Quade Green shkëlqeu në javën e 12-të të ProCredit Superligës, duke udhëhequr Golden Eagle Yllin drejt një fitoreje dramatike kundër Bashkimit në Prizren.
Me 30 pikë, 2 kërcime dhe 2 asistime, ai tregoi performancë të jashtëzakonshme, sidomos në momentet vendimtare, duke u shpallur lojtari më i mirë i javës, përcjell PrizrenPress.
Neymari ka folur së fundmi se si e kishin trajtuar fansat e Paris Saint-Germainit atë dhe Lionel Messin sa kishin qenë te ky klub.
“Dy a tre vjetët e fundit nuk ishin të njëjtë, nuk ishte e pabesueshme se si po më trajtonin, njëjtë edhe për Lionel Messin”, ka thënë Neymari për RMC Sport.
“Për mua, ishte e padrejtë, sepse gjithmonë kam dhënë gjithçka në fushë”.
“Nuk mbaj mëri, por isha paksa i pikëlluar për mënyrën se si më trajtuan fansat, posaçërisht kur më erdhën në shtëpi dhe donin të futeshin në shtëpi, të më fyenin, ose të më godisnin”.
Vlerat e urave të Prizrenit janë shpalosur përmes publikimeve të shoqërisë civile, por edhe të autoriteteve komunale.
Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” të hënën ka bërë të ditur se me synimin që të promovojë rëndësinë dhe vlerën e urave të qytetit të vjetër, ka publikuar hulumtimin “Trashëgimia mbi Lumëbardh – Urat e Prizrenit dhe vlerat e tyre”.
Kjo organizatë ka theksuar se roli i urave në jetën e qytetit dhe të shoqërisë ka peshë të veçantë, dhe se në rastin e Prizrenit, përgjatë historisë, ato kanë luajtur një rol të rëndësishëm praktik, ekonomik, kulturor, historik dhe së fundmi turistik.
Publikimi i EC-it ka vënë në pah se si ato “janë ura lidhjeje fizike, emocionale dhe kulturore midis së kaluarës dhe së tashmes”. “Përmes tyre, qyteti jo vetëm që ruan historinë e vet, por edhe përcjell një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e kësaj trashëgimie”, thuhet në njoftim.
Hulumtimi sipas EC-it është realizuar në tri pjesë.
“Në pjesën e parë, janë hulumtuar arkivat, librat dhe dokumentet e ndryshme mbi urat që kanë ekzistuar dhe akoma ekzistojnë në Prizren. Më pas, janë realizuar intervista me ekspertë nga fusha e historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në fund, është realizuar edhe një pyetësor me qytetarët e Prizrenit. Të gjitha këto përpjekje synojnë të sigurojnë një pasqyrë të qartë mbi gjendjen e urave publike dhe rëndësinë e tyre për qytetin e Prizrenit, pasi ato janë më shumë se struktura, respektivisht janë lidhje mes njerëzve, epokave dhe kulturave”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj në rrjetet sociale ka publikuar video imazhet e urave të qytetit të vjetër.
“Urat e Prizrenit janë më shumë sesa struktura arkitektonike – ato janë simbole të bashkimit, historisë dhe bukurisë së qytetit. Duke lidhur brigjet e Lumëbardhit, urat mishërojnë harmoninë mes kulturave dhe kohërave, ndërsa shërbejnë si pika takimi për qytetarët dhe vizitorët. Çdo gur dhe hark i tyre flet për traditën e pasur dhe shpirtin mikpritës të Prizrenit, që krijon një lidhje të përhershme mes së shkuarës dhe të ardhmes”, ka bërë të ditur Totaj.
Në Stacionin Policor në Prizren qytetari me inicialet E.K. ka dorëzuar një portofol të cilën e kishte gjetur në qendër tregtare ”Lorik Center”, në Prizren.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se në portofol kishte dokumente personale, disa kartela dhe para të gatshme në vlerë prej 220 euro, tre dollar amerikan dhe pesë funta angleze.
