14 C
Prizren
E enjte, 16 Prill, 2026
Home Blog Page 1483

“Enver Hoxhën e kisha shok dhome, më punonte lloj-lloj poshtërsish”- U burgos nga ish-diktatori, profesori i filozofisë Foto Bala rrëfen të pathënat

0

Nga Agim Musta

Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.

Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm.

E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.

-Portrete bashkëvuajtësish-

(1945-1991)

Profesor Foto Bala
Për profesor Foto Balën, kisha dëgjuar përpara se ta njihja personalisht nga shokët e mi, që kishin vazhduar gjimnazin e Gjirokastrës në vitet 1945-‘46, ku ai u jepte gjuhën frënge. E dija se ishte nga Vunoi i Himarës dhe babai i tij, Dhimitër Bala, kishte qenë një fanolist i zjarrtë dhe prefekt i Gjirokastrës, gjatë viteve 1920-‘24. Me ardhjen e Zogut në fuqi, në dhjetor të vitit 1924, Dhimitri emigron jashtë shtetit dhe kthehet më 1939-ën, si shumë shokë të tij.

Më 1945, Dhimitër Bala, në moshën 65 vjeç, dënohet me vdekje dhe ekzekutohet nga diktatura komuniste. Foton e njoha më 1962, në burgun e Burrelit, ku ai vuante dënimin qysh prej vitit 1947. U miqësuam shpejt me njërit-tjetrin, se na lidhte profesioni dhe ideali antikomunist.

Ndodheshim në një kaush së bashku dhe shtretërit i kishim ngjitur. Ishte njeri i kulturuar, zotëronte tri gjuhë të huaja: frëngjisht, italisht, greqisht dhe ishte njohës i thelle i filozofisë e i historisë botërore. Ishte diplomuar në filozofi në Universitetin e Monpeljesë dhe kishte punuar në Liceun francez të Korçës. Kishte qenë apolitik, para se ta dënonin.

Ne bisedat që bënim më fliste për të kaluarën e tij, që e gjykonte si fatalitet: “Në Gjirokastër, jam njohur me Enver Hoxhën qysh kur isha 12 vjeç. Ishim moshatarë dhe së bashku shkuam në Korçë për të vazhduar Liceun. Kishte një zgjuarsi diabolike dhe ishte pervers. Flija me të në një dhomë, por akoma s’e kisha njohur ashtu si duhej. Kur mbaruam Liceun, na u dha bursa e shtetit, për të vazhduar studimet e larta në Monpelje të Francës, megjithëse unë isha me baba të arratisur politik. Ja, ky ishte regjimi i Zogut, që disa kalemxhinj faqezinj, e quajnë diktaturë obskurantiste.

Edhe në Monpelje qëndrova në një dhomë me Enverin. U ndava me të, kur ai mbeti në klasë dhe u detyrua të largohej. Ishte i pabesë. Më punonte lloj-lloj poshtërsish, që unë i kuptoja me vonesë. Sa herë e kisha sharë dhe pështyrë në fytyrë, por ai zgërdhihej. Ishte i pacipë. Kur u largua nga Franca, thashë se shpëtova prej tij, po fati më bashkoi përsëri në Liceun e Korçës, gjatë viteve tridhjetë. Më kishte s’mirë, se unë isha i diplomuar, emëruar profesor, me rrogë bazë 220 franga ar në muaj, kurse ai paguhej me orë mësimi, 130 franga.

Në Korçë përzihej me lloj-lloj vagabondësh dhe me femra imorale. Katër herë kishte marrë sëmundje veneriane. Në një gjyq të zhvilluar në Bruksel, kundër një grupi agjentësh sovjetikë, me 1939, emri i Enver Hoxhës u përmend disa herë nga të pandehurit dhe nga prokurori belg. Në dhjetor të 1944-ës ndodhesha në Tiranë. Më erdhën në shtëpi Fejzi Dika dhe Nonda Bulka e më propozuan, për t’i bërë një vizitë Enver Hoxhës, që banonte në hotel “Dajti”. Në fillim refuzova. E njihja më mirë se ata se kush ishte Enveri, por, meqë këmbëngulën, pranova dhe u nisëm të tre për te selia e diktatorit. Në sallon na priti adjutanti i tij, një kapiten i ri, me fytyrë të egër. I thamë se ishim ish-shokët e Komandantit të Përgjithshëm dhe i dhamë emrat tanë.

