10.3 C
Prizren
E enjte, 9 Prill, 2026
Home Blog Page 1609

Konkursi i komunës për dentistë, Prokuroria Themelore e Prizrenit nis hetimet

0

Një muaj pas raportimit të Kiks Kosovës, Prokuroria Themelore në Prizren nisi hetimet për stërzgjatjen e konkursit për tre stomatologë, që ishte hapur një vit më parë.

Komuna e Prizrenit më 4 prill të 2022-ës hapi konkursin për të pranuar tre dentistë për nevojat e Qendrave të Mjekësisë Familjare, por pavarësisht faktit dhe nevojës që këto institucione mjekësore kishin, konkursi nuk u finalizua kurrë.

Kiksi raportoi se rreth 30 kandidatë të cilët iu nënshtruan testit me shkrim në qershorin e 2022-ës, u mbajtën peng për më shumë se dhjetë muaj.

Dy javë pas transmetimit të emisionit, Komuna e Prizrenit mori vendim për anulimin e këtij konkursi më 3 maj të këtij viti.

Në këtë vendim, nuk sqarohet arsyeja e anulimit të konkursit, por fajtor për këtë vonesë mbahet Zyra Ligjore e kësaj komune.

Por ky arsyetim i Komunës nuk e ka bindur Prokurorinë Themelore në Prizren, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e misterit të konkursit që zgjati më shumë se një vit.

Sipas informacioneve që posedon redaksia e emisionit, kallëzimi penal për këtë rast ishte bërë që në fundvitin e 2022-ës nga kandidatë të cilët prisnin rezultatet e këtij konkursi, që i ishin nënshtruar testit me shkrim. Megjithatë, organet e ndjekjes u aktivizuan vetëm pasi që rasti u bë mediatik.

Në anën tjetër, mosmarrëveshjet mes zyrave komunale nuk janë vetëm mes Zyrës Ligjore dhe Zyrës së Personelit. Kjo e fundit pati moskoordinim edhe me vetë Drejtorinë e Shëndetësisë, e cila priti më shumë se një vit për punësimin e tre stomatologëve, të cilët nuk u rekrutuan asnjëherë.

Ndonëse vetë e hapi konkursin, Zyra e Personelit nuk planifikoi punësimin e këtyre tre stomatologëve as në vitin 2023, me arsyetimin se nuk ka pranuar kërkesë nga Drejtoria e Shëndetësisë.

Mirëpo, më këtë nuk pajtohej Burbuqe Berisha, drejtoreshë e Shëndetësisë në këtë komunë.

Ajo për Kiksin pati deklaruar se nevoja për këtë kategori të mjekëve është e domosdoshme edhe këtë vit, por sipas saj, arsyeja se pse nuk ka bërë planifikim për punësimin e tyre sivjet është pikërisht fakti se konkursi i 2022-shit ishte ende në procedurë.

Kiks Kosova ka provuar që të marrë qëndrimin e Zyrës Ligjore për këtë rast, por nga kjo zyrë kanë refuzuar të prononcohen.

Parashikimi i moti për sot në Kosovë: Parashihen reshje dhe ulje e temperaturave

0

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikon që sot mbi vendin tonë të mbajë mot i vranët.

Sipas IHMK-së, parashikohet ulje e lehtë e temperaturave.

Gjatë ditës mund të ketë edhe shkarkime rrufesh si dhe parashihen reshje me intensitet të ndryshueshëm.

E enjte- Mot i vranët por me ulje të lehta të temperaturave maksimale dhe shkarkime rrufesh. Parashihen reshje të intensitetit të ndryshueshëm.

Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes dhe veriperendimit me shpejtësi 1-9m/s.” – njofton IHMK-ja.

Prizreni me pikë turistike historike

0

Fshati Leskovec i Prizrenit ka kohë që është zbrazur nga banorët. Ky vend nga shumë qytetarë quhet edhe Çardaku i Prizrenit, ndërsa është vend piktoresk, ku mund të soditësh nga lartësia gjithë rajonin.

“Djemtë dhe vajzat më të mirë të UÇK-së kanë qenë të pozicionuara dhe pikërisht nga ky vend është vëzhguar i gjithë terreni për ta mbajtur nën kontroll”, tha a Naser Berisha, banor i Leskovecit.

Pikërisht për këto vlera të rëndësishme historike, komuna e Prizrenit ka vendosur të ngrejë një pikë turistike – historike, ku vizitorët dhe brezat e ardhshëm do të njihen me rezistencën e popullatës në të gjitha epokat veçanërisht me atë të UÇK-së.

“Monumenti përpos tri shkronjave, do të ketë edhe risi të tjera, do të jetë edhe legjenda e kombit tonë e komandantit Adem Jashari, por do të ketë edhe dukuri të tjera që pasqyrojnë luftën”, tha për RTK Naser Berisha – Banor i Leskovecit.

Lekoveci njihet si fshat shumë i vjetër, ndërsa sipas studiuesve njihet me epitetin ‘Trim’. “Leskoveci është edhe i vjetër, përmendet si fshat edhe para kohës së Dushanit, do të thotë kur ka sunduar perandoria e Dushanit, prej vitit 1330 – 1355 . Të gjithë fshatrat përreth, besoj që edhe territori i Kosovës e njohin si Trimi i Leskovecit për shkak të bujarisë, trimërisë dhe mikpritjes “, tha Hajri Berisha, arkivist.

Në Leskovec ka edhe vende të tjera të cilat mund të vizitohen . “Është edhe xhamia që është mbi 100 vjet e vjetër, e vetme xhami në territorin tonë, është në plan të restaurohet dhe duhet të restaurohet, ka mundësi që edhe ajo xhami të thithë vizitor, mandej të hapen edhe pika të tjera besoj arkeologjike, besoj që nëntoka tregon që ne jemi”, tha Hajri Berisha – Arkivist.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, thotë se me projekte të tilla, synimi i institucioneve lokale është që edhe fshatrat e zbrazur të rikthehen në atraksion për turizëm

“Prandaj është një aset, është një mundësi që do të kontribuon në promovimin e turizmit, në tërheqjen e turistëve, por njëkohësisht edhe në punësimin e të rinjve por edhe në promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, historike e kombëtare”, tha për RTK Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit.

Sipas kryetarit Totaj, ky lokalitet, nga i cili Prizrenin mund ta shohësh si në pëllëmbë të dorës, do të jetë vend ku do të përkujtohet trimëria e vajzave dhe djemve tanë si dhe do të jetë një destinacion i këndshëm turistik.

Në vend të 20-tësheve bankomati nxorri 50 euroshe, banka: Duhet t’i ktheni

0

Një incident i veçantë është regjistruar ditët e fundit në një bankomat banke në Lozzo Atestino të Padovas, teksa makineria nxirrte gabimisht kartëmonedha 50 euroshe në vend të atyre 20, duke iu dhënë më shumë para klientëve.

