-2), ndeshje kjo e zhvilluar mesjavën që lamë prapa, është vlerësuar lojtari më i mirë i javës së shtatë në elitën spanjolle.

Muriqi u vlerësua me notën më të lartë. Sipas faqes së specializuar të statistikave Sofascore, Muriqi u vlerësua me notë 8.6, i ndjekur nga Raphina dhe Ivan Villar me notë 8.5.

Ministri Murati sqaron se kush duhet të aplikojë për subvencionim të rrymës

0

Ministri i Financave Hekuran Murati ka bërë të ditur se deri më tani, janë mbi 45 mijë familje që kanë aplikuar për subvencionim të faturave të energjisë elektrike.

Ndërsa ka thënë se ka ende kohë për të aplikuar. Ministri Murati po ashtu ka dhënë sqarime lidhur me atë se kush duhet të aplikojë.

Postimi i plotë i Muratit:

Deri më tani, janë bërë mbi 45 mijë familje që kanë aplikuar për subvencionim të faturave të energjisë elektrike.

Ka ende kohë për të aplikuar, andaj shfrytëzojeni këtë mundësi. Aplikimet për grupin e parë mbyllen të dielën, me 1 tetor 2023.

Kush duhet të aplikojë?

Të gjitha familjet që kanë të ardhura më pak se 150 euro/muaj për një anëtar.

Pra nëse familja është me 2 persona, duhet të keni të ardhura më pak se 300 euro/muaj, për 3 persona më pak se 450 euro/muaj, për 4 persona më pak se 600 euro/muaj, e kështu me radhë.

Familjet në asistencë sociale a duhet të aplikojnë?

Po. Të gjitha familjet që janë përfitues të skemave sociale e pensionale, inkurajohen të aplikojnë. Përderisa familja ka më pak të ardhura mujore sesa pragu prej 150 euro/muaj për anëtar, atëherë ju kualifikoheni për subvencionim të energjisë elektrike.

Familja jeton me qira, dhe njehsori elektrik është në emër të pronarit, a mund të përfitojmë nga subvencioni?

Po. Vetëm sigurohuni që tek pyetja “A jetoni me qira”, të zgjedhni opsionin “Po”, të plotësoni fushat e nevojshme, si dhe tek pjesa për Njehsorin Elektrik, të shënoni të dhënat e njehsorit, ashtu që të përputhen me të dhënat e personit që është pronar i banesës/shtëpisë.

Si familje kemi të ardhura, mirëpo një pjesë e konsiderueshme shkon për të paguar qiranë e shtëpisë/banesës ku jetojmë. A kualifikohemi për subvencionim?

Nëse jetoni me qira, atëherë ju duhet të shënoni këtë në rubrikën përkatëse, dhe një pjesë e qirasë që paguani do të merret parasysh, në mënyrë ju të përfitoni më shumë nga subvencioni. Mirëpo sigurohuni që informatat të jenë të sakta, sepse ofrimi i informatave të pasakta do të rezultojë në refuzimin e aplikacionit tuaj.

Jam prind vetushqyes, pra përkujdesem vetëm unë për fëmijët, a ka ndonjë përfitim shtesë?

Nëse jeni prind vetushqyes, ose familje që ka anëtarë me aftësi të kufizuara, apo jetoni si pensionist i vetmuar vetëm ose me bashkëshortin/-en, atëherë ju mund të përfitoni subvencionim shtesë.

Prindërit vetushqyes dhe pensionistët e vetmuar, duhet të zgjedhin kategorinë përkatëse gjatë aplikimit.

Kurse familjet që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara, mjafton të aplikojnë në kategorinë si familje e cënueshme, dhe verifikimet tjera i bëjmë ne me databazat që kemi për pensionet për aftësi të kufizuara.

 

Kur duhet t’i lëvizini një orë pas akrepat e orës

0

Edhe pse Bashkimi Evropian para disa vitesh njoftoi se do të shfuqizonte orën verore dhe dimërore dhe do të miratonte një të unifikuar, kjo (ende) nuk ka ndodhur.

Në Evropë, duke përfshirë edhe Kosovën, ora verore këtë vit përfundon më 29 tetor.

Kjo do të thotë se në natën e 29 tetorit, në orën 03:00, do t’i zhvendosim akrepat e orës një orë pas, domethënë në ora 02:00.

Nuk dihet ende se kur BE-ja do të heqë përfundimisht ndryshimin e orës, por në Kroaci, e cila është anëtare e Unionit, për shembull, rregullorja për numërimin e orës verore dhe dimërore është në fuqi deri në fund të vitit 2026.