Mbas disa minutash kapiteni u kthye më i vrenjtur se ç’ishte dhe na tha se; komandanti nuk do të na priste, mbasi ishte i zënë me punë. Më hipi gjaku në kokë. E! U thashë shokëve kur dolëm nga hotel “Dajti”; e morët vesh se kush është Enver Hoxha?! Mjerë ky popull në ç’duar ka rënë! Ata kishin mbetur si të shokuar dhe s’e hapën gojën. Fejziu dridhej nga inati dhe pështynte vazhdimisht në tokë. Një herë tjetër, duke biseduar me Foton për shkaqet e fitores së komunizmit në Shqipëri, ai radhiste si faktor nr.1, zemërgjerësinë e autoriteteve kuislinge, ndaj komunistëve dhe numëronte me dhjetëra fakte, se si funksionarë të lartë, ndihmonin lëvizjen komuniste.

“Do të të tregoj një fakt, ku kam qenë dëshmitar okular”

– më tha, duke u vrenjtur në fytyrë:

“Ishte vera e vitit 1943. Babai im, Dhimitri, në atë kohë, kishte funksionin e kuestorit (shef policie) të prefekturës së Durrësit. Unë kisha shkuar atje, së bashku me familjen, për të kaluar pushimet. Një ditë, kur ndodhesha në zyrën e babait, hyri ordinanca e tij, dhe lajmëroi se Enver Sazani, Shefqet Beja dhe Sheh Karbunara, dëshironin ta takonin kuestorin. Babai dha urdhër që të futeshin brenda dhe kur ata u futën, më prezantoi me ta. Kamerieri solli kafetë dhe llokumet e mirëseardhjes. Nga mënyra e përshëndetjes, dukej se ishin të njohur prej kohësh. Pa pikën e druajtjes, filluan bisedat politike anti-Boshtit; Romë-Berlin-Tokio dhe pro Aleatëve.

Flitej me admirim për betejën e Kurskut, ku gjermanët kishin lënë me qindra tanke të shkatërruara dhe për fitoret e tjera të Ushtrisë së Kuqe. Flitej me entuziazëm për një emision të Radio Londrës, ku u thureshin lavde Myslym Pezës, Mestan Ujanikut dhe të tjerë udhëheqësve të çetave partizane. Në zyrën e kuestorit të policisë, flitej si në një bazë ilegale të Partisë Komuniste. Nga fundi i bisedës, doktor Enver Sazani, anëtar i Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar për prefekturën e Durrësit, mori një qëndrim zyrtar dhe iu drejtua babait me këto falë: “Zoti Dhimitër! Duhet të shkoni pranë Komandës së Karabinierisë, për lirimin e një shoferi të arrestuar dje në Urën e Dajlanit, nga karabinieria italiane, nën ndenjësen e të cilit, u gjetën 10 pistoleta dhe 500 fishekë. Këto armatime, me urdhër nga lart, do t’i dërgoheshin Qarkorit të Gjirokastrës.