Të hënën në mëngjes, punonjësit e kuptuan se ATM-ja kishte mbetur pa para dhe nxituan me mbushjen e saj përpara se të hapnin zyrat. Por, për shkak të një gabimi që mendohet se nuk ishte i qëllimshëm, kartëmonedhat 20 euro ishin futur në sirtarin e 50 eurove dhe anasjelltas.

 

Pasi kuptuan se çfarë kishin bërë, arkëtarët nisën të telefononin klientët “fatlumë” një nga një që të kthenin paratë, në të kundërt do të konsideroheshin si debitorë dhe do t’iu mbaheshin nga llogaritë e tyre.

 

Bie çmimi i vezëve në Kosovë, ja sa kushtojnë tash

0

Këto ditë në tregjet kosovare të të gjitha llojeve (në shitore të specializuara, në minimarkete, markete dhe megamarkete, në tregje të gjelbra) po vërehet një ulje e ndjeshme e çmimit të vezëve.

Sot e dje, dhe thuaja që nga java e kaluar, në zingjirin e dyqaneve të specializuara të një prodhuesi produktesh të shpezëve me emër në Kosovë, vezët e cilësisë së mirë, kushtonin 2,50 euro për një amballazhim me 30 copë të këtij produkti. Në po këto dyqane, vetëm para pak ditësh 30 copë vezë kanë kushtuar 2,90 euro, ndërsa para një muaj e ca, paketimi i 30 copë vezëve është tregtuar me 3,90 euro, madje edhe 4,40 euro. Çmimi i sotshëm prej 2,50 eurosh, krahasuar me atë prej 4,40 eurosh, i bie të jetë përafërsisht përgjysmë më i ulët.

Përafërsisht me të njëjtin çmim, këto ditë, 30 copë vezë po tregtohen edhe në shtandet e tregjeve të gjelbra, por edhe në minimarkete, markete dhe supermarkete. Në Tregun e gjelbër kryesor të Prishtinës, sot vezët (paketimi 30 copësh) kushtonin njësoj si në shitore, 2,50 euro. Ndërkaq, supërmarketet dhe qendrat e mëdha tregtare ku dominojnë produktet ushqimore, çmimin e ulur po e përdorin dhe po e shfrytëzojnë për të promovuar ulje çmimesh (të ashtuquajturat aksione), ku 30 copë vezë të martën, por edhe sot kanë pasur çmimin 2,59, 2,49, 2,36 euro. Sidoqoftë, çmimi aktual i vezëve, po të krahasohet me çmimet që ky produkt kishte në dhjetor të 2022-tës, ose në janar dhe shkurt të këtij viti, është një ulje goxha evdente.

Siç dihet, dhe siç raportonin mediet dhe ASK-ja, nëpërmjet raporteve të përditësuara të evidentimit të çmimeve të produkteve ushqimore, në muajt e fundit në vitin e kaluar, e sidomos në prag të festave të fundvitit, ka pasur rritje ekstreme të çmimit të vezëve. Në këtë kohë, në dhjetor të 2022-tës, 30 copë vezë kanë kushtuar saktësisht 4.49 euro deri në 5,50 euro, në ca markete dhe minimarkete.

Çmimet enorme të larta në dhjetor të vitit të kaluar i ka evidentuar edhe ASK-ja, sipas raportit të së cilës më 15-20 dhjetor një komplet me vezë ka kushtuar 4 euro e 29 centë. Dhe, po sipas ASK-së (përditësimit të çmimeve nga ASK-ja të produkteve bazike), është konstatuar se lëvizja më e madhe e çmimit në gjysmën e dytë të dhjetorit 2022, është shënuar pikërisht tek vezët.

Për shkaqet dhe shtytjen për këtë ulje çmimi evidente, askush nga tregtarët, pos hamendësimeve, nuk ka ndonjë shpjegim të saktë. Shumë tregtarë, theksojnë se rëndom, në këtë sezon, në pranverë, bie çmimi i vezëve. Por, edhe pse në Kosovë ka prodhues të shumtë dhe me kapacitete të mëdha të pularive, gjatë kohës së pandemisë dhe muajve post-pandemik, nuk ka ndodhur të ketë ulje kaq të theksueshme të çmimit të vezëve në asnjë stinë.

Njohësit e tregut dhe vrojtuesit më të vëmendshëm të lëvizjeve të çmimeve në tregjet e Kosovës, kanë tjetër shpjegim. Sipas tyre, shkaku i uljes kaq të ndjeshme të çmimit të këtij prodhimi është importi i një sasie të madhe vezësh dhe stërmbushja e tregut kosovar me këtë produkt. Ata vlerësojnë se oferta e madhe për vezë ka ndikuar dhe ka kushtëzuar uljen e tanishme të çmimeve të këtij produkti. Dihet, se edhe Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia janë prodhues të mëdhenj të vezëve. Dhe në vitet paraprake, shpesh herë Kosova ka importuar vezë nga këto vende./Buletiniekonomik

Kosova shpall të mbyllur emergjencën me Covid-19

0

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mbyllje të emergjencës së shëndetit publik, pas tre vitesh betejë me pandeminë Covid-19.

Kërkesën për mbyllje të kësaj gjendje e bëri ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, gjatë mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, prej ku tha se institucioni qe ai drejton ka marrë parasysh situatën epidemiologjike në Kosovë, dhe kërkesa e tij bëhet në përputhje me rekomandimin e Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik dhe deklaratën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

OBSH, më 5 maj, duke theksuar tendencën në rënie të vdekjeve nga Covid-19 në gjithë botën, si dhe nivelet e larta të imunizimit të qytetarëve ndaj sëmundjes, këshilloi se është koha për të kaluar në menaxhimin afatgjatë të pandemisë.

“Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së përcakton se Covid-19 tani është një çështje shëndetësore e vazhdueshme që nuk përbën më një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e OBSH-së të cilën e përmendi ministri Vitia.

Kosova kishte shpallur emergjencë të shëndetit publik në mes të muajit mars të vitit 2020. Shpallja e kësaj gjendjeje krijoi mekanizma për të ofruar ndihmë të koordinuar qeveritare për qytetarët.

“Natyrisht, Ministria e Shëndetësisë me institucione tjera përgjegjëse do të vazhdojë të përcjellin nga afër dhe me shumë kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe në përputhje me këtë do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme në të ardhmen”, ka thënë Vitia.

Në Kosovë, deri sot, 3,217 persona kanë vdekur si pasojë e Covid-19, dhe 273,934 të tjerë janë prekur nga virusi.
Kryeministri Albin Kurti në këtë mbledhje ka thënë se brenda gjashtë muajve nga fillimi i vaksinimit masiv, kemi imunizuar 60 për qind të popullatës së targetuar”.

