12.8 C
Prizren
E martë, 30 Prill, 2024

Diplomacia e Kosovës, e papërgatitur për ballafaqimin ndërkombëtar

Me gjithë premtimet dhe pritjet e mëdha, Kosova nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme, të hënën, në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s, për t’u bërë pjesë e kësaj agjencie të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Për anëtarësimin e Kosovës kanë qenë të nevojshme 95 vota por ajo mori vetëm 92 vota për, derisa 50 ishin kundër dhe 29 abstenime.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të përfshirë në lobim, të cilët kohë të gjatë para votimit rrihnin gjoks se i kanë siguruar votat përballë fushatës së “egër” të Serbisë, kanë refuzuar të marrin përgjegjësinë për dështimin, vlerësojnë analistët dhe njohësit e çështjeve politike, historike dhe sociologjike.

Sipas tyre, qeveritarët tanë janë ngushëlluar me faktin se Kosova ishte shumë afër pranimit, dhe se do të provojnë sërish anëtarësimin në UENSCO, ani se për t’iu dhënë sërish një rast i tillë Kosovës duhet pritur deri në vitin 2017, ngase Asambleja e Përgjithshme e kësaj agjencie të OKB-së, mblidhet një herë në dy vite.

Për të ju dhënë sërish një rast i tillë Kosovës për pranim në UNESCO duhet pritur deri në vitin 2017, ngase Asambleja e Përgjithshme e kësaj agjencie të OKB-së, mblidhet një herë në dy vite.

Analistët vlerësojnë se as nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim dhe as pranimi në UNESCO, po të ndodhte, nuk e ndërron imazhin e Kosovës që kanë ndërtuar qeveritë e deritashme, institucionet e brishta dhe nëntoka e Kosovës. Andaj ky dështim, që nuk dihet e as që do të dihet se sa i ka kushtuar buxhetit të Kosovës në emër të lotimit, duhet të jetë mësim se si në të ardhmen duhet vepruar lidershipi i Kosovës, i cili lobimin po e shesh “me shëtitje” nëpër botë dhe jo me ndryshim pozitiv të imazhit brenda Kosovës.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili është historian, në një opinion të tij thekson se votimi në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, në rend të parë tregoi se edhe përkundër bisedimeve të Brukselit me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, nuk ka ndodh asnjë normalizim. Pasi Serbia vazhdon të jetë shumë e angazhuar armiqësisht ndaj çdo përpjekje te Kosovës për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë.

“Ani pse që katër e më shumë vite, kryeministra e ministra të Kosovës e kishin plotë gojën, për ‘njohjen de facto të Kosovës nga Serbia’, thënie kjo e përsëritur shumë herë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës; se ‘marrëveshjet e arritura në Bruksel po qonin drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë’ dhe se ‘Serbia do të obligohej që mos ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, asnjërën nga këto që u thanë e u stërthanë nuk i pamë!”, nënvizon Krasniqi.

Rezultatin e votimit historiani Krasniqi e shesh edhe si humbje të kredibilitetin të lidershjipit të Kosovës jo vetëm te qytetarët e vendit me mbi 80% (hulumtimi i fundit i bërë nga dy trupa ndërkombëtar në Kosovë e tregoi ketë), por e edhe te miqtë e Kosovës, të cilët jo vetëm që nuk abstenuan, por votuan edhe kundër.

“Votimi i sotëm tregoi edhe një anë tjetër të politikës e të diplomacisë sonë, pasi edhe shumë vende që e kanë njohur Kosovën, votën e tyre e hodhën kundër anëtarësimit në UNESCO. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se kjo qeveri, jo vetëm që e ka humbur kredibilitetin te qytetarët e vendit me mbi 80% (hulumtimi i fundit i bërë nga dy trupa ndërkombëtar në Kosovë e tregoi ketë), por e ka humbur kredibilitetitin edhe të miqtë e saj, të cilët jo vetëm që nuk abstenuan, por votuan edhe kundër”, nënvizon Krasniqi.

Haki Abazi, analist politik, thotë se nuk ndihet aspak i befasuar me vendimin e djeshëm. Ai deklaron për KosovaLive se politika e jashtme dhe arritjet e saj janë asgjë më shumë se sa reflektim i politikave të brendshme, gjendjes, shëndetit të demokracisë dhe sistemit funksional. Sipas tij, Kosova është e pashëndetshme nga brenda.

“Harxhimi i energjisë dhe resurseve për anëtarësim në UNESCO ka qenë jo racional, ballafaqim në betejë pa asnjë logjikë dhe tentim i hyrjes nëpër deriçka. Kjo është mendësia e Hashim Thaçit dhe njerëzve të subordinuar nga logjika e mbrapsht dhe pa asnjë analizë.

Gjithçka është e bërë dhe po bëhet për poena politik e jo për përmbajtje dhe si veprim i kalkuluar dhe elaboruar prej pozitës së një politike të mirëfilltë të jashtme. Ky është rezultati i dialogut të Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Edita Tahirit, Enver Hoxhajt, Hajredin Kuçit…. Ju them ‘festoni’ për frutin e asaj që keni mbjellë dhe keni shpenzuar qe sa vite”, thotë Abazi.

Sipas tij, kryeministri aktual, Isa Mustafa, duhet të analizoj se çfarë në fakt ka bërë duke ia zgjatur jetën një politike të mbrapsht dhe një klani që është përcaktuar për ta sunduar vendin pa zgjedhur mjetet.