Kemi frikë se mos italianët përdorin tortura ndaj shoferit dhe ai dekonspiron shokët e Qarkorit, që kanë lidhje me të, ju lutem, të ndërhyni sa më parë, duke i dhënë çështjes karakter ordiner, se gjoja armët do shiteshin për fitime personale dhe ishin blerë nga persona të panjohur”. Më kot mundohej babai t’ua mbushte mendjen, se kompetencat e tij, nuk e lejonin të ndërhynte në Komandën e Karabinierisë dhe se komandanti i saj, për prefekturën e Durrësit, ishte një nënkolonel italian, shumë rigoroz dhe i pakorruptueshëm. Atëherë u ngrit Shefqet Beja dhe i tha babait:

“Këtë detyrë, zoti Dhimitër, do ta kryeni me çdo kusht. Kjo është gur prove për devotshmërinë tuaj ndaj popullit, ndaj atdheut!” Mbas shumë debatesh babai çedoi dhe pranoi të shkonte në Komandën e Karabinierisë, për ndërhyrje në favor të shoferit të arrestuar. Mbasi morën premtimin nga Dhimitri u larguan, duke më përshëndetur dhe mua. Gjatë gjithë bisedës, unë s’hapa asnjëherë gojë. Isha fryrë aq shumë kundër babait. Prisja me padurim largimin e tyre. Dhe, me të ikur, i them tim eti:

“Ç’po bën, mor baba, a je në vete?! Si pranon që në zyrën tënde të të bëjnë presion përfaqësuesit e Nacionalçlirimtares dhe të të flasin haptazi kundër Boshtit dhe pro Aleatëve?! Si pranon të ndërmjetësosh për lirimin nga burgu të një terroristi komunist? Nuk të kuptoj baba, pse sillesh kështu”?!

“Po çfarë të bëj, mor bir? Si mund t’i arrestoj shqiptarët dhe t’ua dorëzoj pushtuesve italianë?! Mos e dhëntë Zoti një gjë të tillë! I di të gjitha: kush janë komunistët, ku i kanë bazat, ku i bëjnë mbledhjet, por asnjëherë nuk do të vë dorë seriozisht mbi ta. Është okupatori në mes”. “Po komunistët nuk do t’jua dinë për nder, këto që bëni për ta sot. Ata do t’ju dënojnë, po të marrin pushtetin”.

“S’ka gjë, mor bir, le të na dënojnë. Këto që bëjmë i di populli, i di Atdheu, i di Zoti. Ne, kështu na dikton zemra dhe edukata jonë, të mos e shesim asnjëherë shqiptarin tek i huaji, sado i lig që të jetë”. – më tha babai e uli sytë me një pikëllim, që s’e kishte parë asnjëherë gjatë jetës sime.

Megjithëse në gjyq i dolën mjaft dëshmitarë, të cilët vërtetuan me fakte bindëse për ndihmën që i kish dhënë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, atë e dënuan me vdekje dhe e pushkatuan, ashtu si shumë shokë të tij”.

“Më 1945, më caktuan profesor në gjimnazin e Gjirokastrës, duke më survejuar natë e ditë, derisa më arrestuan nga mesi i vitit 1946. U akuzova se kishim krijuar grupin e Neoballistëve, se ishim lidhur me misionet anglo-amerikane dhe plot marrëzira të këtij lloji, që jo vetëm si kishim bërë, por as në ëndërr s’i kishim parë. Më dërguan në Tiranë. Në fillim më trajtuan butë, por, kur unë nuk pranova të pohoja ato që më servirnin, hetuesit “xhentilë”, filluan torturat, nga Mihallaq Zeçishti, Stavri Xhara, Kadri Hazbiu, e të tjerë, që tmerrohem edhe sot, kur i kujtoj. U thashë se isha gati të pranoja çfarë të donin, vetëm të ndalonin torturat.

U ndritën sytë dhe filluan menjëherë të mbushnin proces-verbalet, duke shkruar se isha anëtar i Kryesisë së Komitetit Neoballist, se isha agjent anglo-amerikan-francez, se do të vritnim gra, pleq dhe fëmijë, madje dhe Krishtin e Muhamedin, po të ishin gjallë dhe plot marrëzira të neveritshme, që vetëm mendja e komunistëve, mund të shpikë. I ndjeri Enver Sazani, me të cilin qëndrova disa ditë në një qeli, më tregoi se hetuesi Mihallaq Ziçishti, i kishte djegur sytë me cigare, gjersa i kishte marrë pohimin, se ishte agjent anglo-amerikan-francez.