Sipas OBSH-së, deri më 15 janar të vitit 2023, në Kosovë janë administruar gjithsej 1,836,901 doza vaksinash

Rënia e Bakhmutit, dështimi më i madh i udhëheqësve kosovarë në skenën ndërkombëtare!

0

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Mundi i shkuar huq: Informatat e fundit thonë se Bakhmuti, qytet i shndërruar në rrënoja gjatë luftës dyvjeçare midis Ukrainës dhe Rusisë ka rënë në duar të grupit paramilitar mercenar “Wagner”, gjithnjë sipas pohimeve të Jevgenij Primozhinit, udhëheqës i këtij formacioni paraushtarak mercenar. Në këtë luftë, çlirimtare për Ukrainën dhe okupuese për Rusinë, lufta e ftoftë në planin e propagandës ka qenë jashtëzakonisht e theksuar; palët ndërluftuese dhe përkrahësit e tyre asnjëherë nuk e kanë treguar të vërtetën.

Unë, sigurisht se do t’i merrja me rezervë deklaratat e Primozhinit mirëpo, edhe më shumë po më brengosë heshtja e pakuptueshme e presidentes me korrespondencë të Kosovës e cila, në të njëjtën kohë pjesën më të madhe të aktiviteteve ia ka kushtuar pikërisht luftës në Ukrainë duke e përkrahur Zelenskin dhe duke e luftuar me të gjitha mjetet Putinin e Madh në Rusi dhe Putinin e Vogël në Serbi (Aleksandar Vuçiqin).

Botërisht, nga distanca jepte këshilla se si duhet të luftohet ushtarakisht dhe politikisht në Ukrainë gjithnjë e këshilluar nga Garda Pretoriane e identifikuar në linjat buxhetore si këshilltarë politikë të saj; të jashtmit për ta luftuar Rusinë dhe Serbinë, të brendshmit për t’i luftuar mediat dhe ata që nuk pajtohen me Zyren e Kryeministrit e quajtur Presidenca e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, si intelektual multidisiplinar dhe mesia i grixhës që për interesa personale dhe materiale i shkonë pas, deri në theqafje të kryeministrit dhe jo të tyre, ka dokumentuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që i ka bërë Rusia më mirë dhe më bindshëm se që do ta bënte Karim Khan, kryeprokurori ndërkombëtar për hetimin e krimeve ruse në Ukrainë. Përcjellësit e rregulltë të kryeministrit që edhe pordhët e tij i marrin si puhiza freskuese aromatike të një nate vere, me mallëngjim dhe pasion e kujtojnë përshkrimin brilant që e bëri kryeministri i Kosovës për ta përshkruar masakrën që e bëri Rusia në Buça të Ukrainës gjatë drejtimit të tij opinionit botëror, që me ankth dhe padurim priste një prononcim të tillë. Madje, duke e shpërfillur enciklikën e Papës Françesku urbi et orbi në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan!

Besnik Bislimi, njeri pa të kaluar politike dhe kombëtare, në përpjekje për ta ndërtuar të ardhmen përmes një të tashmeje mashtruese dhe nënshtruese, të gjitha angazhimet kryesore i ka të përqëndruara në futjen e të gjitha sanksioneve ekonomike Rusisë dhe Bjellorusisë të cilat, nëse mbledhen matematikisht janë më shumë se të gjitha sanksionet që ua ka vendosur Amerika, me të gjitha shtetet aleate, nuk arriti ta thyej boshtin kurrizor të ekonomisë ruse dhe bjelloruse ndonëse, të jemi të drejtë dhe të sinqertë këto ekonomi i ka sjellë buzë bankrotit në kohën kur ekonominë kosovare, bashkë me Teneqe Muratin, urrejtësin e madh të UÇK-së dhe komandantin e mercenarëve, tashmë e ka falimentuar!

Donika Katran (Shvarc) Gërrvalla, kjo sizifja që me një këmbëngulje mahnitëse, ndonëse pa asnjë sukses po përpiqet ta bind qytetarinë kosovare se është ministre për punë të jashtme e Kosovës, kohën më të madhe e ka shpenzuar në luftë kundër Rusisë, në përkrahje të Ukrainës, kundër UÇK-së dhe kundër çlirimtarëve që e sollën lirinë, e shpallën pavarësinë dhe e ndërtuan shtetin e që tash po mbahen peng në Burgun e Hagës. Me një fjalë, dora e djathtë diplomatike dhe politike e Volodimir Zelenskit. Gjatë mandatit të saj, deri më tani asnjë shtet nuk e ka njohur Kosovë, madje as Ukraina.

Mos ta injorojmë kontributin e madh të kryefolësit sheik të Kuvendit të Kosovës, Galuk el Thani që i dha hapësirë të madhe një deputeti nga Ukraina, shtet që as nuk e njeh Kosovën e pavarur dhe as që e ka mendjen ta njehë këtë pavarësi, gjysmë të dhunuar nga ndërmjetësuesit dhe “lehtësuesit”.

RTK-ja që më parë ishte shtëpia e vetme publike informative me letra, e shndërruar në bastion apo shtëpi publike informative të pushtetit aktual dha një kontribut të jashtëzakonshëm për Ukrainën duke i punësuar gazetarët ukrainas të ikur nga Ukraina si lektorë të gjuhës shqipe (për këtë arsye në aspektin gjuhësorë në RTK-ja ka shumë përmirësime) dhe, në të njëjtën kohë përzuri një Bord të mëparshëm që në aspektin e integritetit profesional, krahasuar me bordin aktual është Akademi Mediale.

Trafiku Urban gjithashtu kontribuoi për Ukrainën në luftë kundër Rusisë duke pajisur gazetarët ukrainas me bileta falas për linjat e trafikut urban në kohën kur ndonjë hallexhi që nuk ka pasur mundësi ta paguaj biletën e dërgojnë drejt dhe krejt në Qendrën e Ndalimit Policor!

Dhe, do të ishim të padrejtë me komunën e Prishtinës nëse ua mohojmë kontributin e tyre për Ukrainën dhe kundër Rusisë. Në një faqe ballore anësore të hotelit Grand në Prishtinë e keni një hapësirë të madhe ku shkruan FREE UKRAINE në kohën kur as Grandi e as Kosova nuk janë krejtësisht të lira; Hotel Grandi ka kontest për të drejtën e pronësisë, Kosova po kontestohet si shtet nga Serbia sepse këtë pavarësi nuk po e noterizojnë noterët nga Nishi dhe Kragujevci, Mirosllav Lajçak dhe Joseph Borrell.

Jam shumë i zhgënjyer që pas të gjitha këtyre angazhimeve të udhëheqësve më të lartë të Kosovës gjendja në terren nuk është në përputhje me angazhimin e tyre, me sakrificën e tyre, me injorancën e tyre dhe me mediokritetin antologjik!