“Policia nëpërmjet rrugëve operative ka arritur që të identifikoj personin që i kishte humbur portofolin dhe të njëjtit pas verifikimit në bazë të procedurave ligjore i është kthyer.
Duke çmuar këtë gjest human, të devotshëm dhe të ndershëm falënderojmë qytetarin e ndërgjegjshëm, po ashtu falënderojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e vazhdueshëm në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Një person është arrestuar në Suharekë pasi që i njëjti kishte kanosur dhe ofenduar policët.
I dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte kanosur dhe ofenduar zyrtaren policore. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thotë policia në raport.
Avokati Asdren Mekaj është liruar nga të gjitha akuzat që rëndonin mbi të lidhur me veprën penale “detyrim”.
Aktgjykimi lirues është shpallur sot në Gjykatën Themelore në Prizren, dhe Mekaj është shpallur i pafajshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i Mekajt, Besnik Berisha përmes një postimi në Facebook.
Avokati Berisha u shpreh se ka triumfuar drejtësia në këtë rast, që siç tha ai u ndërtua mbi shpifje dhe trillime të pabaza.
“Sot, Gjykata Themelore në Prizren shpalli të lirë nga çdo akuzë klientin tim, avokatin Asdren Mekaj. Pas një procesi të gjatë dhe të mundimshëm, i cili u ndërtua mbi shpifje dhe trillime të orkestruara, e vërteta më në fund doli në shesh dhe drejtësia triumfoi.
Ky vendim konfirmon atë që ne kemi thënë gjatë gjithë kohës: akuzat ndaj Asdrenit ishin krejtësisht të pavërteta dhe të mbështetura në trillime më qëllim përfitimi material”, ka shkruar Berisha.
Ai ka shtuar se “drejtësia vonoi, por nuk harroi”.
“Megjithatë, Asdreni e përballoi këtë sfidë me qetësi dhe dinjitet, duke besuar në fuqinë e së drejtës dhe në ndershmërinë e sistemit të drejtësisë, pjesë e të cilit është edhe nëna e tij”, u shpreh Berisha. /
Një vit pas inicimit të procedurës së prokurimit për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë, Komuna e Prizrenit ka njoftuar se ka nënshkruar kontratën me operatorin fitues.
Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës, organet komunale kanë konfirmuar se ky aktivitet i prokurimit është iniciuar me 15 dhjetor 2023,
Në tenderin e shpallur me 15 dhjetor 2023 thuhej se “do të rregullohet komplet strehimorja, duke përfshirë punimet statike, elektrike dhe të gjitha pozicionet e parapara deri në finalizim të objektit”, dhe se vlera e parashikuar e kontratës ësht 342 mijë euro, me kohëzgjatjen e paraparë me 300 ditë pune.
Data e hapjes së tenderëve ka qenë 10 janar 2024.
Ndërkaq njoftimi për dhënien e kontratës është publikuar me 10 dhjetor 2024, raporton Telegrafi.
Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës theksohet se numri i tenderëve të pranuar ka qenë gjithsejtë pesë dhe se vetëm njëri prej tyre ka qenë i përgjegjshëm. Kësisoj fitues është shpallur “Alboss” ShPK me ofertën në vlerë prej mbi 274 mijë eurove.
Arsyeja për këtë zgjatje ka qenë kontestimi i vendimmarrjes së Zyrës së Prokurimit të Komunës së Prizrenit në Organin Shqyrtues të Prokurimit nga operatorët ankues.
Në vendimin e datës 23 tetor 2024 të OSHP-së thuhet se ankesa e një operatori është hedhur si e palejuar, pasi është vlerësuar se ky operator ankues nuk ka arritur të dëshmojë se ka statusin e palës së interesuar sipas dispozitave ligjore, raporton Telegrafi.