Në këtë Rregullore thuhet gjithashtu se si do të rregullohet koha deri në fund të vitit 2026. 

Fshatrat Gorozhup-Pogaj të Hasit do të lidhen me rrugë

0

Është nënshkruar protokolli për zbatimin e marrëveshjes për ndërtimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitarë që ndërlidhin fshatrat ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Nënshkrimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje është bërë nga zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi, dhe Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, bën të ditur Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Sipas njoftimit nëpërmjet kësaj marrëveshje përveç se dy vendet do të ndërlidhen më afër me njëri tjetrin ekonomikisht, bashkërisht do të kontribuohet në vlerësimin e gjendjes dhe përmirësimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitare që lidhin zonat kufitare Shqipëri-Kosovë.

Tutje thuhet se zona e përbashkët në mes të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, e cila do të mbulohet me këtë program zhvillimi, është e përbërë nga Bashkia e Hasit dhe Kukësit në Republikën e Shqipërisë, si dhe Komunat e Prizrenit dhe Dragashit në Republikën e Kosovës.

Zonat e bashkëpunimit, siç përcaktohen në raportin mbi shqyrtimin dhe vlerësimin e gjendjes së rrugëve të fshatrave ndërkufitarë që lidhin zonat kufitare Kosovë – Shqipëri, janë fshatrat si më poshtë:

Zapod, Shqipëri – Kërstec, Kosovë

Pogaj, Shqipëri – Gorozhup, Kosovë dhe

Dobrunë, Shqipëri – Blinishtë, Kosovë.


Reklamë

RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballë ‘Premium Park Hotel”.
Si dhe mund të na kontaktoni:
+383 44 128 112 ; +383 49 613 613
Kliko videon 

Kurti kërkon mbështetjen e Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në KE

0

Kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE).

Në një intervistë për “NZZ”, Kurti ka thënë se për t’u bërë anëtarë të Këshillit të Evropës, Kosova ka nevojë për miq, të cilët ofrojnë një pasqyrë të vërtetë.

Kurti për gazetën e Cyrihut ka thënë se qëllimi i Kosovës është që vitin e ardhshëm të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Para së gjithash, është një çështje gjeopolitike. Vendet e BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) nuk e njohin Kosovën. “Kemi nevojë për ndihmë nga Zvicra”, ka thënë Kurti.

Intervista për “Neue Zürcher Zeitung” është publikuar pas takimit të një jave më parë me presidentin e Konfederatës, Alain Berset.

Zvicra mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, bëri të ditur Departamenti Federal i Brendshëm (DFI) pas bisedimeve, duke shtuar se kjo do t’u mundësonte të gjithë banorëve të vendit – dhe për rrjedhojë edhe anëtarëve të pakicës serbe dhe komuniteteve të tjera – të kenë qasje. në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

A mund të jetë ndeshja e radhës e Messi-t kundër CR7?

0

Tifozët e Inter Miami u përballën me zhgënjim teksa panë skuadrën e tyre të humbte në finalen e Open Cup dhe mungesa e Lionel Messi-t e bëri edhe më të vështirë gëlltitjen e atij rezultati.

Me vetëm pesë ndeshje të mbetura në sezonin MLS të Inter Miamit, ka shumë të panjohura rreth statusit të lëndimit të Messi-t dhe sa ndeshje mund të luajë. Por një raport nga Arabia Saudite ka ofruar një mundësi të re për ndeshjen e ardhshme të madhe të klubit ku Messi do të luajë.

Një postim i gazetarit saudit, Ali Alabdallh në X tregoi se një kompani ndërkombëtare marketingu është e interesuar të sjellë Messi-n kundër Cristiano Ronaldo-s në Kinë me një miqësore mes Al Nassr dhe Inter Miami.

Kjo nuk është një ide e re, pasi dy legjendat u takuan janarin e kaluar për herë të parë që kur Cristiano u largua nga Evropa në një miqësore mes yjeve të Al Nassr dhe Al Hilal dhe ish-klubit të Messi-t PSG.

Trajneri i Inter Miamit, Tata Martino, ishte i fortë në deklaratën e tij pas ndeshjes pasi humbën finalen e kupës 2-1 nga Houston Dynamo.

“Ai me siguri do të luajë para fundit të sezonit”, tha Martino për Messi-n. “Ne do të shkojmë ndeshje pas ndeshje duke përcaktuar situatën për të parë se në cilën pikë departamenti mjekësor na thotë se ai është i aftë për të luajtur pa rrezikuar”.