Siç thuhet se: “shpresa vdesë e fundit” e që është ngushëllim për oportunistët, edhe unë po besoj se shpresa është ende gjallë. Në kundërofensivën e paralajmëruar të Ukrainës, pa asnjë dyshim se mund të kemi zhvillime të jashtëzakonshme apo përmbushje të planeve gjeniale të udhëheqësve të lartë kosovarë, shkatërrimin e makinerisë okupuese ushtarake dhe teknike ruse dhe përballje të dy titanëve apo udhëheqësve të mercenarëve, Wagnerit rus dhe Teneqes multietnik kosovar!

Betimi në Kullën e Isa Boletinit: Pas “çlirimit” të Veriut të Kosovës nga bandat paramilitare të Serbisë, pasi e përzëmë Wagnerin nga kjo pjesë, dikur të okupuar të Kosovës, pasi e vendosëm flamurin në stilin e Mitrush Kutelit në novelën “Tregëti me Flamuj “(i hoqëm të Serbisë), nuk na mbeti asgjë tjetër vetëm që kryetari që fitoi numrin maksimal të votave ta jepë betimin gjë që edhe e bëri. Atiqi kryetar në Mitrovicë, Antiqi kryetar në Surdullicë! Ka mbetur që të hapet edhe ura mbi lumin Ibër për të cilën fituesit e zgjedhjeve kanë marrë vendim që të bëhet. Janë edhe dy pengesa të vogla, njëra e natyrës teknike, tjetra e natyrës fiziologjike; të studiohet fizibiliteti teknik i urës dhe fizibiliteti i prapanicave të këtyre që duhet ta hapin urën. Rezultatin e kemi të qartë, besoj shumë!

Para një kohe pata shkruar se betimi i disa kryetarëve në veri mund të bëhet edhe në lokacione jashtë objekteve komunale. Në këtë pikë jemi pajtuar 100% me ambasadorin Hovenier. Tash, nëse është i vërtetë lajmi njëri ndër kryetarët paska vendosur ta japë betimin në Kullën e Isa Boletinit. Folklor politik dhe patriotik! Më së miri do të ishte që të vesh tirqit e Isës, të vendosë jataganët dhe armët e tjera të Isës në shokë sikur që bëri Isa në Londër dhe të betohet me betimin se: “kur është Kosova (jo Shqipëria) mirë, edhe unë jam mirë …”. Krejt kësaj ikonografie që i përmbush të gjitha kushtet e fizibilitetit teknik i mungon një kusht i fizibilitetit anatomik; i mungojnë koçet e Isa Boletinit!

Bylbyl Duraku, studenti që u mbijetoi torturave çnjerëzore serbe dhe masakrës së Dubravës

0

Qemajl Krasniqi 

Ish i burgosuri politik, i mbijetuari i masakrës në Burgun e Dubravë, regjimin serb e krahason me atë të luftës së dytë botërore nazizmit hitlerian

Bylbyl Duraku nga Krusha e Madhe ka vuajtur nëpër burgjet serbe dy vjet e gjashtë muaj  dhe gjatë asaj kohe ka përjetuar tortura e abuzime nga më të tmerrshmet. Ai rrëfen në vetën e parë për përjetimet e tij, mirëpo rrëfimi i tij nuk është vetëm personal, sepse metodat e aplikuara, mjetet e përdorura dhe qasja e serbëve ndaj shqiptarëve është e njëjta për më shumë se një shekull – torturë, vrasje, mizori, dhunë çnjerëzore, keqtrajtim psikik e fizik, me tendencë asgjësimin e një populli autokton. Bylbyli u mbijetoi torturave fashisoide serbe dhe i mbijetoi edhe masakrës në Dubravë. Vendin ku është mbajtur ai dhe shqiptarët tjerë ai nuk e quan burg, por një lloj kampi përqendrimi nacist ku bëhen eksperimente me trupat e shqiptarëve dhe ku është ushtruar dhunë e shfrenuar sistematike.

 

– Pasojat i kemi vuajtur vazhdimisht për shkak të qëndrimit tonë si familje kundër regjimeve antishqiptare. Babai, Abdurrahmani të cilin e kanë njohur të gjithë si baca Mon, si i ri kishte dalë në mërgim ku pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në Gjermani. Babai ynë ishte antikomunist i përbetuar ndoshta edhe pse  babai i tij Halili kishte qenë në shënjestër të regjimit komunist jugosllav duke u dënuar me 1 vit e gjysmë burgim dhe duke ia konfiskuar mbi 16 hektarë truall e tokë në vitin 1950. Me siguri kjo ka qenë njëra ndër arsyet, dhe jo e vetmja, që babai Mon vazhdimisht na ka porositur që të kemi kujdes me kë shoqërohemi, sepse pushteti komunist mund të bëntë kurthe të ndryshme.  Nëna ime Mihanja femra e parë e shkolluar nga treva e Llapit, vajza e Met Podjevës  (patriot dhe njeri i dalluar në atë anë) e kishte të kryer Normalen e Prishtinës, e nis rrëfimin e tij Bylbyl Duraku, ish-kryetar i Unionit të Studentëve në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren.

Në vitin 1998 studioja në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Prizren.  Protestat e 1 tetorit 1997 i dhanë dimension të ri rezistencës në Kosovë. Kemi organizuar protesta dhe aksione të ndryshme kundër pushtimit serb. Nuk e bëja këta vetëm pse isha shqiptar, por doja të luftoja për dinjitetin dhe lirinë time. Ndërkohë patëm rënë në kontakt me persona të UÇK-së dhe nisëm të interesohemi për të organizuar rezistencën kundër pushtuesit serb. Në mik yni Refik Çollaku nga Bregdrini na e kishte siguruar armatimin dhe municionin me mjetet e tij vetanake. Planifikonim të kryenim aksione të armatosura kundër regjimit serb. Na arrestuan më 23 maj 1998.

Në grup kishim tri vajza dhe gjashtë djem; Haqif Ilazi, Sherif Ilazi, Sejdi Bellanica, Dëfrim Rifaj, Leonora Morina-Duraku (tani bashkëshortja ime), Jehona Krasniqi, Behare Tafallari dhe Njazi Kryeziu. Na akuzuan për terrorizëm dhe bashkim kundër shtetit, sipas nenit 136 lidhur me nenin 125, alineja 1 e 2, bashkim për veprimtari armiqësore kundër shtetit dhe terrorizëm.

TORTURA ISHTE MJETI I VETËM I KOMUNIKIMIT TË HETUESVE SERB

Gjatë hetimeve në Prizren na kanë rrahur në mënyrë barbare tri ditë e tri netë pa pushim. Torturat intensive na kishin dërrmuar dhe mezi mbijetuam. Nuk kanë pushuar as ditën, as natën torturat. Na mbanin lidhur me pranga tërë kohës duke na poshtëruar e goditur me gjithfarë mjetesh. Torturat kanë qenë të tmerrshme. Aq rëndë na kanë torturuar saqë nuk kam mundur të qëndroj në këmbët e mia, por është dashur që dikush të më mbajë për krahësh ose të më tërheqin zvarrë. Shokët më kanë thënë se i kanë futur edhe në korrent në elektroshok. Mua jo. Pas përfundimit të hetimeve nuk na kanë rrahur aq shumë, por dhuna dhe presioni psikologjik ka vazhduar sistematikisht.

