Home Blog Page 7024

Nijazi Kryeziu: Nuk është në krizë koalicioni i PDK-së në Prizren

0

Drejtori i Urbanizmit njëherësh sekretar i Degës së PDK-së në Prizren, Nijazi Kryeziu ka thënë se subjekti i tij politik është i interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me NDS-in, por jo në dëm të procedurave ligjore.

“PDK është e përkushtuar që që partneriteti me anëtarët e koalicionit ai çfarë është i parimeve bazë të dokumenteve që i kemi nënshkruar “, ka thënë Kryeziu.

“Ne mendojmë se nuk ka krizë”, ka thënë Kryeziu.

Mosmarrëveshjet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës në Prizren, përkatësisht PDK-së dhe NDS-it, dje janë bartur edhe në Kuvendin Komunal.

Përfaqësuesit e NDS-it kanë bërë të ditur se grupi i tyre i këshilltarëve do të bojkotojë punimet e KK-së, në shenjë pakënaqësie me trajtimin nga partnerët e koalicionit.

Malisheva nuk tërhiqet nga deklarata kundër AKS-së

0

Kuvendi i Komunës së Malishevës, i drejtuar nga kryesuesi i saj, Aziz Thaçi, ka mbajtur sot mbledhjen e katërt të jashtë radhës, ku në rend dite kishte dy pika. Njëra nga pikat ishte edhe rishqyrtimi sipas kërkesës së MAPL-së, lidhur me deklaratën e miratuar me 29 shtator të këtij viti, kundër formimit të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë. Anëtarët e KK të Malishevës, nuk kanë votuar fare, për apo kundër kërkesës së MAPL-së dhe ministrit të kësaj ministrie, por e kanë mbështetur fuqishëm deklaratën e miratuar një muaj më parë.

Bazuar në deklarimet e anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, përkatësisht të anëtarëve të subjekteve NISMA, VV dhe AAK, u tha se “e mbështesim fuqishëm deklaratën e miratuar me 29 shtator 2015, kundër formimit të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë dhe e rikonfirmojmë edhe njëherë vendimin për deklaratën kundër këtij asociacioni”. (Diskutimin në këtë pikë, e kanë bojkotuar anëtarët e kuvendit nga subjektet e LDK-së dhe PDK-së-gjithsejtë 13 anëtar).

Një pikë tjetër e rendit të ditës në mbledhjen e sotme, ishte renditja e anëtarëve të kuvendit, pas ridizajnimit të sallës së mbledhjeve të Kuvendit të Komunës, ku anëtarët e saj, votuan për inicimin e procedurës për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores së punës së kuvendit, në të cilën do të rregullohet edhe çështja e ulëseve, përkatësisht renditjes në kuvend, të anëtarëve të subjekteve politike. Për ndryshimin dhe plotësimin e kësaj rregullore, KK i Malishevës, formoi edhe komisionin që do të merret me këtë ndryshim të rregullores.

Limaj: Prokuroria i zbatoi urdhrat politikë

0

Ish-ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, ka folur për media pas përfundimit të seancës së Gjykimit, e cila ka nisur nga mëngjesi i ditës së sotme. Limaj krejt këtë proces e ka quajtur me prapavijë politike dhe, sipas tij, këtë do ta dëshmojë me kohë.

“Ju do të shihni që me urdhër politik prokuroria i ka hapur hetimet ndaj meje, me urdhër politik ka bërë ndjekje. Ne i kemi faktet dhe do ta vërtetojmë që kanë qenë urdhra politikë”, ka thënë Limaj.

Ai ka thënë se prokuroria ka abuzuar me ligjin duke zbatuar urdhrat politikë.

“Se kush dha urdhrat politike do ti shihni ne sallën e gjyqit, ne i kemi faktet, dokumentet që e dëshmojnë”, ka thënë ai. /Gazeta Fjala

Avokatët: Aktakuza ndaj Limajt dhe të tjerëve nuk është legjitime

Avokatët mbrojtës në rastin MTPT, kanë deklaruar se kjo aktakuzë nuk është e ligjshme për shkak se përmban termin aktakuzë e konsoliduargjë që nuk e njeh ligji një term të tillë.
Sipas tyre, ligji e njeh termin aktakuzë e zgjeruar apo e ndryshuar dhe kanë thënë se nuk e dinë se cka do të thotë me termin aktakuzë e konsoliduar.

Avokatët kanë shprehur shqetësimin e tyre se si do të vazhdojë ky rast nëse nuk përmirësohet.

Ndërkohë, trupi gjykues ka shkuar në një pauzë për t’u konsoliduar se si do të veprojnë në vazhdim.