“Nuk ka sukses me një ministër të Punëve të Jashtme që më vështirësi formulon fjalitë në gjuhën shqipe, me një presidente që mendon se rëndësia e saj rritet duke marrë pjesë në ngjarje ndërkombëtare dhe duke u paraqitur në media ndërkombëtare për të folur për eksportim të terrorizimit pa analizuar kontekstin social, ekonomik dhe politik”, vlerëson Abazi.

Ai shton se fushata për UNESCO nuk e ndërron imazhin e Kosovës që kanë ndërtuar institucionet dhe nëntoka e Kosovës për terrorizmin për “helmimin e rezervuarit të Prishtinës”, për 300 luftëtarët në Siri duke injoruar 100 mijë të rinj që kanë ikur nga Kosova vetëm për më pak se një vit.

“Mbrojtja dhe prezervimi i vlerave të përbashkëta historike të Kosovës dhe Ballkanit nuk janë çështje të anëtarësimit në UNESCO, janë çështje të kulturës dhe vullnetit politik që mungon që prej se ka ardhur Hashimi me ’co pronto’ në pushtet dhe injorantëve mediokër të tjerë në rajon.

Ky nuk është i vetmi dështim, dështimet janë brenda vendit të përditshme. Këto janë simptomë e një sistemi të sëmurë rëndë që po e vret të ardhmen dhe ëndrrën e banorëve të Kosovës për shtet normal e funksional, për çdo ditë”, thekson Abazi.

Profesori i sociologjisë, Fadil Maloku, ka një mendim tjetër, duke qenë i prir që votimin ta lidh më shumë me faktorë të jashtëm, me kundërshtim e barrikadim, jo vetëm politik, por, edhe civilizues midis superfuqive globale.

Në një prononcim për KosovaLive ai thotë se nëse vlerësimi i aleatëve tanë sidomos në procesin e vendimmarrjeve të ardhshme vlerësohet se është domosdoshmëri kjo me siguri se do të ndodhë.

Maloku thekson se nuk sheh asnjë arsye duke njohur konformizmin dhe lojalitetin e padiskutueshëm të qeveritarëve kosovarë që bisedimet të ndalen në të ardhmen.

“Lobimi dhe të gjitha bisedimet e gjertanishme kujtojë unë edhe ashtu siç e dimë të gjithë janë zhvilluar midis aleatëve tanë bile edhe agjendat ishin që të gjitha të tyre dhe kundërshtarëve të Projektit të Pavarësisë. Ndërkaq, ‘loja e bisedimeve’ duke inkuadruar këtu qeveritarët tanë në fakt ishte vetëm improvizimi i bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës!

Pra, nëse vlerësimi i aleatëve tanë sidomos në procesin e vendimmarrjeve të ardhshme vlerësohet se është domosdoshmëri kjo do të ndodhë me siguri. Dhe s’shoh asnjë arsye duke njohur konformizmin dhe lojalitetin e padiskutueshëm të qeveritarëve kosovarë që bisedimet të ndalen në të ardhmen. Krejt, procesin e negocimit midis akterëve global dhe normalisht rajonal, unë e shoh si pretekst për tu krijuar një klimë e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë rrugëtim do ketë normalisht gjithfarë sfidash”, vlerëson ai.

Maloku thotë se votimin pro et contra anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duhet shikuar edhe si kundërshtim e barrikadim, jo vetëm politik, por, edhe si civilizues midis superfuqive globale.

Ai thekson se vota kundër, nëse logjikohet me “dioptrinë” e globalizmit ishte votë antiamerikane ose antiperëndimore, pasi siç thotë shihej qartë se në ç’masë është evident konsolidimi ushtarak i Rusisë, fuqizimi civilizues i Kinës dhe i averzioni i çuditshëm arab, por jo edhe islam, sepse pati vende që votuan pro, ndaj civilizimit dhe vlerave perëndimore.

“Në këtë votim kundër hetuam pak a shumë edhe raportin e forcave globale, si edhe masën e poltronizimit të vendeve nga orbitat rajonale të Lindjes së Mesme dhe asaj të Largët, që në gjuhën sociologjike njihen si ‘perëndimi dhe periferia’. Gjithashtu, duhet kuptuar, se vota kundër, në fakt është edhe një pasqyrëz mbi realitetin aktual të rendit të ri botërorë, si edhe raportin e forcave globale.

Fajet e votës kundër, s’e kanë adresën brenda Kosovës, edhe për faktin se akterët lokal aktual lobues, ishin vetëm ‘postierë’ të një projekti më të gjerë ndërkombëtar për ushtrimin e asaj që në përvojën e marrëdhënieve ndërkombëtare njihet si teori dhe praktikë e ‘zgjerimit të ndikimit’ në botë!

Vota kundër ishte edhe një testim për ta provuar ‘epërsinë e qendrës (Amerikës dhe aleatëve) ndaj periferisë” (Rusisë, Kinës, Arabisë por, u pa qartë se ka zhvendosje të interesave globale”, thekson Maloku. /KosovaLive

Më Shumë

Kryeministri Kurti për Asociacionin: Është larg asaj që ka kërkuar Beogradi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe me ç’rast ka thënë se gjithçka duhet të jetë në...

Voziti dyfish më shpejtë se sa e kishte të lejuar, gjobitet shoferi me 500 euro, 5 pikë negative dhe ndalim ngasje për 6 muaj

  Është gjobitur një shofer me 500 euro, pesë pikë negative dhe gjashtë muaj ndalim drejtimi të mjetit, për arsye se në zonën ku kufizimi...

Lajmet e Fundit