Më 24 gusht 1998 më dënuan me pesë vjet e gjysmë burg. Nga data 12 korrik 1998 deri sa më transferuan në Nish kam dëgjuar britma të tmerrshme të njerëzve që torturoheshin vazhdimisht. Torturat zgjatnin gjatë gjithë kohës, ndërrim pas ndërrimi dhe asnjëherë nuk pranin. Britmat dhe ofshamat e njerëzve dëgjoheshin thekshëm. Nuk kishte asnjë moment qetësie dhe për neve kjo ishte torturë shtesë, ngase e kishim kaluar atë ferr para atyre njerëzve fatkeq. Nuk mund të rrëfehet gjithë ai tmerr. Nuk e di ta kemi pasur një moment qetësie gjatë asaj kohe. Gjatë qëndrimit në burgun e Prizrenit, edhe kur na vinin për vizitë prindërit, torturat nuk pushonin. Prindërit tanë dëgjonin britmat e atyre të burgosurve shqiptarë që torturoheshin mizorisht. Prindërit i dëgjonin britmat dhe sikur nuk donin ta besonin se njerëzve po ju ndodhte një gjë e tillë. Edhe pse populli ynë i kishte të njohura metodat barbare serbe mbi shqiptarët. Mirëpo, ne duhet të thoshim se nuk po na rrihnin, ndërsa britmat e njerëzve që torturoheshin dëgjoheshin qartë dhe zëshëm. Gardianët na qëndronin mbi kokë gjatë kohës sa zgjaste vizita dhe nëse dikush guxonte të fliste “më shumë nga sa duhej” e pësonte keq më pastaj. Nuk dëshiroja që prindërit e mi të dëgjonin britmat e njerëzve, por nuk bëja dot asgjë që të mos dëgjoheshin rënkimet e njerëzve të pafuqishëm. Madje, nganjëherë dëshiroja që ata të mos vinin fare në vizitë, vetëm për këtë shkak.

TRANSFERIMI NË NISH DHE “TUNELI” I TMERRIT

Në burgun e Prizrenit na mbajtën deri më 11 shtator 1998, nga ku na transferuan në Nish. Atje na mbajtën deri më 29 prill 1999. Në Nish na kanë zhveshur vetëm në brekë dhe na kanë rrahur me gjithfarë mjetesh që kishin. Çfarë eshpe shtazarake që kishin dhe sa të motivuar ishin të torturonin njerëz të lidhur dhe të pafuqishëm. Gardianët e kishin formuar të ashtuquajturin “tunel”, përmes të cilit ne duhet të kalonim. Dikush arrinte të dilte me më pak dajak, por shumica rrëzoheshin dhe vaj halli për ata që binin në tokë. Njerëzit ishin të gjakosur dhe të mavijosur në krejt trupin. Edhe nëpër qeli na kishin futur me ndonjë serb ordiner dhe torturat vazhdonin edhe aty. Dikush kishte fat dhe rastiste në ndonjë të burgosur serb më të përmbajtur dhe që nuk i torturonte shqiptarët. Mua më qëlloi një serb që kishte qenë paramilitar në Bosnje dhe ishte tepër agresiv. Vazhdimisht më provokonte me fjalë fyese, por ndoshta për fat që isha trupmadh hezitonte të më vërsulej drejtëpërdrejt. Vetëm njëri ndërrim ishte më i qetë. Na rrihnin edhe gjatë kohës kur hanim bukë. Në fytyrat e të burgosurve shiheshin hematoma, gjakosje dhe enjtje të fytyrës. Këto pamje ishin të zakonshme dhe dikur nuk na bënin më përshtypje.

Më kujtohet një moment me datë 31 mars 1999 kur na  zhvendosën nga një qeli në tjetrën, që quhej izolim. Më futën përmes “tunelit”. Në duar mbaja një pako me disa gjëra personale. Më nxorën nga qelia dhe gjatë gjithë kohës më godisnin deri sa rashë zvarrë. Mezi shpëtova. Më futën në një qeli ku kishte shumë persona dhe aty nuk kishim ku të shtriheshim. Na nxirrnin  nga qelitë tona dhe na rrahnin pa mëshirë. Na futnin në pjesën ku ishte izolimi dhe duart duhej t’i mbanim pas shpine e të mos e ngritnim kokën. Nëse konsideronin se nuk na kishin shkaktuar dhimbje mjaftueshëm na zhvishnin dhe na rrihnin deri në alivanosje. Më kujtohet se pas këtyre përjetimeve arrita të kthehem zvarrë në qeli dhe e futa kokën në filxhanin e toaletit që të freskohem. E lëshova pak ujin që të rridhte paksa. Vetëm ashtu më dukej se po merrja frymë, sepse mezi e hapja gojën.

Kam mundur të mbaj mend disa emra të atyre që na torturonin më së shumti, ndonëse edhe të tjerët nuk mbeteshin pas për nga ashpërsia e egërsia dhe dukej se bënin garë kush do të torturojë më shumë dhe me metoda më kreative. Shquheshin për sjellje brutale sidomos disa; njëri quhej Vojkan, një tjetër Pavlloviq, tjetri Spasiq, njëfarë Petriqi, kurse njëfarë Bixha, që ishte një lloj eprori, ishte ekzemplar për sjellje të ashpër dhe shumë armiqësore ndaj të burgosurve shqiptarë. Po ashtu ishte njëfarë Zhiviqi, pastaj njërin që e quanin Kuki, tjetrin Neniç, dhe secili ishte më i keq se tjetri. Më ngjanin me rojet gjermane në kampet naciste. Na torturonin rëndë dhe shpesh pa asnjë shkak.

NË DUBRAVË VDEKJA ISHTE KUDO

Më 29 prill 1999 nga burgu i Nishit na mblodhën dhe na ngarkuan nëpër autobusë. Na lidhën njërën dorë me njëri-tjetrin dhe na vendosën në rresht. Fillimisht na dërguan në burgun e Lipjanit, por ne nuk e dinim se e kishin në plan të na dërgonin në Dubravë. Pasi që ishte bombarduar nga NATO ura e Llazicës, autobusët bënë një kthim prapa dhe na dërguan në Lipjan.

