19.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

S’ka vendim për arrestimin e Kurtit e Haxhiut

Prokuroria Themelore në Prishtinë akoma nuk ka bërë kërkesë për lëshimin e urdhërarrestit ndaj deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti e Albulena Haxhiu, pavarësisht se ka kaluar dy ditë afati kur ata duhej të paraqiteshin në Gjykatë për t’u marrë në pyetje nga prokurorja e rastit.
Dy deputetët dyshohen për hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës veprim i cili sipas Prokurorisë është i kundërligjshëm.

I kontaktuar nga gazeta, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ymer Beka, ka konfirmuar se janë plotësuar kushtet për një kërkesë të tillë, por nuk e ka justifikuar kohën e shtyrjes së këtij vendimi. “Në këtë lëndë janë plotësuar kushtet që të kërkohet lëshimi i urdhërarrestit, por e tërë lënda do të shqyrtohet nga prokurorja e rastit e cila edhe do të marrë vendim nëse do të kërkojë arrestimin e tyre apo jo”, ka thënë kryeprokurori Beka.

E kontaktuar nga “Zëri”, deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se ende nuk ka pranuar ftesë për t’u paraqitur në Prokurori.

Por edhe sikur ta kishte një ftesë të tillë, ajo është zotuar se nuk do të paraqitet. Sa i përket rastit të dytë ku të dyshuar janë dy deputetë të tjerë, Faton Topalli nga “Vetëvendosja” dhe Donika Kada Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryeprokurori Beka ka thënë se ende nuk ka skaduar data deri në të cilën është paraparë paraqitja vullnetare e të dyshuarve. /Zëri/

Më Shumë

Lajmet e Fundit