Doktor Sazani, më tregonte ato ditë të fundit të jetës së tij se, hiena Mihallaq, i kishte pas thënë se këto pohime, i donin shokët jugosllavë, për të demaskuar imperializmin, po nuk i tha se ky kishte qenë një nga planet e shumta sllavo-komuniste, për zhdukjen e inteligjencës tonë, zbatuar me servilizëm nga Enver Hoxha dhe xhelatët e tij. Shumë nga ata, që nuk pranuan të bëheshin “bilbila”, dhe shumë nga ata, që u bënë të tillë, u dënuan me burgim të përjetshëm, për të vuajtur si Sizifi i mitologjisë.

Kam bërë 17 vjet burg, gjer tani dhe një Zot e di sa do të vuaj ende. Para disa muajsh, i bëra një letër Enverit, për të më falur dënimin e mbetur, vetëm që të gjeja nënën gjallë. Doja ta varrosja me duart e mia, se babait as varrin nuk ia dija, po katili ma kundërshtoi kërkesën dhe dha urdhër për të më internuar familjen në Tërbuf. Ja pra, sa shpirtmizor është Enver Hoxha. Dhe Timur Lengu do ta kishte zili”.

Profesor Foto Bala u lira nga burgu i Burrelit mbas 19 vjet vuajtjesh, me një koleksion sëmundjesh, megjithatë mbijetoi. U gjallërua pa masë, kur vdiq diktatori. “Tashti le të vdes, – më tha, – jam i lumtur”. Jetoi gjer në fillim të vitit 1991, duke parë dhe agimin e demokracisë. Në librin e diktatorit; “Kur hidheshin themelet”, ai shkruan se Foto Bala, u bë bashkëpunëtor i fashistëve italianë dhe për këtë mori dënimin e merituar nga gjyqi i popullit”. O tempora! O mores!

Kryepeshkopi i Shqipërisë, Visarion Xhuvani
Nuk kisha veçse dy javë që ndodhesha në burgun e Burrelit, kur në mbrëmje, i shoqëruar nga gardiani për në WC, dallova në sfondin e korridorit, një njeri me raso të zezë, fytyrë dhe flokë të bardhë si dëbora, një Abat Farie gjallë, që ecte i kërrusur nga pesha e viteve dhe e vuajtjeve.

A vallë ishte një halucinacion, apo hija e Abatit Farie e ikur nga Kështjella e Ifës dhe ardhur në burgun-ferr të Burrelit, ku për çdo çast të vinin në mendje, vargjet e të madhit Dante: “Humbni çdo shpresë ju që hyni…”. Ishte rreptësisht e ndaluar, ta pyesje gardianin, por shiko dhe kalo!

Në adoleshencën time, kur kisha lexuar “Konti i Monte Kristos”, Abati Farie, më ishte ngulitur në tru dhe shpesh e shikoj në ëndërr, kurse tani, ajo që shikoja në korridoret e errëta të burgut, s’ishte më ëndërr. Ishte një realitet. Mbas një muaji, kur më nxorën nga qelia dhe gardiani më shoqëronte për në kaushin nr.9, te dera e kaushit nr.7, pashë Abatin të gjallë, që ngjasonte si dy pika uji me Farien, por më i pashëm, më burrëror dhe më fisnik se Abati francez.

Dhe ai më pa dhe diçka pëshpëriti, kur gardiani ktheu krahët, bëri një kryq në drejtimin tim. Pyeta për të bashkëvuajtësit dhe më thanë se ishte Visarion Xhuvani, ish-Kryepeshkopi i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, që për 16 vjet, vuante dënimin në këtë skëterre të diktaturës enveriste. Më lindi dëshira të njihesha me hirësinë e tij. Profesor Foto Bala, më dha fjalën, se do të ma plotësonte dëshirën. Mbas disa ditësh, kur po dilnim në Oborr, u futëm fshehurazi në kuashin nr.7, së bashku me Foton. Visarioni kishte ditë që s’dilte në pajtos. Ishte i pamundur dhe qëndronte në kaush, duke u lutur në heshtje. Të gjithë bashkëvuajtësit e respektonin dhe e ndihmonin me sa mundnin, këtë apostull të krishtërimit, që regjimi i tiranit komunist, e kishte dënuar pa asnjë faj.