Gjatë gjithë kohës ishim të lidhur me pranga dhe askush nuk guxonte të ngrinte kokën për të parë anash apo përpara. Duart na ishin mpirë dhe disave u rridhte gjaku, pasi që na i kishin shtrënguar shumë prangat.  Gardianët na ruanin me rreptësinë më të madhe dhe kush guxonte të bënte lëvizjen më të vogël pasonte ndëshkimi fizik brutal. Paramendojeni sa gjatë na është dashur të rrimë pa lëvizur dhe pa pasur asnjë mundësi madje as për të kryer nevojat personale. E kemi dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe për një moment gardianët dolën nga autobusi dhe na lanë vetëm. E kuptuam se NATO i kishte bombarduar serbët. Aty ku ishim ne dhe një tjetër autobus me të burgosur shqiptarë na kthyen dhe na dërguan në Lipjan.

Të nesërmen, me 30 prill 1999, në hyrje të burgut të Dubravës ishin rreshtuar shumë roje dhe paramilitarë, të cilët e nxirrnin ndonjërin prej nesh dhe e grushtonin, e shtrinin përtokë duke e goditur me shqelma në mënyrën më brutale të mundshme.  Deri më 17 maj i grumbulluan shumë të burgosur shqiptarë në Dubravë, duke i sjellë nga burgjet e Serbisë.

Më 19 e 21 maj kanë rënë bombat e  NATO-s, me ç’rast u vranë disa të burgosur shqiptarë dhe u plagosën disa të tjerë. Me ato pak mundësi që kishim u ofronim ndihmë të plagosurve. Rojet e burgut u larguan nga ndërtesa dhe u vendosën në afërsi, duke vëzhguar lëvizjet tona. Në njëfarë mënyre ne e morëm nën kontroll burgun. Ushqeheshim vetë dhe nuk shihnim roje gjëkundi. Njerëzit flitnin shumë rrallë dhe vetëm ndonjëri aty-këtu merrte mundimin të tregonte apo hapte ndonjë temë. Nuk kishim asnjë mundësi ta bënim ndonjë plan. Vetëm pritnim se ç’do të ndodhte me ne.

Më 22 maj, në mëngjes herët, përmes altoparlantit, na ftuan që të dalim jashtë dhe të marrim sendet personale. Na thanë se do t’na dërgonin në një vend tjetër. Menduam se ashtu do të jetë me të vërtetë. Grupi ynë qëndronim të bashkuar; Sherif Ilazi, Dëfrim Rifaj, Sejdi Bellanica, Haqif Ilazi, Nijazi Kryeziu dhe unë. Me ne qëndronte edhe  Xhevat Daci, shqiptar nga Mali i Zi. Dolëm jashtë dhe u rreshtuam disi, jo në formë të rregullt. Ndërkohë Shefir Ilazi më tha se kishte një parandjenjë të keqe dhe se na kishin rreshtuar për t’na vrarë.  E pashë për një fraksion të sekondit kur një gardian serb u ngrit nga kulla e vrojtimit me një granatahedhës krahu që e drejtoi kah ne. E kuptova se Sherifi pati të drejtë. Turma u shpërnda në panik.

Granata eksplodoi në mesin e të burgosurve dhe gjymtyrët e njerëzve u hodhën gjithandej. Më pas pasuan të shtëna të pandërprera me pushkë automatike, mitralozë dhe armë të tjera. Shihja teksa para  këmbëve të mia binin trupat e shokëve nga breshëria e të shtënave të serbëve. Plumbat binin mbi kokat tona si kokrrat e breshrit.  Njerëzit binin si kallinj gruri kur kositen – të vdekur apo të plagosur. Sekush synonte të gjente një vend për ta futur kokën, por as nuk kishte një vend të tillë. Morëm arratinë dhe nuk e di as vetë si kam mundur të tërhiqem nga ajo plojë. Madje në duar kisha dy  qese të mëdha me rrobat e mia  dhe nuk më shkonte ndërmend as t’i hidhja e t’ia mbathja sa më shpejtë. Vetëm kur jam rrëzuar duke vrapuar kam vërejtur se kisha me vete ngarkesë, i kam lëshuar qeset dhe  kam vrapuar deri  te një hendek, ku kam qëndruar për disa sekonda.

Trupat e pajetë të të burgosurve dergjeshin nëpër oborr të burgut, ndërsa të plagosurit që rënkonin goditeshin me të shtëna të rralla. Sapo dëgjonim të shtënat tek e tek, e dinim se edhe dikush prej nesh u shua.  Kishim frikë se NATO do të bombardojë përsëri, prandaj bashkë me Sherif Ilazin së pari me drita të thyera të neonit e mandej kemi marrë disa batanije dhe e kemi shkruar në oborr të burgut me batanije HELP, duke besuar se pilotët do ta vërejnë dhe nuk do të hedhin bomba mbi ne, por tashmë bombardimet ishin ndalur.

SOLIDARITETI I TË BURGOSURVE NA  JEPTE FORCË

Moti ishte i mirë dhe kufomat nisën të dekompozohen shumë shpejt. Era e rëndë e mishit të kalbur të njerëzve përhapej gjithandej. Na i mbushte hundët dhe gojën. Më duket se edhe sot ajo erë e rëndë më kundërmon në hundë. Ishte e tmerrshme të mos kesh mundësi ta ndihmosh ndonjë shok të plagosur apo të tjerë që kishin frikë të madhe. Shumica kishin qëndrim stoik. Nuk kishim zgjidhje tjetër, pos ta inkurajonim njëri-tjetrin. Rezistenca jonë zgjati pak, sepse serbët kërkuan të mblidhemi në sallën e sportit dhe të mos mbanim në duar asgjë, ndryshe do të na vritnin.

Duke kërkuar për të plagosur të tjerë i kam gjetur shtatë të vrarë në një kënd të bodrumit të shtëpisë së kulturës dhe një të plagosur të cilin e kemi nxjerrë jashtë, por fatkeqësisht edhe ai ka vdekur më vonë. Kufomat ishin gjithandej dhe kalonim skaj tyre e nuk na bënte përshtypje, sepse secili e ndjente se vdekja mund ta merrte në krahë në çdo moment. Habitesha me veten se si isha bërë i tillë, pothuajse pa ndjenja. Mua që më dhimbsej një pulë apo dele kur e prenin, shihja njerëz pa këmbë, me kokë të çarë, krejt të gjakosur e totalisht të deformuar nga plagët që iu kishin shkaktuar vdekjen e  krejt kjo nuk më bënte  përshtypje!?