Seanca për harmonizimin e datave të gjykimit në rastin e MTPT-së, ku po akuzohet Fatmir Limaj dhe të akuzuarve të tjerë, ka filluar me njoftimin e përfaqësuesve të palës mbrojtëse dhe trupit gjykues.

Këtë të fundit kanë ndryshuar dhe kjo ka bërë që të reagojnë avokatët, duke e quajtur si shkelje esenciale të procedurave gjyqësore.

Fatmir Limaj po përfaqësohet nga avokatët Tahir Recaj dhe Tomë Gashi, e Endrit Shala-me dy avokatët Arianit Koci dhe Granit Vokshi, Nexhat Krasniqi me avokatin Bujar Mavraj, Florent Zuka me dy avokatët Blerim Prestreshi dhe Hekuran Haxhimusa, si dhe Shpetim Kelaku me avokatin Sevdali Zejnullahu.

Kurse, kryetar i trupit gjykues është Maria Tuma, me anëtarët e tjerë Jeniifer Fill dhe Isuf Makolli, dhe stafi mbështetës.

Avokatët mbrojtës në përgjithësi kanë thënë se gjyqtarët dhe trupi gjykues nuk është i njëjtë në raport me seancat e kaluara dhe që sipas tyre paraqet shkelje esenciale.

Maria Tuma ka thënë se për shkak se gjyqtarja e trupit gjykues të seancave të kaluar Anna Adamsa tani ka një pozitë tjetër është dashur të zëvendësohet me një anëtar të ri të trupit gjykues.

Limaj kërkon të lejohen mediat në sallë: Dua të tregoj çfarë ndodhi këto vite

Fatmir Limaj, i akuzuar në MTPT 2, ka kërkuar nga trupi gjykues që të lejohen mediat gjatë seancës gjyqësore të tij dhe tre të akuzuarve tjerë.
“Të lejohen mediat, sepse ka interes publiku të dëgjojë se çfarë ka ndodhur në 6 vitet e kaluara në këtë rast, sepse këtu nuk ka asgjë për të fshehur”, ka thënë Limaj.

Seanca ndaj Fatmir Limaj dhe tre te pandehurve tjerë Nexhat Krasiniqi, Florim Zuka dhe Shpetim Telaku është duke u mbajtur në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë.

Limaj arrin në gjykatë

Ish-ministri i Transportit iu ka përgjigjur ftesës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku ka filluar seanca përharmonizimin e datave të gjykimit në rastin e MTPT-së.
KosovaPress ka kontaktuar mëngjesin e sotëm me avokatin Tomë Gashi, i cili është në mbrojtje të Fatmir Limajt. Gashi tha se “sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nuk do të ketë seancë gjyqësore nga Fatmir Limajt dhe të tjerëve në rastin e akuzimit të tyre për të ashtuquajturin ‘rasti i MTPT’. Sot do të ketë vetëm seancë për harmonizimin e datave të gjykimit në mes të prokurorit, avokatëve dhe të akuzuarve”.
Limaj dhe 4 bashkëpunëtorët e tij akuzohen për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës, marrje ryshfeti e keqpërdorim të autorizimeve.
Aktakuzat për Fatmir Limajn ish-ministër i Transportit, Fatmir Limaj, këshilltari i tij, Endrit Shala, shefi i prokurorimit, Nexhat Krasniqi, biznesmeni Florim Zuka dhe truproja e Limajt, Shpëtim Telaku u konsolidua në shtator të këtij viti./KosovaPress/

Millaku: Tash e ka radhën triumfi me Nexhat  Çoçajn

0

Kuvendarja e  Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku shprehet e bindur se do të triumfojë edhe në gjykimin  me drejtorin e Arsimit në Prizren, Nexhat  Çoçaj.

 “Tash po e pres edhe një triumf edhe me Nexhat Çoçaj”, thotë Millaku.

Drejtori i Shërbimeve Publike komunale, Hasan Hasani, ditë më parë  i ka kërkuar falje publike këshilltares së Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në Gjykatën Themelore në Prizren. Pas kërkimfaljes është mbyllur edhe gjykimi për padinë që kishte bërë Millaku.

Ndërkaq, kuvendarja Millaku do të përballet edhe me një gjykim tjetër me drejtorin  e Arsimit, Nexhat  Çoçaj, i cili ka ngritur padi për një fjalim të saj në Kuvend.

“Do t’i tregoj drejtorëve të kësaj qeverie se nuk do të kaloni qysh kanë kaluar në të kaluarën heshturazi”, shprehet ajo. /PrizrenPress.com/

Letërsia në transit 21 shkrimtarë rrëfejnë ekzilin..