“Mos u mërzit, or bir! – më tha Visarioni, – ditë të mira do të vijnë patjetër. Zoti s’ka për të duruar gjatë. Ti je i ri dhe do t’i shohësh, kurse unë…”- dhe ngriti duart lart, drejt qiellit. Në pamjen e tij kishte diçka hyjnore, që të impononte heshtje dhe respekt. Ky qe takimi i parë dhe i fundit me Dhespotin e nderuar. Mbas një muaji, më 26 nëntor 1962, Visarioni u lira me dekret të posaçëm të Presidiumit. Përse vallë diktatori liroi para plotësimit të dënimit Kryepeshkopin?!

Për të lehtësuar ndërgjegjen e rënduar nga pesha e krimeve, apo? Enigmë! Kur doli nga burgu, la çdo gjë. Mori me vete vetëm rason e zezë, duke lënë një imazh të pashlyeshëm, midis bashkë vuajtësve. Nuk i harroi për asnjë çast shokët e burgut dhe u dërgonte letra nga Manastiri i Shën Gjonit në Elbasan, ku kaloi vitet e fundit të jetës së tij, si eremit i vërtetë.

Profesor Bala, me të cilin Kryepeshkopi kishte letërkëmbim, më tregoi se Visarioni, kishte lindur në Elbasan, në lagjen “Kala”, më 1890, në një familje patriotike, që s’kishte të bënte aspak me familjen e Aleksandër Xhuvanit. Në shkollën fillore kishte pasur fatin të kishte mësues patriotin, gjuhëtarin e madh, kushëririn e tij, Kristoforidhin. Shkollën e mesme dhe të lartën i kreu në Athinë, në Fakultetin e Teologjisë, me nota optimale.

Shërbeu si klerik në Sofie dhe në Cetinë. Më 1919, si Peshkop i Kishës Orthodokse dha meshën e parë në gjuhën shqipe në Elbasanin e tij të dashur. Ajo ditë u shndërrua në një manifestim të fuqishëm popullor dhe pati jehonë në mbarë Shqipërinë. Emri i Visarion Xhuvanit, u bë simbol për themelimin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, për Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, duke goditur rëndë synimet e mbrapshta të Patriarkanës së Stambollit.

Me përpjekjet e tij titanike i imponohet Patriarkanës, dhe kjo e fundit, mbas shumë hezitimesh, e njeh si Peshkop të Shqipërisë më 1923. U zgjodh deputet i Parlamentit Shqiptar në periudhën 1920-1924 dhe me fjalën e tij, u bë një mbrojtës i flaktë i demokracisë. Më 1929, u zgjodh Kryepeshkop i Shqipërisë dhe luftoi me mish e me shpirt, për kombëtarizimin e Kishës Orthodokse Shqiptare.

Diktatura komuniste, e gjeti Visarionin Peshkop të Vlorës. Atë e vunë nën një survejim të rreptë, gjersa e arrestuan më 1946. Xhelatët e kuq, nuk u ndalën aspak para këtij atdhetari dhe kleriku të shquar. E torturuan fizikisht dhe shpirtërisht në mënyrën më barbare. Ata u munduan më kot që ai të pohonte “krimet” e tij dhe, kur panë se çdo lloj torture e përdorur kundër tij, nuk e përkuli këtë stoik të krishtërimit, e dënuan me burgim të përjetshëm, pa asnjë argument, atë atdhetar, demokrat dhe klerik të shquar.

Gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit ai u bë “At” shpirtëror i bashkëvuajtësve, duke u ngjallur besim se diktatura do të përmbysej, lira do të vinte dhe demokracia do të fitonte. Vdiq në Manastirin e Shën Gjonit, afër Elbasanit, në moshën 76-vjeçare, i vetmuar dhe në mjerim të plotë. Memorie.al

Real Madrid interesohet për Illan Meslier për të zëvendësuar Thibaut Courtois

0

Real Madrid raportohet se ka shfaqur interesim për nënshkrimin e portierit të Leeds United, Illan Meslier, për të zëvendësuar të dëmtuarin Thibaut Courtois.

Me afrimin e shpejtë të sezonit 23-24, Madridi u trondit nga lajmi se Courtois do të humbasë një pjesë të madhe të sezonit pasi pësoi një dëmtim të Ligamentit Kruciar Anterior.

Të enjten, belgu shkroi në rrjetet sociale: “Nuk prisni kurrë të kaloni diçka të tillë, por tani është koha ta pranoni dhe të bëni gjithçka për ta kapërcyer dhe për t’u rikthyer edhe më i forte”.

“Faleminderit të gjithëve për energjinë, dashurinë dhe inkurajimin, ju siguroj se ato më motivojnë të shërohem sa më shpejt të jetë e mundur”, vijoi belgu.

Që nga lajmi për dëmtimin e Courtois, Real-i është lidhur me një mori portierësh të ndryshëm, përfshirë ish-numrin e Manchester United, David de Gea.

Megjithatë, sipas gazetës spanjolle “Sport”, gjigantët e La Liga-s po shohin një lëvizje për Meslier të Leeds për të zëvendësuar Courtois.

Pavarësisht se u konsiderua si një nga talentet më të mirë në Evropë, Mesiler u vu nën vëzhgim intensiv gjatë sezonit 22-23 pasi Leeds u rrëzua në nivelin e dytë të futbollit anglez.

Leeds ishte skuadra me rekordin më të keq të mbrojtjes pasi përfundoi në vendin e 19-të me një diferencë golash prej -30. Pasi bëri një varg gabimesh, Meslier e pa veten të zëvendësohej nga Joel Robles kur Sam Allardyce mori drejtimin në fund të sezonit.

Pas rënies nga kategoria, Robles u largua nga Leeds për t’u bashkuar me skuadrën e nivelit të dytë të Arabisë Saudite, Al Qadsiah FC, që do të thotë se Meslier është përsëri portieri i parë nën menaxherin e ri Daniel Farke.

Leeds e nisi sezonin e tyre 23-24 në Championship me një barazim 2-2 kundër Cardiff City dhe do të rikthehet në aksion të shtunën teksa do të përballet me Birmingham City.

Ndërkohë, portieri aktual rezervë i Real Madrid-it, Andriy Lunin, pritet të startojë teksa ata do të përballen me Athletic Bilbao të shtunën.Albanian Post

Policia prangos 6 persona në Prizren dhe konfiskon 10 armë

0

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren në vazhdën e zbatimit të planit operativ ,,Goditja 2023” po vazhdon në realizimin e detyrave dhe angazhimeve të cilat dalin nga ky plan.

Sipas një njoftimi bëhet e ditur se Policia në Prizren ka rritur numrin e patrullimeve, kontrolleve në lokale, bare nate, kafiteri e lokacione te ndryshme që frekuentohen nga qytetarët.

——————————————————————————————-

Reklamë

RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballë ‘Premium Park Hotel”.
Si dhe mund të na kontaktoni:
+383 44 128 112 ; +383 49 613 613
Kliko videon 
RENELUAL TAHIRI

Tutje në njoftim thuhet se nga data 08.08.2023 deri me datën 11.08.2023  janë kontrolluar 1,074  automjete, legjitimuar 1,646 persona, kontrolluar 26 lokale të ndryshme, janë konfiskuar 10 armë të ndryshme, janë arrestuar  6 persona.