Rreth 150 persona i kanë vrarë ato dy ditë, ndërsa 193 kanë qenë të plagosur. Këtë shifër e di mirë ngase vetë jam përpjekur të ndihmoj të plagosurit, duke iu lidhur plagët dhe duke iu dhënë kurajë për të përballuar dhimbjet. Serbët gjurmuan gjithandej të burgosurit dhe pasi vranë e bënë kërdi sa deshën, ndaluan për një çast. Ne u detyruam të mbyllemi në pavijonin C ku vazhduam të mjekojmë shokët e plagosur. Mirëpo, duhet potencuar faktin se të burgosurit qëndronin të fortë e i jepnim zemër njëri-tjetrit dhe besonim se ishte afër fundi i luftës dhe se serbët nga dëshpërimi i humbjes po e kryenin një masakër të tillë. Kishte edhe raste kur të burgosurit nuk i bënin dot ballë presionit të madh psikologjik dhe tentonin të vetëvriteshin ose edhe u vetëvranë. Njerëzit erdhën buzë dëshpërimit dhe nuk besonin se mund të duronin e përjetonin tortura e tmerre të tjera, prandaj edhe i dhanë fund jetës. Të paktë ishin ata që i dhanë fund jetës në këtë mënyrë.

Dëshpërimi i madh dhe frika e vazhdueshme nga vdekja e torturat kanë shkaktuar trauma të pashërueshme tek të burgosurit shqiptarë. Njerëzit futeshin në hapësira shumë të  ngushta vetëm për të gjetur një vend shpëtimi, por kishte raste kur gardianët, por edhe të burgosurit ordinerë serbë të armatosur, i gjenin dhe i ekzekutonin në ato strehimore të ngushta. Duke e parë një gjendje të tillë, kur fati ynë ishte në fije të perit mes jetës e vdekjes, u mobilizuam dhe provuam të bëjmë qëndresë. Të paktën të mos na vritnin pa asnjë rezistencë. Grupi ynë ,,Studentët e Prizrenit” (siç na quanin) rrëmbyem shufra hekuri dhe më vonë edhe disa të tjerë qëndruan në një krah të pavionit të gatshëm për t’u përballur me fatin. Pasi erdhën disa të burgosur nga kuzhina e burgut, ku po qëndronin  pjesa më e madhe e të burgosurve, na e përcollën lajmin se gardianët kishin kërkuan që të dalim ose përndryshe do të na pushkatonin të gjithëve. Filluam t’i mblidhnim të plagosurit, duke i dërguar në sallë të sportit.

MË DËRGUAN NË BURGUN E BEOGRADIT NË GJENDJE TË RËNDË FIZIKE E SHPIRTËRORE

Më 11 tetor 2000 më transferuan nga Pozharevci në burgun qendror në Beograd. Më dërguan në repartin psikiatrik, gjoja se nuk jam mirë me shëndet mendor. Nuk pranova të qëndroj aty dhe kërkoja  të kthehesha në burgun e Pozharevcit, prandaj edhe e kam thyer një derë. Mbaj mend se katër apo pesë gardianë më kanë rrëzuar për tokë dhe njëri prej tyre, përderisa isha me fytyrë për dyshemeje betoni, më ka goditur me shqelm në fytyrë dhe në atë moment i kam humbur ndjenjat. Vetëm kur jam përmendur e kam parë veten në spital, të lidhur për krevati me pranga. Vetëm njërën këmbë e kisha të lirë. Vinin gardianët dhe më rrihnin edhe të shtrirë në shtrat. Ngaqë nuk mund të bëja asgjë, e shaja me nënë një gardian që më godiste e më rrihte derisa alivanosesha.

Nuk mund ta hapja gojën, ngase  ma kishin thyer nofullën. Aq isha i lodhur saqë as duart nuk mund t’i  bashkoja. Ndërkohë më jepnin serum intravenoz. Më kanë thënë se në atë kohë kishin ardhur për vizitë prindërit katër herë, por në gjendjen që isha e mbaj në mend vetëm vizitën  e fundit. Isha lodhur shumë dhe mezi merrja frymë. M’i kishin marrë të gjitha rrobat e brendshme dhe  isha vetëm me pizhame e këmbëzbathur. Nëse nuk gaboj, njëfarë Sebastian Griecourt nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nga Franca, vinte e më vizitonte. Një herë i thashë se kam ftohtë. Ai i hoqi nga këmbët çorapët e tij  e m’i dha. Në ato çaste edhe aq pak solidaritet më jepte zemër e shpresë.

NDONËSE ISHA ME FAMILJARËT E MI NUK E BESOJA SE ISHA I LIRË ME TË VËRTETË

Nuk mbaj mend shumë nga ajo periudhë e qëndrimit në spitalin e burgut. Nuk e di sa kohë kisha qëndruar atje. Isha dobësuar jashtëzakonisht shumë dhe kur ma sollën një dokument për ta nënshkruar nuk kisha mundësi as ta mbaja lapsin në dorë. Më bëhej se më kërkonin të bëhesha bashkëpunëtor i serbëve, prandaj nuk desha ta nënshkruaj. Mirëpo, përfaqësuesi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar më sqaroi se po lirohesha. Nuk mund ta besoja. Nuk shihja mirë. Më bëhej se isha verbuar. Vetëm kur me veturën e Kryqit të Kuq më dorëzuan te familjarët në Merdarë, atëherë e besova se me të vërtetë isha përsëri i lirë. Kisha emocione të përziera.

Më dërguan në spitalin e Prishtinës dhe ma bënë një ekzaminim se mos isha sëmurë nga TBC-ja apo ndonjë sëmundje tjetër. Por nuk qëndrova aty, kërkova me ngulm të shkoja në shtëpi. Pas një muaj e gjysmë jam shtrirë në repartin Maksillofacial të QKUK-së. Më irritoi shumë fakti se një mjek më dërgoi në një sallë dhe aty ju jepte sqarime studentëve për gjendjen time shëndetësore, kurse një tjetër deshi të ma vendosë nofullën në vend duke mos ditur që kishte tre muaj që ma kishin thyer nofullën dhe duhej intervenim kirurgjik. Tragjikomike!

Dëshiroja që sa më parë të trajtohesha dhe të kthehesha në shtëpi. Nuk doja të qëndroja asnjë minutë larg shtëpisë dhe familjes sime. Më vonë më operuan dhe ma rregulluan nofullën, ndonëse ende nuk është në gjendjen më të mirë. Gjendja ime shëndetësore në atë kohë ishte e tmerrshme. Isha dobësuar shumë dhe mezi qëndroja në këmbë. Isha i zbehur i tëri dhe lëkura më ishte nxirë. Njerëzit vinin për vizitë, por shumicën nuk e njihja dhe nuk i dëgjoja mirë. Isha krejt i përhumbur. Nuk më besohej se isha në shtëpinë time. Nuk ka shkuar shumë kohë pas qëndrimit në spital, diku kah mesi i vitit 2001 kam gjetur punë dhe ndërkohë u jam kthyer studimeve që më kishin mbetur në gjysmë.