0

Nis edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Deti i Bardhë”

“Letërsia në transit” është motoja që do të bëjë bashkë në Tiranë shkrimtarë të ndryshëm, në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Deti i bardhë” që hap siparin sot deri më 31 tetor. Ceremonia e hapjes do të jetë sot, në orën 18.00, në Teatrin Kombëtar, për të vijuar më pas me një diskutim mbi temën e këtij edicioni. Festivali është konceptuar në formën e një përballje mes dy shkrimtarëve, që do të tregojnë eksperiencat e tyre jo vetëm për artin në tranzicion, por dhe letërsinë që bëjnë. Shkrimtarja Terezia Mora do të jetë përballë shkrimtarit Vladimir Arsenijeviç, Ornela Vorpsi përballë Klemens Renolder, Ilir Ferra do të jetë në një bashkëbisedim me Arben Dedjan, Kim Mehmeti përballë Andrei Nikolaidis, Artë Arifi përballë Lukas Barfuss, Carlos C. Serna përballë Ahmet Dursun, Ben Blushi përballë Carmine Abate. “21 autorë tregojnë rrugëtimin e tyre letrar dhe reflektojnë me njëri-tjetrin mbi letërsinë dhe artin bashkëkohor në tranzicion, si atë politik e shoqëror, ashtu edhe në procesin e tyre letrar përmes gjuhës. Një pjesë e shkrimtarëve të ftuar shkruajnë në gjuhën e vendeve pritëse. Shembujt e autorëve shqiptarë që shkruajnë në gjuhët e vendeve ku jetojnë do t’i ndjekim në diskutimet nga afër me: Ilir Ferra, Arben Dedja, Ornela Vorpsi”, tha dje gjatë konferencës për shtyp, drejtoresha e festivalit Jonila Godole.

Për herë të parë në këtë event prezantohet shkrimtari shqiptar që jeton në Zvicër, Ilir Ferra, i cili ka pasur disa botime në gjuhën gjermane dhe nuk është përkthyer ende në shqip. I së njëjtës staturë është dhe shkrimtarja Ornela Vorpsi, e cila ende nuk është përballur me lexuesin e vendit të saj. Festivali është pasuruar këtë vit me disa aktivitete shtesë përveç leximeve dhe diskutimeve me autorët, si “Tirana lexon”, e konceptuar si maratonë leximi më datën 29 tetor; Geg Poetry, një takim shkrimtarësh që shkruajnë dhe krijojnë në dialektin geg, takimi për Stefan Zweig dhe veprën e tij në shqip, apo workshop-in kreativ “Across the Borders” me artistët e rinj nga rajoni, nën drejtimin e poetes Luljeta Lleshanaku.

“Ky festival është në vijim të politikave të Ministrisë së Kulturës, duke e vlerësuar librin jo thjesht si mall, por duke i dhënë një rëndësi të veçantë kulturës së leximit. Si institucion politikëbërës interesi dhe prioriteti ynë është lexuesi. Libri që konsumohet mes përkthyesit, autorit, shtëpisë botuese është i destinuar të vdesë”, u shpreh ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, dje gjatë prezantimit të festivalit. Sipas saj, pas hapjes së fondit për përkthimin, “vitin e ardhshëm do të hapim edhe fondin për bibliotekat”.

“Do të vazhdojmë të mbështesim festivale të letërsisë dhe projektet e skenës së pavarur. Ministria e Kulturës do të zgjerojë në vitin e ardhshëm dhe përfaqësimet në panaire të rëndësishme të librit, ku përveç Lajpcigut, hartës së pjesëmarrjes do t’i shtohet edhe Frankfurti dhe Torino. Sivjet “Tirana lexon”, por nëse bashkojmë forcat të gjithë, vitin tjetër do të mund të themi, “Shqipëria lexon”, tha Kumbaro.

Kim Mehmeti në një rrëfim përballë Andrei Nikolaidis

0

Shkrimtari do flasë dhe për romanin e ri “Shpërngulja e të vdekurve”

Shkrimtari dhe analisti i njohur, Kim Mehmeti, do të jetë më 30 tetor, ora 17.00 në një diskutim përballë shkrimtarit dhe publicistit të njohur nga Mali i Zi, Andrei Nikolaidis, në sallën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Një bashkëbisedim që pritet të jetë interesant nga profili që mbajnë dy autorët, që janë dy zëra të rëndësishëm për sa u përket zhvillimeve politike dhe kulturore në rajonin e Ballkanit.