Inter Miami është në vendin e 14-të nga 15 skuadra të Konferencës Lindore të MLS. Ata janë aktualisht me 32 pikë, pesë pikë larg vendit të fundit në playoff. Ata kanë pesë ndeshje të mbetura në ligë, ndërsa shumica e skuadrave të tjera kanë tre ose katër, për shkak të ecurive të zgjatura në Kupën e Ligës dhe Open Cup. Albanian Post

Në një shtëpi në Prizren konfiskohen dy pushkë e një karikator

0

Janë konfiskuar dy pushkë automatike dhe një karikator, gjatë bastisjes në shtëpinë e një personi në Prizren.

Me vendim të prokurorit, ky i fundit është dërguar në mbajtje, raporton teve1.info.

“Rr. Alkes Buda, Prizren 28.09.2023 – 08:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që në shtëpinë e tij gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar dy pushkë automatike dhe një karikator. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë

Rrënjët çame të Mitrush Kutelit

0

Autor: Enver Kushi

Duke botuar këtë letër, pas 32 vitesh, i bëjmë homazh emrit dhe veprës së madhe të prozatorit – shkollë të prozës shqipe, Mitrush Kutelit, si dhe të parëve të Kutelëve, çamëve fisnikë e të kulturuar nga Arta. Është rasti të falenderoj në emër të shpirtit të patjetërsueshëm dhe vital të Çamërisë, Pandeli Paskon, pasardhës i denjë i Kutelëve, që krenohet me rrënjët nga brigjet plot dritë të Artës, nga ura e së cilës, si në baladën çame “Ura e Nartës”, vjen amaneti i nuses së murosur:

“Do të mbijë kutu nji fik i bardhë,

Kur të pjekë aj kokrrën e parë,

Ju t’ia ipi djalit tim të hajë”

Disa vite më parë, teksa kaloja mbi urën e Artës, befas ndala në mesin e saj. Mbaj mend që regjisori Kujtim Gjonaj më pyeti se përse qëndroja si i ngrirë atje. Ndjej dridhjet e urës, i thashë Kujtimit. Edhe një rënkim gruaje të murosur. Edhe pëllitjen e një demi dhe të një dashi që bërtet. Edhe zërin e nuses që thotë:

“Oh, medet”! Medet!”

Pastaj bëra tutje nëpër urë, duke përsëritur fjalët “Oh medet! Medet!” Ishin shpirtrat e Kutelëve të vdekur e të gjallë, shpirtrat e Çamërisë martire që rënkonin dhe rënkojnë.

Tiranë, shtator 2023

Mund të ketë qenë fundviti 1983 ose ndoshta edhe fillimi i vitit 1984, kur Rikard Larja, një nga njerëzit më fisnikë që kam njohur, por edhe aktori dhe regjisori i mirënjohur i filmit shqiptar, më ftoi për kafe. Nuk kisha shumë kohë që kisha filluar punën si skenarist në redaksinë e filmit artistik të Kinostudios “Shqipëria e Re”. E pranova me kënaqësi ftesën e tij, por edhe me një farë ndroje, sepse isha i ri në atë institucion të madh të filmit shqiptar, i rrethuar me emra të njohur regjisorësh, skenaristësh, piktorësh etj. Nga ana tjetër nuk bëja pjesë në rrethin shoqëror të tij, megjithë respektin që kisha për të. Mbaj mend se që nga dalja nga porta e madhe e Kinostudios e deri në lokalin e vogël, brenda territorit të këtij institucioni, folëm shumë pak me njeri-tjetrin, se nëse isha lidhur me ndonjë regjisor apo paraqitur ndonjë bocet për skenar.

-Ti je me origjinë nga Çamëria,-më pyeti Rikardi, teksa porositëm kafenë e çikores.

-Po,-i thashë.-Atje i kam rrënjët e mia.

-Të parët e tu janë nga qytetet e zonës bregdetare Parga, Preveza apo Arta?

-Ata janë nga një fshat që quhet Spatar, shumë afër qytetit të Filatit dhe se si më ka treguar nëna ime, nga lagjia e saj, që quhet Breg, duket si në pëllëmbë të dorës deti Jon dhe qyteti i Korfuzit.

Ai pastaj heshti dhe pasi rrufiti kafenë e çikores tha:

-“Ti e di që unë jam dhëndërr Pogradeci dhe shkoj shpesh atje…”.