REGJIMIT SERB I KANË MUNGUAR VETËM DHOMAT E GAZIT SIKUR TË HITLERIT

Mendoj se regjimi serb nuk dallon nga regjimi nacist i Hitlerit. Vetëm dallon koha dhe mjetet në dispozicion. Mbaj mend se gjatë transferimit nga Dubrava për në Lipjan, më 24 maj 1999, autobusi u prish dhe neve na futën në një kamion bagëtish. Mushamaja ishte hapur në një anë, ndërsa ne i shihnim fëmijët serbë në Lipjan që na bënin me dorë me gjeste sikur donin t’na hiqnin kokën. Kjo dëshmon sa e thellë ishte urrejta e tyre ndaj shqiptarëve. Mendoj se atij regjimi i kanë munguar vetëm dhomat e gazit.

Burgu të  tjetërson dhe nuk mund të jesh vetvetja. Përvojat e rënda në burg dikë e kanë forcuar e dikë e kanë stërkequr. Nganjëherë bisedoj me disa shokë të vuajtjeve dhe qëndrimi ynë është se, kjo jetë për ne është si një shtesë apo “bonus”. Kemi mundur të vdesim të gjithë. Pesonalisht ndjej se jam përpjekur të jap kontributin tim për vendin, por nuk kam bërë mjaftueshëm. Më e mira do të ishte sikur të mos kishim rënë në duart e serbëve dhe të kishim vazhduar luftën me armë në dorë. Do të dëshiroja që të kisha dhënë kontribut më të madh për lirinë e Kosovës.

Mirëpo, sapo u liruam nga burgu na u shkatërruan ëndrrat. Liria nuk ishte ajo që e kishim imagjinuar. Të burgosurit nuk janë trajtuar në mënyrën më të mirë. Me ta është dashur të merret më seriozisht sistemi shtetëror dhe t’ju ofrohet një shans i dytë për jetë. Shoqëria nuk ka qenë e drejtë në raport me të burgosurit. Vetëm ata që kanë qenë në duart e serbëve mund ta dinë çfarë janë në gjendje të bëjnë ata mbi shqiptarët. Metodat e tyre barbare janë të denja për inkuizicionin mesjetar, por jo për një shtet që vetëquhet shtet e demokraci evropiane.

Mungesa e hapësirës së nevojshme ma pamundëson të jap më shumë kontribut dhe kjo më shqetëson së tepërmi. Konkurrenca e ashpër dhe e pandershme më mundon, ngase do të doja të bëj më shumë. Konsideroj se kam mundësi intelektuale e profesionale të bëj shumë më shumë për Kosovën.

Më ngushëllon fakti se Serbia nuk është më prezentë në Kosovë me polici e ushtri, por kjo nuk është e tëra që më bën më të lumtur. E di se është dashur të ketë rezistencë kundër pushtimit dhe ta bëjmë punën tonë, mirëpo disa sikur e shohin  veten shpëtimtarë të këtij populli, prandaj mendojnë se i meritojnë edhe privilegjet e padrejta. Rrethanat ndërkombëtare kanë bërë që Kosova ta ketë rastin e vet për të dëshmuar aftësi shtetformuese. Pseudo vlerat po dominojnë dhe ky është realitet i dhimbshëm. Mashtrimi, demagogjia dhe keqpërdorimet janë bërë pjesë përbërëse e jetës sonë dhe kjo më shqetëson më së tepërmi. Megjithatë jam optimist. Vazhdoj të luftoj me mundësitë dhe potencialin tim intelektual e profesional dhe mundohem të jap kontributin tim, aty ku punoj si mësimdhënës, në shkollën fillore “Abdyl Frashëri” në Prizren.

Nuk pres lëmoshë e as keqardhje nga askush, thjesht dua ta ndiej veten se trajtohem në mënyrë të drejtë dhe të barabartë si qytetar i Republikës së Kosovës.

Qeveria del me sqarim: Nga 100 euro janë ndarë vetëm për rastet e ankesave dhe gabimeve, jo për të gjithë

0

Qeveria e Kosovës ka dalë me sqarim lidhur me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me ndarjen e mjeteve buxhetore në kuadër të masës 3.6 të Pakos për Ringjallje Ekonomike.

Lidhur me këtë, Qeveria ka sqaruar se nuk janë ndarë 100 euro shtesë për zyrtarët publikë, por se 32 mijë euro janë ndarë për rastet e ankesave dhe gabimeve për punëtorët e Ndërmarrjeve Publike për masën 3.6.

“Sqarim në lidhje me keqraportimin se Qeveria ka ndarë 100 euro shtesë për zyrtarët publikë. Në mbledhjen e sotme nuk ka pasur një vendim të tillë. Sot janë ndarë vetëm mjetet shtesë prej 32 mijë euro për rastet e ankesave dhe gabimeve për punëtorët e ndërmarrjeve publike për masën 3.6, e cila ishte ekzekutuar në vitin e kaluar në kuadër të Pakos për Ringjalljen Ekonomike. Ftojmë të gjitha ato medie që të përmirësojnë lajmin e dhënë.”, ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë gjithashtu vendim lidhur me mbështetjen e bizneseve private që rrisin pagat e punëtorëve në shumën prej 100 euro.

Për çdo biznes që rrit pagën e punëtorit prej 100 euro, Qeveria do t’ia subvencionojë 50 përqind të shumës për 3 muajt e parë. /Paparaci.com/ 

 

==================

Qeveria merr vendim: Ndahen 100 euro shtesë për punëtorët e ndërmarrjeve publike me pagë deri në 1000 euro

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për punëtorët e ndërmarrjeve publike në Kosovë që kanë pagë deri në 1000 euro.

Shuma totale e ndarë për këtë është 32,300 euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se masat janë në vazhdimësi ose kanë rezultuar nga procedurat ankimore.

“Siç e theksuar kemi të bëjmë me dy masa që janë në vazhdimësi, pra kemi të bëjmë me pagesa që kanë të bëjnë me vazhdimin ose që kanë rezultuar nga procedurat ankimore. Shuma është 32,300 euro dhe mbahet në kuadër të MFPT.”, tha Murati.

 

Pika 1.4 e këtij vendimi parasheh ndarjen e 100 eurove shtesë në pagat e punonjësve të shtetit.

“Në kuadër të masës 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar, të gjithë punonjësit në ndërmarrjet publike që marrin pagë primare deri në njëmijë (1,000 €) e që kualifikohen për përfitim, mbështeten me shumen e njëhershme prej njëqind euro (100 €)”, thuhet në pikën 1.4 të masës 3.6 të pakos.

E kërkon MIlani

0

Milan vijon “gjuetinë” në kërkim të talenteve për të përforcuar sulmin e tij dhe emri më i fundit që është përfolur se mund të transferohet në “Milanello” është 23-vjeçar belg Ikoma-Loïs Openda.

Ai luan me skuadrën e Lens në League 1 (Francë).

Openda ka realizuar 19 gola në 36 ndeshje të kampionatit këtë sezon dhe është pjesë e kombëtares së Belgjikës.

Një futbollist që konsiderohet një talent, ndërkohë që vlera e kartonit të tij është rreth 25 milionë euro.

Ai ka një kontratë deri në vitin 2027 me Lens.