Nikolaidis, përveçse romancier, ka pasur poste si këshilltar i presidentit të Parlamentit të Malit të Zi. I lindur në Bosnjë, ai ka qenë tepër i ndjeshëm ndaj zhvillimeve në vendin e origjinës, duke bërë një sërë artikujsh për këtë çështje. Fitues i çmimit europian për letërsinë në vitin 2011, ai është dhe një ndër autorët më të lexuar të brezit të tij. Kim Mehmeti është një autoritet në fushën e mendimit në hapësirën shqiptare. Në këtë bisedë, ai do të flasë dhe për romanin e tij të ri, “Shpërngulja e të vdekurve”, botuar nga shtëpia botuese “Saras”.

Një roman i shkruar me stilin e një autori që e njeh mirë gjuhën e letrave, por që mbart brenda jo vetëm një rrugëtim personal por dhe historik. Romani i Mehmetit nuk është vetëm një sprovë e mrekullueshme letrare, por dhe një sprovë e thellë mbi identitetin tonë, për të cilin flasim kaq shumë këto kohë.

S’ka vendim për arrestimin e Kurtit e Haxhiut

0

Prokuroria Themelore në Prishtinë akoma nuk ka bërë kërkesë për lëshimin e urdhërarrestit ndaj deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti e Albulena Haxhiu, pavarësisht se ka kaluar dy ditë afati kur ata duhej të paraqiteshin në Gjykatë për t’u marrë në pyetje nga prokurorja e rastit.
Dy deputetët dyshohen për hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës veprim i cili sipas Prokurorisë është i kundërligjshëm.

I kontaktuar nga gazeta, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ymer Beka, ka konfirmuar se janë plotësuar kushtet për një kërkesë të tillë, por nuk e ka justifikuar kohën e shtyrjes së këtij vendimi. “Në këtë lëndë janë plotësuar kushtet që të kërkohet lëshimi i urdhërarrestit, por e tërë lënda do të shqyrtohet nga prokurorja e rastit e cila edhe do të marrë vendim nëse do të kërkojë arrestimin e tyre apo jo”, ka thënë kryeprokurori Beka.

E kontaktuar nga “Zëri”, deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se ende nuk ka pranuar ftesë për t’u paraqitur në Prokurori.

Por edhe sikur ta kishte një ftesë të tillë, ajo është zotuar se nuk do të paraqitet. Sa i përket rastit të dytë ku të dyshuar janë dy deputetë të tjerë, Faton Topalli nga “Vetëvendosja” dhe Donika Kada Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryeprokurori Beka ka thënë se ende nuk ka skaduar data deri në të cilën është paraparë paraqitja vullnetare e të dyshuarve. /Zëri/

A ishin Osmani,Veliu, Hoxhaj e Buja, ministrat e krimit në MASHT?

0

Ish-krerët e MASHT-it të japin llogari për abuzimet shumëmilionëshe

Ish-ministrat, që e udhëhoqën MASHT-in, nga Qeveria e parë në vitin 2003, u fokusuan vetëm në zhvatjen, vjedhjen dhe keqpërdorimin e qindra miliona eurove përmes dhënies puro korruptive të licencave për tekste shkollore vetëm dy shoqërive oligarkike të lidhura me ministrat e MASHT-it dhe më vonë nga viti 2008 edhe blerjen e këtyre teksteve me paratë e buxhetit të shtetit te këta dy oligarkët e licencuar nga vetë ministri i radhës i MASHT-it, duke u furnizuar pa tender publik, por vetëm njëburimor, ndonëse vlera e çdo tenderi vjetor kapte shifrën 8 deri në 9.000.000,00 euro, të cilat tekste ishin ndarë falas të gjithë nxënësve të klasave I – IX. Nga dokumentacioni shihet se tekstet janë blerë nga këto shoqëri oligarkike monopoliste të afërta me ministrat e MASHTI-it, në mënyrë të kundërligjshme, me çmime të fryra, pastaj gjithashtu kanë ndërtuar shkolla me çmime marramendëse të fryra, duke bërë kontrata me shoqëritë e afërta me partitë dhe qeveritarët dhe kështu në vijimësi shumëvjeçare kanë degraduar arsimin në Republikën e Kosovës