Po ashtu sipas njoftimit bëhet e ditur se angazhimet në realizimin detyrave që dalin nga ky plan operativ do të vazhdojnë edhe më tutje.

Fytyrat e Dokufest-it

0

Çdo vit, mijëra persona nga Kosova dhe e mbarë bota mblidhen në Prizren për të ndjekur nga afër Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest. Disa vizitorë, nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës, treguan për Radion Evropa e Lirë përshtypjet e tyre për Dokufest-in, edicioni i 22-të i së cilit përmbyllet më 12 gusht.

Suharekasi kishte deponuar 15 mijë euro në një bankë, më pas nga llogaria i janë bërë pagesa për YouTube e TikTok

0
Një person ka bërë të ditur se vëllai i tij më datë 15.06.2023 kishte deponuar në bankë një shumë parash prej 15 mijë euro, por që të premten pasi kishte kërkuar qarkullimin për llogari kishte rezultuar se ishin bërë pagesa nëpër shtete të ndryshme të botës.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se pagesat ishin bërë për rrjete social You Tube dhe Tik Tok.

“NLB-Bankë, Suharekë 06.07.2023. Me datë 11.08.2023 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se vëllai i tij me datë 15.06.2023 kishte deponuar në bankë, një shumë parash prej 15,000 euro dhe sot kur ka qenë në bankë dhe ka kërkuar qarkullimin për llogari, aty ka rezultuar se nga data 06.07.2023 person-a të panjohur kishin bërë pagesa nga shtete të ndryshme për rrjete sociale YouTube dhe TikTok”, thuhet në raport.

Po ashtu bëhet e ditur që rasti është në procedurë hetimore dhe është cilësuar si “Mashtrim”.

Rexhaj pas vizitës së Kurtit në Tetovë/ Lider i të gjithë shqiptarëve

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku ka vizituar disa fshatra të komunës së Tetovës. Ndërsa ishte organizuar edhe një koncert në këtë komunë për të.

E nisur nga gjithë kjo duket se deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj ai e ka shpallur lider të gjithë shqiptarëve Kurtin.

“Lider i të gjithë shqiptarëve, Albin Kurti. Maqedoni e Veriut, Tetovë”, shkroi ai në Facebook.

Ndërron jetë aktorja Linda Haynes

0

Linda Haynes vdiq në moshën 75 vjeçare më 17 korrik në Summerville, Karolina e Jugut.Aktorja, emri i vërtetë i së cilës ishte Linda Lee Sylvander, vdiq ‘në paqe’, sipas familjes së saj.

Karriera e artistes së ndjerë ishte aktive përgjatë viteve ’70 dhe fillim të viteve ’80.

Foto: Getty Images

Ajo lindi në Miami, Florida më 4 nëntor 1947 dhe ishte anëtare e përjetshme e “Actors Studio”.

Filmi i saj i parë me metrazh të gjatë ishte një film përbindësh fantastiko-shkencor japonez i quajtur “Latitude Zero”, i cili doli në vitin 1969.k

Linda u shfaq më vonë në “Coffy” të 1973-ës, “The Nickel Ride” të 1974-ës dhe “Rolling Thunder” të 1977-ës, në të cilën portretizoi një banakiere të dëshpëruar

Në vitin 1979 u shfaq në “Human Experiments”, një film për gratë e burgosura.

Foto: Getty Images

Roli i fundit i Haynes ishte në “Guyana Tragedy: The Story of Jimes Jones” në 1980.

Linda ka lënë pas djalin e saj, Gregory Leif Sylvander dhe nipërit James Sylvander dhe Amelia Grace Sylvander. /Telegrafi/

 

Barcelona e konfirmon shitjen e Dembeles te PSG

0

FC Barcelona dhe Paris Saint-Germain kanë arritur marrëveshje për transferimin e Ousmane Dembélé për 50.4 milionë euro.

Kjo u bë e ditur nga vet klubi katalonas përmes një komunikate për media.