(“Ç’lidhje ka Pogradeci me Çamërinë, mendova teksa vështroja portretin e tij, aq të njohur dhe të dashur për shqiptarët. Timbri i zërit të tij ishte i butë dhe shkodranishtja, nuk e di pse në të folurën e Rikardit, kishte një kolor tjetër, diçka si prej erërave të qytetit verior, përzier me aromat e veçanta të liqenit dhe ujërave të Drinit e Bunës.)

– Me Marjetën kam shkuar në shtëpinë e Mitrush Kutelit në Pogradec, ku banojnë të afërmit e tij… Dhe pas një heshtje të shkurtër, shtoi: -“Kutelët janë me origjinë nga Arta… Besoj se ke dëgjuar për Artën… Sa emër të bukur ka”.

Pastaj përmendi emrin e një zonje të moshuar, (emrin e të cilës nuk e mbaj mend).

-Atje kam dëgjuar zërin drithërues të saj kur përmend Artën, qytetin e rrënjëve të Kutelëve. Pastaj zëri i zonjës nga drithërues e i përmallshëm bëhet befas i egër, kur thotë: “Ah! Ai qeni, Ali Pashai, na përzuri me dhunë nga Arta. Prej atij qeni lamë Artën tonë të bukur…

Këto më rrëfeu fisniku Rikard Larja, në lokalin e vogël të Kinostudios, 40 vite më parë. Ishte hera e parë që e dëgjoja këtë fakt, pra që të parët e shkrimtarit tonë të madh, Mitrush Kuteli ishin me origjinë nga Çamëria ime e bukur. U gëzova si fëmijë nga rrëfimi i bukur i Rikard Larjes. Për Idromenot kisha lexuar një libër të vogël, ku shkruhej se të parët e Kol Idromenos ishin nga Parga, se kishin shkuar në Korfuz e që andej, vendosur në Shkodër, ku kishte lindur një nga personalitetet e shquara të këtij qyteti, Kol Idromeno. Nuk dua të zgjatem në librin e Ibrahim Manzur Efendi “Kujtime për Ali Pashën”, që ishte mik dhe armik i Pashait të Janinës, ku flet me realizëm tronditës: “Pargonjotët të indinjuar, morën vesh se po afroheshin trupat e Pashait, ndërsa anglezët i kishin braktisur… Parganjotët të pikëlluar, shkuan grumbull në qimitrio dhe duke rënkuar nxorën nga varret eshtrat e gjyshërve të tyre dhe me nxitim formuan një turrë të madhe me dru, mbi të cilën dogjën arkivolet dhe trupat e atyre që ishin të lumtur se nuk do të përjetonin rënien e atdheut. Shumë parganjotë, përpara se t’i hidhnin në flakë mbetjet e pajeta të paraardhësve të tyre, hoqën nga ato disa relike, për t’i marrë me vete në tokën e huaj, e cila këtej e tutje do t’u afronte një strehë, një pjesë nga ajo çfarë ata kishin me të shtrenjtë. Shumë morën disa grushta nga hiri i zjarreve që digjeshin, të tjerë një dorë dhé nga kopshtet, fushat që kishin qenë të tyret”. (Shih “Kujtime për Ali Pashën” botuar nga “Globus R”,botues Petraq Risto. Tiranë, 2003, fq.145).

Në këtë shkrim, qëllimi im nuk është të analizoj Ali Pashë Tepelenën, që sipas Sami Frashërit “Ka qenë shumë i zgjuar dhe i zoti. Në vendet që ka qeverisur, ai ka siguruar qetësinë, ka përmirsuar rrugët dhe ka ndërtuar shumë fortesa, ura dhe godina të mëdha e të forta. Por ka qenë deri në gradën e fundit keqbërës, i egër, gjakpirës dhe intrigant. . . “.

Edhe letra që po publikojmë për herë të parë dhe është shkruar nga Pandeli Pasko, djali i Mitrushi Kutelit, më sjell ndërmend rrëfimin e Rikard Larjes.