Me t’u çliruar nga Serbia të gjithë ishin të mendimit se tani në Kosovë jeta do të frymojë më lirë dhe se të gjithë bashkërisht do të japim çdo gjë që ta ndërtojmë vendin tonë. Dhe për të ecur përpara fillimisht duhej forcuar sistemi i arsimit, që konsiderohet themel i çdo shteti. Por, në Kosovë ndodhi e kundërta, lakmia për pushtet, që nënkupton lakmine dhe babezine për para, zhvatjet me dhe pa tenderë, bëri të veten dhe çdo ministër që e udhëhoqi Ministrinë e Arsimit la pas vete shumë probleme, korrupsion e degradim total. Duhet thënë, në fakt, se MASHT-i asnjëherë nuk ka pasur ndonjë ministër të denjë që ia do të mirën arsimit, këtu duke përjashtuar ministrin aktual Arsim Bajrami, i cili po bën disa përpjekje në ngritje të cilësisë, ndonëse opozita thotë se nuk po shihet ndonjë ndryshim. Është fakt që duhet të merret Prokuroria e Shtetit, sepse shumë ministra në periudhën e pasluftës, që e udhëhoqën MASHT-in, u fokusuan vetëm në zhvatjen, vjedhjen dhe keqpërdorimin e qindra miliona eurove përmes gjoja dhënies së teksteve shkollore falas për nxënësit, duke blerë libra nga kompania oligarkike monopoliste me çmime marramendëse, pastaj duke ndërtuar shkolla me çmime po ashtu marramendëse dhe duke e degraduar arsimin në atë shkallë saqë është i pariparueshëm. Në këtë katrahurë duhet të japin llogari ish- ministrat që e kanë krijuar këtë situatë, duke nisur nga Rexhep Osmani, Agim Veliu, Enver Hoxhaj e Ramë Buja…/Kosova Sot/

Pazare me Specialen

0

Analisti politik Faik Krasniqi tha se Gjykata Speciale nuk do ta pastrojë skenën politike nga këta kriminelë e mafiozë të politikës dhe të parapolitikës, të cilët janë shndërruar në kancerin e shtetit dhe gjithë shoqërisë, pasi po bëhen pazare serioze për të shpëtuar lëkura e të mëdhenjve

Mënyra shumë e lehtë, se si u pranua Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nga zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës, nga analistët politikë, ekspertë të sundimit të ligjit dhe përfaqësues të opozitës, po shihet me dyshim të madh. Ata shprehen se ky mund jetë një pazar i madh për Gjykatën Speciale, për të shpëtuar zyrtarë të lartë të shtetit.

“Kam mendim se pikërisht ajo është. Nga marrëveshja e Asociacionit dhe e Demarkacionit del se Kosova e humb funksionalitetin si shtet. Në njërën anë i janë dhënë 10 hektarë tokë Malit të Zi, ndërsa në anën tjetër Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë është një autonomi e gjerë për minoritetin serb. Në raportin e gazetës “Die Velt” të Republikës Federale gjermane shkruhet: “Asociacioni në Kosovë po e krijon një autonomi të gjerë, me elemente të shtetit, ku Kosova po shndërrohet në Bosnje e Hercegovinë”, thotë prof. Muhamet Kelmendi.

Sipas tij, ky fakt tregon se Asociacioni në Kosovë ka kompetenca juridike, kushtetuese, administrative, gjyqësore, të rendit dhe sigurisë, përkatësisht kompetencat e shtetit. “Unë mendoj se e gjithë kjo është e përgatitur nga Thaçi. Ai këtë e vërtetoi edhe mbrëmë, kur me paturpësi e mbrojti kapjen e pushtetit dhe faktin se ai dhe vetëm ai është shkatërrimtari i vendit”, tha prof. Kelmendi…/kosova sot/

Jahjaga s’e zmbraps opozitën

0

Vendimi i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, nuk ia ka ndërruar mendjen partive opozitare për ta zhbllokuar Kuvendin.

Opozitarët thonë se do të vazhdojnë me protestën brenda Kuvendit, pasi që, siç thonë ata, nuk kanë shpresa nga Kushtetuesja, e cila, sipas tyre, më herët kishte refuzuar ta shqyrtojë Marrëveshjen e 19 prillit, marrëveshje kjo nga e cila buron edhe marrëveshja për Asociacionin.

Madje, sipas përfaqësuesve opozitarë, vendimin për t’iu drejtuar Kushtetueses, Jahjaga e ka marrë për shkak të presionit.

E parja e shtetit gjatë takimit që ka pasur së fundi me liderët partiakë veç e veç, ua ka propozuar idenë që t’i drejtohet Kushtetueses, gjë e cila, sipas saj, është përshëndetur nga palët. “Në takimet e ndara që i kam pasur edhe me kryeministrin e vendit dhe zëvendëskryeministrin, edhe me liderët e opozitës, kam propozuar që në kuadër të kompetencave kushtetuese t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar përputhshmërinë e parimeve të Asociacionit të Komunave Serbe me Kushtetutën e Kosovës”, ka njoftuar Jahjaga të mërkurën pas takimit që ka pasur me presidentin austriak…/zeri/