Ousmane Dembélé erdhi në Barça në verën e vitit 2017 nga Borussia Dortmund, ku ai kishte qenë një nga lojtarët e rinj sulmues më premtues në Bundesligë.

Megjithatë, lëndimet e njëpasnjëshme nuk e lejuan atë të arrinte formën më të mirë të mundshme.

ATK realizon mbi 70 inspektime në restorante e diskoteka – Murtezaj: Vlera e gjobave mbi 200 mijë euro

0

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ka thënë se kanë shtuar aktivitetet në monitorimin e kategorive të tatimpaguesve të cilët kanë aktivitet të shtuar gjatë sezonit të verës, siç janë këngëtarët, diskotekat e restorantet.

Qëllimi i këtij inspektimi sipas Murtezajt është që ata deri në fund të afatit të deklarimit t’i përmbushin detyrimet e tyre ndaj shtetit, në të kundërt merren masa të tjera.

“Para së gjithash qasja jonë është sektoriale dhe njëri nga sektorët e identifikuar si sektor më problematik nëse mund t’i themi në përmbushje tatimore është pikërisht sektori i gastronomisë ku dihet që ende vazhdojnë të kenë më së shumti prezencën e kuponëve fiskalë nga ana e kafiterive, restoranteve, e të tilla. Por në të njëjtën kohë kjo pjesa e gastronomisë, dhe e akomodimit nënkupton përfshirjen e grupeve të tjera të tatimpaguesve siç janë këngëtarët, diskotekat e të tjera”, u shpreh Murtezaj për EO.

“Tashmë siç e kemi parë në publikimet tona në ditët e fundit kemi shtuar aktivitet të rritur në këtë grup të tatimpaguesve për shkak të sezonës verore. E dimë që në këtë sezon rritet edhe aktiviteti i këtyre tatimpaguesve ose bizneseve, dhe qasja jonë është që të bëhet identifikimi apo gjetjeve ose krijimit të informatave për këtë kategori të tatimpaguesve, gjithnjë me qëllim që atyre fillimisht t’ju bëjmë thirrje që të vetëdeklarojnë dhe të paguajnë detyrimet tatimore, pastaj në rast se pas përfundimit të afatit të deklarimit nuk i përmbushin detyrimet tatimore gjithsesi ekziston edhe vegla sekondare ose vegla e dytë që neve ligji na obligon që të ndërmarrim, pra kontrolli”.

Për më tepër Murtezaj tha se vetëm nga inspektimet e fundit të kryera nga inspektorët e ATK-së, që sipas tij janë diku mbi 70 të tilla, kanë hasur në afro 300 punëtorë të padeklaruar, në 100 000 kuponë të moslëshuar aspak në rend të parë, e vlera e ndëshkimeve nga këto inspektime shkon në 200 000 euro.

Megjithatë zv.drejtori ekzekutiv i ATK-së, tha se nuk pretendojnë e as nuk e kanë si synim që përmes kontrollit apo ndëshkimeve ta përmbushin buxhetin ose objektivat e tyre.

E këtë Murtezaj e mbështeti edhe me statistika ku tha se mbi 90% të të hyrave të përgjithshme të ATK-së janë nga përmbushja vullnetare, ndërsa vetëm pak mbi 10% të hyrave të përgjithshme vijnë si rezultat i këtyre inspektimeve apo kontrolleve që realizohen nga ky institucion.

Reklamë

RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballë ‘Premium Park Hotel”.
Si dhe mund të na kontaktoni:
+383 44 128 112 ; +383 49 613 613
Kliko videon 
RENELUAL TAHIRI

I riu gjerman vjen në Prizren dhe konvertohet në fenë islame (Video)

0

Një qytetar gjerman pas vizitës që i ka bërë Kosovës ka vendosur që të pranojë fenë islame.

Ceremonia e konvertimit të tij në islam u zhvilluar në xhaminë e Mushnikovës në Prizren.

Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale shihet i ri gjerman duke kryer ceremoninë e konvertimit në fenë islame. /Gazeta10/