NJË LETËR NGA SARAGOZA

Ishte prilli i vitit 1991. Ministria e Kulturës, ku unë punoja, ishte në Rrugën e Durrësit, në katin e tretë, ku sot është Ministria e Arsimit. Kishte kaluar ora 9 e mëngjesit, kur më telefonoi Abaz Dojaka, që më tha se më priste në zyrë. Zbrita me nxitim shkallët dhe pas pak trokita në zyrën e tij, që ishte në katin e parë të Institutit të Kulturës Popullore, godina e së cilës dikur ishte e Radio Tiranës. Kam një lajm të gëzuar, tha ai. Sapo më erdhi një letër. Nga Filati, pyeta unë. Abazi ishte nga Filati dhe me krijimin e Shoqërisë Politiko-Atdhetare “Çamëria”, ishte zgjedhur kryetar i kësaj shoqërie. Ishte ngjarje që në janarin e vitit 1991 u krijua Shoqëria “Çamëria” dhe fati madh që atë e drejtonte një nga njerëzit më të kulturuar që kam njohur dhe personalitet në fushën e etnografisë shqiptare. Letra ka ardhur nga Spanja e largët, tha ai. M’u duk si varg i baladës së famshme të Ago Ymerit. Nga Saragoza, shtoi Abazi. Emri i këtij qyteti, që ndodhet në rajonin veri-lindor të Spanjës dhe ndërtuar në brigjet e lumit Evro, më tingëllon i njohur, ndoshta nga romani i Petro Markos “Hasta La Vista”, por edhe nga një libër për Luftën e Spanjës (1936-1939) dhe një poemë e shkruar nga ish Kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu. Pastaj befas më erdhi ndërmend emri i Thimjo Gogozotos nga Rrapëza e Pargës, çamit trim, rënë dëshmor në këtë luftë. M’u kujtua edhe një emër tjetër, ai i Zihni Muratit, djalit të Haxhi Muratit nga Spatari im, që kishte shkuar edhe ai në Spanjë, por që nuk dihej fundi i tij.

Mbasi ma zgjati letrën, e lexova ngadalë deri në fund. Pastaj e lexova prapë. Ai i vuri re emocionet e mia, teksa lexoja e rilexoja këtë letër, shkruar me makinë shkrimi, ku në krye, lart në të djathtë ishte adresa nga vinte letra: Saragozë, 28.03.1991, ndërsa në të majtë, adresa e marrësit “Doc. Abaz Dojaka. Nismëtar i Shoqërisë Çamëria”.

E lexova me zë fillimin e letrës!

“I nderuar docent,

Lexova me gëzim intervistën tuaj në gazetën “Republika”. Me gëzim dhe me një farë drithërimi, sepse megjithëse lindur në Tiranë prej prindërish lindur në Pogradec e në Korçë, i ndjej rrënjët e mia në tokën çame, në Artë, nga ku të parët tanë, si shumë shqiptarë, u shpërngulën për t’i shpëtuar shtypjes së atij qeni Ali Pasha”. E ndala këtu leximin dhe i fola Abaz Dojakës për rrëfimin e Rikard Larjes, për zonjën nga familja Kuteli, që kujtonte Artën, të parët e saj, larguar për t’i shpëtuar shtypjes së atij qeni Ali Pasha etj. etj.

Do t’ia lë lexuesit t’i bëj komente kësaj letre, dërguar nga djali i Mitrush Kutelit, Pandeli Pasko, shkruar bukur, me shumë informacion dhe emocion për Kutelët e famshëm të Artës, për dokumentet me interes që gjenden në Artë për familjen Kuteli, për motrat e babait dhe xhaxhi Pasko (Pasko Milo Pasko), që vazhdimisht më tregonin për mjegullën e origjinës të fisit tonë, për tregimet e Kutelit, ku flitet me dashuri e dhimbshuri për Çamërinë. Letra mbyllet me këto fjalë. “Në përfundim, pranoni, Profesor kërkesën time për t’u pranuar anëtar i Shoqërisë “ÇAMËRIA”.

Me respekt,

Pandeli Pasko


Saragozë, 28.03.1991

Doc. Abaz Dojaka

Nismëtar i Shoqërisë “Çamëria”

I nderuar docent,

Lexova me gëzim intervistën tuaj në gazetën “Republika”. Me gëzim dhe me një farë drithërimi, sepse me gjithëse lindur në Tiranë, prej prindrish lindur në Pogradec e në Korçë, i ndjej rrënjët e mia në tokën çame, në Artë, nga ku të parët tanë, si shumë shqiptarë, u shpërngulën për ti shpëtuar shtypjes të atij qeni Ali Pasha.

Jam i sigurtë, se një ditë atje në Artë, do të gjenden dokumente me interes për familjen tonë Kuteli, për breza e breza priftinjsh e detarësh. Sot jemi të shpërndarë në Tiranë, Pogradec e Durrës.