Në të njëjtën kohë është sqaruar se Komuna e Prizrenit këtë aktivitet të prokurimit, duke u bazuar në ankesat tjera si dhe në vendimet e OSHP-së, dy herë e pat kthyer në rivlerësim. Megjithkëtë afër një vit që prej inicimit të prokurimit, organet komunale kanë arritur që ta nënshkruajnë kontratën për realizimin e këtij projekti. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1456 gjoba në trafik.
Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 18 aksidente kanë qenë me lëndime dhe 26 me dëme materiale.
Gjatë kësaj periudhe, policia njofton se janë arrestuar 8 persona, ndërkaq 6 të tjerë janë dërguar në mbajtje.
Flora Mulaj, një mësuese e përkushtuar nga Hasi, ka kaluar 37 vite duke edukuar fëmijët e ciklit të ulët në një fshat të zonës.
Me një dashuri të veçantë për profesionin e saj, Flora është shumë e lidhur me nxënësit dhe çdo vit të ri shkollor lutet që asnjë prej tyre të mos ketë prindër të ndarë.
Për të, një familje e bashkuar është çelësi për fëmijë të lumtur.
Por, përtej klasës, jeta e Florës merr një kthesë krejt tjetër pasditeve, kur ajo kujdeset për 1000 pula në fermën e saj.
Kjo punë, sipas saj, është një detyrë që e përmbush dhe e lidh me natyrën. Dashurinë për kafshët, Flora thotë se ia ka mësuar njerka e saj, Nëna Loke, një figurë që ka lënë gjurmë të thella në jetën e saj.
“Njerka ime më mësoi të dua kafshët. Ajo më thoshte: ‘A je e zonja t’i japësh bukë dhe t’i përgjigjesh asaj që s’ka gojë?’ Babai im ishte i martuar me dy gra, pasi Nëna Loke nuk mund të kishte fëmijë. Por ne jetonim të gjithë bashkë, si një familje e bashkuar, edhe pas vdekjes së babait tim,” tregon Flora.
Nëna Loke, e cila ishte gruaja e parë e babait të Florës, luajti një rol të rëndësishëm në edukimin e saj.
“Ajo ishte nëna ime e dytë, një njeri i veçantë që na mësoi për çdo gjë. Ishte ajo që bashkoi familjen tonë dhe vendosi rregullat në shtëpi. Kam mall për të, sepse ajo na mësoi të jetonim me dashuri dhe respekt,” shton Flora.
Kjo dashuri dhe përkushtim për jetën janë vlera që Flora i ka transmetuar edhe tek nipi i saj, duke ndjekur shembullin e Nënës Loke dhe të nënës së saj. Për Florën, jeta është një kombinim i edukimit, dashurisë për familjen dhe kujdesit për natyrën – një trashëgimi e çmuar që e mban gjallë në çdo hap të saj.
Pika turistike e Prevallës është mbipopulluar me vizitorë të shumtë, që vikendeve dëshirojnë të kalojnë kohën në një ambient dimëror. Reshjet e borës kanë bërë që kjo pikë turistike të jetë destinacion i preferuar i shumë vizitorëve jo vetëm nga Kosova po edhe vendet e rajonit.
Turistë të shumtë kanë mbipopulluar Prevallën në këto ditë karakteristike të stinës së dimrit. Vizitorë nga Kosova Shqipëria Maqedonia e Veriut e Lugina e Preshevës e kanë destinacion kryesor këtë pikë turistike të Prizrenit.
Për banorët e zonës që e ushtrojnë biznesin e tyre me pajisje kreative për skijim, thonë se këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar sezoni turistik nisi më herët, pasi bora është ajo që i josh vizitorët sidomos ata nga Shqipëria.
Një ndër sfidat e përsëritshme në Prevallë ngelet ngjitja e automjeteve me gomat e papërshtatshme, që pengojnë qarkullimin normal të vizitorëve të shumtë në këtë pikë turistike.