Vitin e kaluar kreva një specializim në Francë, në INRA të Avinjonit, ku më vështruan me kuriozitetin e shqiptarit të parë që shihnin. Kohë më kohë më flisnin me admirim për profesorin turk Qazim Abak, i cili kishte kryer studime me interes e sot është nga më të njohurit në rrethet bujqësore turke. Aty kishin kaluar edhe studiusë të tjerë, po mua për Qazimin më flisnin.

Fati më solli të takoi Prof. Abakun nga Universiteti i Adanasë. Pasi shkëmbyemë përshëndetjet e njohjes Qazimi më drejtohet: “Si i thonë shqip feu – a i thonë zjarr? Po pain – a i thonë bukë? Mbeta i habitur, po Qazimi vazhdoi: “ Mos u habit. Jam gjysmë turk, gjysmë shqiptar. Shqiptar nga kjo pjesa këtu (dhe më tregoi anën e zemrës). Këto fjalë mi ka mësuar gjyshja nga Çamëria”. Me Qazimin u përqafuam shqiptarçe, kurse miqve francezë u thashë se nuk kam nderin të jem shqiptar i parë në Montjavet, sepse i pari kish qënë Prof. Qazim Abak.

Megjithse kanë kaluar disa breza, motrat e babajt dhe xhaxhi Pasko(Pasko Milo Pasko) vazhdimisht na tregonin për mjergullën e origjinës të fisit tonë. Ndjenjën e afërsisë me këtë vend origjinë ma kanë shtuar edhe ato pjesë të tregimeve të babajt (Mitrush Kuteli), ku flitet me dashuri e dhimshuri për ÇamërinëPër këtë dëshmon edhe nxitja që jepte dikur babaj Fatos Rapajt, mbledhësit atdhetar të folklorit çam.

Në përfundim, pranoni, Profesor kërkesën time për t’u pranuar antar i Shoqërisë “ÇAMËRIA”.

Me respekt

Pandeli Pasko. /ExLibris/

Biden paralajmëron votuesit se një presidencë e dytë e Trump do të kërcënojë demokracinë

0

Joe Biden ngriti në mënyrë dramatike paramendimin në fushatën e ardhshme zgjedhore presidenciale në SHBA të enjten, me një paralajmërim të ashpër dhe të pasionuar se demokracia amerikane është në rrezik nga një Donald Trump hakmarrës, kundërshtari i tij i mundshëm vitin e ardhshëm.

Përballë vlerësimeve të ndenjura të miratimit dhe shqetësimeve për moshën e tij të shtyrë, presidenti i SHBA-ve u përpoq të nxiste mbështetësit e tij të fjetur dhe të gjallëronte të pavendosurit, duke shpjeguar rreziqet që ai këmbënguli se një presidencë e dytë Trump do t’i sillte statusit të Amerikës si feneri kryesor në botë i qeverisë demokratike.

Duke e deklaruar historinë e SHBA-ve në “një pikë përkuljeje”, Biden, 80 vjeç, tha se karakteri dhe e ardhmja e vendit kërcënohej nga vlerat autoritare të lëvizjes së vetëquajtur Trump, Make America Great Again (MAGA).

“Ka diçka të rrezikshme që po ndodh në Amerikë,” i tha ai një auditori në Phoenix, Arizona. “Ka një lëvizje ekstremiste që nuk ndan bindjet themelore të demokracisë sonë: Lëvizja MAGA. Historia na ka sjellë në një kohë të re testimi”.

“Të gjithë ne po pyetemi tani: Çfarë do të bëjmë për të ruajtur demokracinë tonë?”

Zëri i tij nganjëherë binte në pak më shumë se një pëshpëritje, për të theksuar mesazhin e tij.

Biden thirri në fjalim edhe të ndjerin John McCain, një ish-senator republikan, me të cilin kishte një marrëdhënie të ngushtë, për të theksuar ato që ai thoshte se ishin virtytet vetëmohuese të demokracisë.

Ai u detyrua të ndalonte herët në fjalimin e tij kur një aktivist e ndërpreu për të kërkuar pse nuk kishte shpallur një emergjencë klimatike, sipas gazetarëve në auditor.

“Nëse heshtni, do të flas me ju menjëherë pas kësaj, në rregull?” u përgjigj presidenti. Ai më pas shtoi qartë: “Demokracia nuk është kurrë e lehtë – siç sapo e demonstruat”.

Duke iu referuar Trump me emër vetëm një herë në fjalimin e tij gjysmë ore, Biden megjithatë u përpoq të krahasonte normat dhe traditat demokratike me sjelljen që dukej se karakterizonte paraardhësin e tij.Albanian Post